E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet lideri i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti

Policia arreston Kurtin në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga BE

Policia e Kosovës ka arrestuar pasditen e djeshme udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti. Ai u arrestua pas një takimi me gazetarë në selinë e Lëvizjes në Prishtinë, pak kohë pasi paralajmëroi pjesëmarrjen e Lëvizjes që ai udhëheqë në

zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2011. Arrestimi i Kurtit u bë në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë, institucione këto që dështuan disa herë. Policia e Kosovës ka përdorur gazin lotsjellës për të mundësuar aksionin e arrestimit të tij dhe gjatë aksionit ka thyer dritaret e selisë së Lëvizjes Vetëvendosja dhe ka përmbysur gjërat brenda saj. Gjatë aksionit janë arrestuar edhe 6 aktivistë të tjerë të lëvizjes dhe janë lënduar disa të tjerë në përplasje me policinë. Por zyrtarë të policisë thanë se njësitë policore nuk ka përdorur dhunë gjatë arrestimit të Kurtit. Aktivistë të Lëvizjes kanë përmbysur dy makina të misionit të EULEX në shenjë hakmarrje ndaj arrestimit të Kurtit. Drejtues të Lëvizjes kanë paralajmëruar se deri në seancën e ardhshme gjyqësore ndaj Kurtit, që pritet të zhvillohet më 21 qershor, do të vendosin se cilat do të jenë hapat e mëtejshme. Pak para arrestimit, Kurti publikoi vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, por ai hodhi poshtë mundësinë që kjo lëvizje të shndërrohet në parti politike.


Akuzat
Albin Kurti u arrestua mbi bazën e një fletarrestimi të lëshuar nga një gjykatës ndërkombëtar, me akuzën se ka bërë thirrje për rezistencë dhe pengim të personave zyrtarë gjatë një proteste në vitin 2007. Ai akuzohet si pjesëmarrës në një turmë që ka kryer vepra penale dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare, si dhe për thirrje për rezistencë. Një numër organizatash joqeveritare kanë mbledhur mbi 170 mijë nënshkrime me kërkesën për të pezulluar procesin ndaj tij.
Arrestimi pengesë për hyrjen e Vetëvendosjes në politikë Organizatat e të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje policisë së Kosovës të lirojë menjëherë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Sipas organizatave duket se arrestimi i Albin Kurtit përbën një veprim të policisë i cili do të shkaktojë pengesë në përpjekjet e Vetëvendosja për të garuar si e barabartë në politikën e Kosovës.  Sipas një deklarate të shoqatës Illyricum Libertas me seli në Tetovë, opinioni publik është e tronditur thellë dhe reagon ashpër ndaj aksionit terrorist të Policisë së Kosovës, e cila në një akt çnjerëzor ka arrestuar kreun e lëvizjes kombëtare Vetëvendosje, Albin Kurtin si dhe 5 aktivistë të tjerë, Vlorian Mulliqaj, Sali Zyba, Nderim Matoshi, Frashër Krasniqi dhe Faton Zeka. Kërkojmë nga SHPK që të lirojë menjëherë nga burgu aktivistët e arrestuar kurse nga Gjyqësori supozojmë i pavarur i Republikës së Kosovës kërkojmë pushimin e menjëhershëm të rastit absurd dhe të padrejtë politik kundër liderit të shoqërisë civile në Kosovë, Albin Kurtit, thuhet në deklaratë. Kjo organizatë thekson shpresat e saj se Lëvizja Vetëvendosja do të ketë suksese në synimin e shpallur për të garuar si subjekt i barabartë për të fituar besimin e qytetarëve shqiptarë të Kosovës të cilët janë të lodhur nga korrupsioni , keqqeverisja dhe paaftësia kronike e treguar nga qeveritarët e ndryshëm shqiptarë të Kosovës deri sot.

