E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thanë, për përherë

Askush nuk e di se sa është shkruar e folur për Kosovën. Po të ndërmerrej një përçapje, për ta kryer këtë, përveçse do të qe një punë tejet e mundimshme, ndoshta, as ashtu, nuk do të mund të gjindeshin e përmblidheshin të gjitha. Disa palë dhe individë të panumërt, janë shprehur rreth çështjes dhe për një kohë mjaftë të gjatë: shqiptarët dhe serbët, mbështetësit dhe kundërshtarët, fqinjtë dhe të largëtit, të pavarurit dhe të anshmit, të njohurit dhe anonimët. Nëse, do të përzgjidheshin thëniet, më mbresëlënëse, nga kjo pjesëmarrje e panumërueshme, rreth një populli e vendi të vogël, vërehen edhe mendime të çuditshme, nga pozicioni se si kundrohet “holokausti” e “happy end”-i (fundi i lumtur), i Kosovës. Në vitet e shumta, të rrezikimit e mbijetesës, të mosheqjes dorë kurrë, për të pasur shtetin, shqiptarëve të vuajtur, u janë nxitur mendime drithëruese, herë tejpamëse, apo veç me dy fjalë, disa sosh të shndërruara mënjëherë në përjetësim. Atëherë, kur marrjen nën mbrojtje të Kosovës, me luftë, nuk guxonte të çonte nëpër mend as më i guximshmi, Nënë Tereza ka shqiptuar porosinë e pavdekshme për të. Gjatë Mëngjezit të Lutjeve, në SHBA, në vitit 1997, Nënë Tereza, duke u përkulur e puthur dorën e Ibrahim Rugovës, i qe drejtuar Presidentit Bill Klinton, me lutje nëne për birin: “Zoti President! Ky është Presidenti im dhe i Kosovës, Ibrahim Rugova. Të lutem, ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!” Dihet, ajo, që ndodhi dy vjet më vonë dhe, poashtu, dihet çfarë bënë Presidenti Klinton, SHBA dhe NATO. Por, pas luftës, kur Nënë Tereza nuk rronte më, Bill Klinton shkoi në Kalkutë të Indisë, dhe duke nderuar para varrit të saj, tha si në përshpirtje: “Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend porosinë! Tashmë, populli yt, në Kosovë, është i lirë dhe po ndërton demokracinë”. Përgjatë ecejakeve, thuajse torturuese, të Presidentit Rugova, nëpër rrugëtimet përsëritëse Prishtinë - Tiranë - Televizioni Shqiptar (TVSH) - Europë - SHBA - Shqipëri - Televizioni Shqiptar (TVSH), nuk vëreje të lëvizte kurrfarë lënde politike. Nëpër daljet e detyruara në ekran, Rugova nuk thoshte ndonjë gjë të re në kthim, në pasurim të atyre që kishte shqiptuar në nisje. Koha e Kosovës ishte si ora e mbetur, hedhur në humnerë. Shikuesit, që prisnin diçka të re, ndjeheshin të papërmbushur e belbëzonin: Rugova thotë veç të njëjtat gjëra! Por, në ato gjëra thuajse njëngjyrëshe, Presidenti historik përsëriste, pa kurrfarë ngurimi, formulimin e vet, që u shndërrua në porosi të madhe: “Kosovë e pavarur, e integruar në Bashkimin Europian, në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ashtu tha. Ashtu ndodhi. Ashtu mbeti. E vetmja gjë që Rugova nuk e tejpa, ishte mosmbërritja e tij fizike në ditën e 17 shkurtit 2008. Po atë 17 shkurt 2008, edhe pse e afroi, nuk e mbërriti për së gjalli as Adem Jashari, dhe familja e tij Hero i Kosovës. Ai, çfarë duhet të ketë pasë menduar a thënë, e la shkruar me gjak. Të tjerët, që i mbijetuan luftës, ditën e madhe të pavarësisë, në portretin gjigand të Adem Jasharit, i dhanë një përgjigje të jashtëzakonshme, veç me dy fjalë: ”Bac u kry!” E gjithë bota shqiptare, deri te mërgimtari më i vetmuar kushedi se ku, i rroku ato dy fjalë të përjetshme, ndjeu fuqinë dhe vërtetësinë se ato i përkisnin Heroit. Po atë ditë, në Prishtinë, u zbulua permendorja e Pavarësisë. Njerëzit, turma - turma, lanë shenja të shpirtit mbi të. Por, fjala si vargmal i artë, në anglisht, Newborn, ishte gjetje e shkëlqyer, sa që u kthye mënjëherë në simbol, të Kosovës, për ekranet e panumërta të rruzullit. Ideuesi nuk do të ishte kaq i shpërblyer sikur ta kishte shkruar në shqip - Rilindja. Ai u tregua i sotëm e larpamës, tek e përjetësoi aleatin e madh ashtu, sepse SHBA dhe NATO, janë pjesë historike e Newborn - Rilindjes, së shqiptarëve. Dhe, pak më vonë, atë ditë që Shqipëria shkoi në Bukuresht, e ftuar nga NATO, Kosova, po atë ditë, priti ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, të kthehej nga Gjyqi i Hagës, i pafajshëm. Ajo pritje ishte përtej pritjes së një një individi, apo gëzimit të një familjeje të sakrifikuar. Serbia kishte bërë gjithçka të ndërtonte simetrinë e krimit: Presidenti Millosheviç në Hagë, edhe Kryeministri Haradinaj në Hagë. Bëheshin përpjekjet më të liga: Serbia kërkonte kriminalizimin e luftës së shqiptarëve. Por, Haradinaj dha dorëheqje, shkoi atje plot dinjitet, iu nënshtrua gjyqit, u kthye i pafajshëm dhe, me të mbërritur në Prishtinë, tha: “Lufta e Kosovës ishte e pastërt”. Brenda turmës, u shqua një parrullë me portretin modest të Haradinajt, nën të cilin ishte shkruar, me shkronja të mëdha, në anglisht: “I’m back” (U ktheva). Kjo të ngulej në tru. Mediat e botës e thanë më plotë:“Shkoi si kryeministër, u kthye si hero”. Lufta e shqiptarëve u vërtetua e pastër. Ndërsa lufta e NATO-s u provua të ishte njerëzore. Këto thënie i di shumëkush ndër shqiptarë. Por, nuk ka asnjë që të mos i ndjejë, kur i dëgjon a lexon. Nuk ka kush që nuk u beson. Sepse ato janë më shumë se kaq. Ato u thanë pa u ditur se ishin thënë për përherë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›