Dosjet e sigurimit dhe trajtimi i të shkuarës totalitare në Çeki e Sllovaki

Akuzat kundër shkrimtarit çek Milan Kundera, i cili denoncoi tek organet e ish-sigurimit çekosllovak në pranverë të vitit 1950 agjentin e Perëndimit, Miroslav Dvorácek, kanë sjellë edhe një herë në vëmendje punën dhe dosjet e policisë së fshehtë në shtetin e dikurshëm komunist të Europës Qendrore. Sa është përpunuar dhe trajtuar në shtetet që e pasuan shkrirjen e Çekosllovakisë e shkuara dhe mëkatet e saj? Ku ndodhen dosjet e asaj kohe dhe çfarë ndodhi me agjentët?
Jan Ruml i përkiste disidentëve me emër të ish-Çekosllovakisë. Me shërbimin e fshehtë atë e ndajnë eksperienca të hidhura. „Shokët e miqtë e mi u ndërsyen kundër meje e banesa ime u kthye plotësisht mbrapsht“, kujton - burri që tashme mbart më shumë se 55 vjet mbi supe - atë kohë nën aparatin represiv. Sigurimi i shtetit që në gjuhën çeke njihej si „Statni bezpećnost“, ose shkurt StB, ishte direkt nën varësi të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe ishte kësisoj instrumenti më i rëndësishëm i tij për të siguruar pushtetin. I themeluar në vitin 1945, formalisht aty ekzistonin katër sektorë kryesorë, të cilët korrespondonin me shërbime të fshehta në vende të tjera të ashtuquajtura të demokracive popullore: zbulimi i brendshëm dhe ai i jashtëm dhe derivatet e tyre në sektorin ushtarak. Por shtylla më kryesore në veprimtarinë e tyre gjendej pikërisht në „luftën ndaj armikut të brendshëm“, siç quhej në fjalorin e zakonshëm të policisë të fshehtë asokohe. 70 përqind të protokolleve të përgjimeve u konsumuan nga StB kundër shtetasve të vet.
„Shërbimi i fshehtë çekosllovak prej kohësh megjithatë nuk kishte më një arsenal agjentësh sa ç’ kishte për shembull homologu i tyre në RDGJ. Nga fundi i vitit 1989 paguheshin akoma rreth 30.000 bashkëpunëtorë jozyrtarë. Por edhe StB sigurisht se ishte ndërtuar sipas shembullit sovjetik dhe formonte kësisoj një sistem kompleks e të vështirë për t’ u njohur e depërtuar“, thotë historiani çek, Pavel Zacek, drejtor i „Zyrës për studimin e sistemeve totalitare“, e cila nisi punën e saj në shkurt të këtij viti. Zyra e barasvlefshme nga funksioni me atë të ngritur në Gjermani e të njohur tashmë si “Zyra Birthler” për herë të parë po bashkon të gjitha dosjet jo vetëm të ish-sigurimit të shtetit, por edhe ato të ushtrisë. Zacek më parë ishte marrë me ngritjen e „Zyrës për kujtesën popullore“ në Sllovaki.
Ndërsa dosjet në Çeki u hapën për publikun qysh në mesin e viteve nëntëdhjetë, në Sllovaki kjo u mundësua vetëm në vitin 2002 me ngritjen e „Zyrës për kujtesën popullore“. Gjithsesi, një pjesë e dosjeve rezultojnë të zhdukura përgjithmonë. „Ato u zhdukën pak para se të binte regjimi komunist. Ky fenomen preku para së gjithash çështjet aktuale operative. Edhe në zbulimin ushtarak, i cili prej kohësh ekzistonte akoma në strukturat e trashëguara, shumë dosje u zhdukën“, thotë Zacek. Dosjet e mbetura sot janë shpërndarë pjesërisht në të dyja vendet që pasuan shkrirjen e ish-Çekosllovakisë. „Aty ku ekzistonin dublikata apo mikrofisha, sot ato mund të gjenden në institucionet e të dyja vendeve. Por ka edhe shumë dosje, të cilat gjenden vetëm në njërin apo tjetrin shtet“, thotë Zacek, duke kujtuar se dy vendet u ndanë në vitin 1993.
„Interesant është fakti se StB nuk u vu kurrë të jepte llogari në bazë ligjore“, përshkruan Jan Ruml statusin konspirativ të ish-shërbimit të fshehtë komunist. Disidenti i dikurshëm, pas vitit 1989 u përfshi aktivisht në shkrirjen dhe ristrukturimin e këtij shërbimi famëkeq. Ministri i brendshëm i mëvonshëm punoi në vitin 1990 për disa muaj si Sekretar Shteti për shërbimet sekrete. „Në ndryshim nga shtete të tjera ish-komuniste, ne në Çekosllovaki i ndërtuam shërbimet e fshehta nga zero“, rrëfen Ruml. Por megjithatë edhe këtu ka patur akuza se në shërbimet sekrete vijuan të punojnë akoma njerëzit që i kishin shërbyer regjimit të vjetër. „Para së gjithash, në sektorin e kundërspiunazhit ne jemi kujdesur që kuadrot drejtuese të pushoheshin nga puna“, thotë Ruml. Boshllëku i krijuar u mbush me ish-disidentë e të rinj, me njerëz të panjollosur. Agjentët u dërguan në vende si Britania e Madhe, SHBA dhe Gjermania, ku u trajnuan dhe prej tyre u morën specialistë dhe u vendosën në Pragë. Duke u orientuar nga shembulli gjerman, shërbimi i parë çekosllovak i epokës së pas- monizmit u pagëzua si “Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe Demokracisë”.
Për të qenë të sigurtë që ish-kuadro të StB-së të mos zinin më asnjë vend në administratën udhëheqëse shtetërore, në vitin 1991 u nxorr ligji i ashtuquajtur “i lustracionit”, që i detyronte të gjithë kandidatët për deputetë apo për poste të rëndësishme shtetërore, t’i nënshtroheshin një procesi verifikimi ligjor. „Edhe nëse ligji shfaq boshllëqet e veta, ai kontriboi gjithsesi në thelb për pastrimin e shoqërisë dhe shtetit“, thekson Zacek. Ish kuadro të StB-së, sot në Çeki nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm më në jetën publike, sipas një vlerësimi të përgjithshëm në vend. Ndryshe duket të jetë puna në vendin fqinj, Sllovaki, ku “ligji për pastërtinë e figurave publike” pas ndarjes së dy shteteve nuk u aplikua shpejt. Politikani më i rëndësishëm i vënë nën dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit ishte dhe ish-kryeministri i vendit, Vladimir Meciar. Gjithsesi, sot shërbimet e fshehta të të dyja vendeve ish-komuniste punojnë padyshim sipas modeleve të shteteve më demokratike dhe i nënshtrohen kontrollit parlamentar.
...