E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasdori Pulaj: Ndërthurja e interesave të Shqipërisë me ato të Kosovës, prioritet i punës sime

Ambasadori i Kosovës në Tiranë Gazmend Pulaj tregon ditët e para si diplomat në Tiranë dhe dorëzimin e letrave kredenciale tek ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha

Gazmend Pulaj nis ditën e tij të punës si ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri. Korrespondenti i gazetës e takon atë në rezidencën e Kosovës, në bllokun e ambasadave në Rrugën e Kavajës. Ka vetëm pak orë që është kthyer nga Ministria e Jashtme, ku pati një takim me Ministrin Lulzim Basha, me rastin e dorëzimit të letrave të akreditimit. Gjatë këtij takimi, ministri Basha i premtoi ambasadorit Pulaj mbështetjen e plotë për përmbushjen me sukses të misionit të tij të lartë si përfaqësues i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, duke e quajtur këtë një moment historik. Kreu i diplomacisë shqiptare ka rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të shtetit të ri të pavarur e sovran të Kosovës për kapërcimin e sfidave që ka përpara në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, në forcimin e ekonomisë dhe pjesëmarrjen e saj në proceset integruese rajonale, europiane e euroatlantike, për të zënë vendin që i takon në familjen e kombeve të lira e sovrane. "I shpreha zotit Basha mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë për realizimin e aspiratës së pavarësisë, si dhe për lobingun lidhur me njohjen e saj ndërkombëtare", thotë Pulaj. Përfaqësuesi i lartë i shtetit kosovar në Shqipëri thotë se ka ardhur në Tiranë që në datën 19 tetor. Pulaj dhe stafi i tij i ngushtë që e shoqëronte janë pritur në aeroport nga zyrtarë të Drejtorisë së Portokollit dhe janë shoqëruar për në rezidencën e shtetit të Kosovës dhe jo në vilën nr 6, që shteti shqiptar ia dhuroi shtetit të Kosovës, menjëherë pas njohjes zyrtare që Tirana zyrtare i bëri shtetit të ri. Ambasadori Pulaj e ka vizituar selinë ku shumë shpej do të zhvendoset për të nisur punën për një diplomaci sa më intensive. "Zhvendosja drejt selisë që na është dhuruar nga shteti shqiptar është punë ditësh. Në godinë janë duke u bërë disa përgatitje plotësuese dhe në ditët e ardhshme mendoj se do të jetë gati për të nisur punën", thotë Pulaj. I pyetur në ka të bëjë vonesa e zhvendosjes për në vilën nr 6 me konfliktin e njohur në shtyp që kjo ndërtesë ka midis shtetit dhe pronarëve Pulaj thotë se ky konflikt nuk është çështje që ka lidhje me punën që ai kërkon të bëjë. "Ne e konsiderojmë atë godinë të shtetit shqiptar, dhe nuk hyjmë në çështje që janë jashtë autorizimeve tona. Ky është një aspekt që nuk ka të bëjë me ne", thotë Pulaj. Sipas diplomatit të ri kosovar puna e tij thelbësore është përfaqësimi në mënyrë dinjitoze e interesave të shtetit të Kosovës, në mënyrë sa më përfaqësuese për të avancuar imazhin pozitiv për shtetin e ri të Kosovës. Pulaj e quan një nder faktin që ishte ai i zgjedhuri i qeverisë së Kosovës dhe i presidentit Sejdiu për të përfaëqësuar shtetin e Kosovën në një nga kryeqëndrat e shqiptarëve sicc është Tirana. Puna e tij do të konsistojë pikërisht në mbrojtje të interesave të shtetit më të ri në rajon Kosovës. Por a do ta shqetësojë zotin Pulaj fakti që selia e re diplomatike e Kosovës ndodhet shumë pranë ambasadës serbe, apo fakti që në kafet rrotull do të ndeshet shpesh me diplomatët serbë në Tiranë? "Ne kemi objektivat tona dhe nuk na shqetëson dispozicioni i ambasadave të shteteve të veçanta. Ne i kemi të qarta prioritetet tona dhe nuk ka pse na bën përshtypje prania fizike e një ambasade tjetër, pasi primare për ne është platforma", thotë Pulaj, duke mos përjashtuar dhe idenë se vendosja pranë njëra tjetrës e dy selive diplomatike asaj serbe dhe kosovare, nuk ka si të mos jetë dhe një lloj simbolike. "Një simbolikë ekziston është ajo e fqinjësisë , dhe një realitet të pashmangshëm sicc është njohja e pavarësisë së Kosovës", thotë Pulaj. Por përveç nderit, kjo detyrë mban në vetëvete dhe një përgjegjësi. Para ambasadorit të ri shtrihen një sërë sfidash, pasi ai është i pari që duhet të ngrejë një urë të shëndoshë komunikimi institucional që ka munguar këto vite mes dy shteteve. Një nga detyrat kryesore të momentit Pulaj quan dhe lobingun me përfaqësitë diplomatike të huaja në Tiranë përsa i përket njohjes së mëtejshme të njohjes së pavarësisë së Kosovës. "Avancimi i ndërthurjes së interesave mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, jo vetëm atë politike, por dhe atë kulturore, shoqërore dhe ekonomike, do të jetë prioritet i punës sime", thotë Pulaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›