Katër furgonë e 40 policë për arrestimin e Kurtit me shokë
Sipas një komunikate për media të Vetëvendosja, Kurti është arrestuar nga njësitë speciale, ku kanë marrë pjesë rreth 40 njësi speciale, në 4 furgonë, me këtë rast është përdorur edhe gaz lotsjellës. Burime brenda selisë kanë bërë të ditur se policia ka përdorur edhe dhunë gjatë arrestimit të Kurtit. Njëri nga aktivistët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i tha BBC se ndërhyrja e policisë për arrestimin e Kurtit, në selinë e Lëvizjes, ishte e dhunshme. Por zyrtarë të policisë i thanë BBC se policia nuk ka përdorur dhunë në rastin e Kurtit. Konjufca tha se në orët e ardhshme Lëvizja do të vendosë se cilat do të jenë hapat e mëtejshme pas arrestimit të udhëheqësit të saj. Ndërkohë, para selisë pasditen e djeshme ishin mbledhur spontanisht dhjetëra qytetarë, të cilët protestuan ndaj arrestimit të Kurtit dhe kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij.

Sejdiu: Kosova e gatshme të bisedojë me Serbinë për çështje të dy vendeve sovrane
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për VOA ka theksuar se Kosova ka shënuar përparime të mëdha që nga hyrja e forcave të NATO në qershor të vitit 1999. Por, në rrugën e shtet ndërtimit, thotë ai, ka ende punë për të bërë, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit. Sejdiu në këtë intervistë shpreh besimin se lufta kundër korrupsionit do të shkojë deri në fund, ndërsa tërheq vërejtjen se krimi ekonomik në veriun e Kosovës zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë serbo-shqiptar. Natyrisht se objektivi themelor i yni është arritur, por në këtë pjesë të objektivit ka edhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me pritjet e qytetarëve të vendit. Unë them se kemi hapësirë të punojmë më tepër. Ka hapësirë që institucionet e Kosovës të dëshmojnë energji edhe më të shumtë në këtë drejtim, u shpreh ai. Duke u ndalur tek hetimet e bëra kohët e fundit nga misioni i BE, Sejdiu nënvizoi se ky është projekt i ndjenjës së brendshme por natyrisht edhe i mbështetjes ndërkombëtare. Në këtë drejtim ai theksoi se beson po ashtu se pikërisht kjo qasje e filluar që të ketë adresimet drejtpërdrejta, natyrisht gjithmonë me argumente, të shkojë deri në fund. Për secilin të bëhet hulumtimi i mirë dhe kurrkush nuk është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë alfa dhe omega e përcaktimit të themi të masës dhe veprimit të shtetit në respektim të plotë nga secili bartës apo përgjegjës në institucionet e vendit, qoftë të themi të nivelit më të lartë por edhe nivele të tjera, nënvizoi ai, për të shtuar se kjo është një punë e ndjeshme që pret institucionet e vendit, në radhë të parë sistemin prokurorial dhe gjyqësorë që janë segment i ndarë i veprimit të shtetit, apo pushtet i ndarë dhe e mira e të mirës është që politika të mos ndërhyje asnjëherë në punën e tyre, sikur që edhe ato vet të mos jenë të politizuara. Për pjesën veriore të Kosovës, Sejdiu theksoi se atje është një gjendje e trashëguar prej 11 vitesh. Një gjendje në të cilën krahas komponentës së veprimit të strukturave të instruktuara nga Beogradi, fatkeqësisht me një qasje gjithmonë me dëshirë që të mbajë tensione në Kosovë. Në të njëjtën kohë një hapësirë në të cilën është zhvilluar krimi ekonomik. Pra, një kriminalitet i gjallë. Shifrat janë alarmante të asaj se sa humbë ekonomia e Kosovës me kontrabandën e madhe që bëhet me mallra që hyjnë nga veriu. Mirëpo, është edhe një pyetje tjetër që shtrohet paralelisht. Kush janë partnerët që mbajnë gjallë krimin ekonomik në Kosovë, në veri? Janë të përbashkët. Dhe unë them me përgjegjësi se janë të përbashkët, theksoi Sejdiu për të shtuar se veriu nuk ka për të qenë asnjëherë hapësirë e Kosovës që do të hyjë në pazar. Ai vlerësoi si të rëndësishëm faktin se qeveria e Kosovës është e gatshme në çdo kohë të bisedojë me Serbinë, për çështje që janë në interes të dy vendeve sovrane. Duke u ndalur tek ftesa për takim për presidentin serb, Boris Tadiç ai theksoi se është i gatshëm ta takoj presidentin e Republikës së Serbisë, por gjithmonë në nivel të barabartë si presidenti i vendit.

Thaçi: Kosova ka të ardhme të sigurt Euro-Atlantike
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, mori pjesë në përurimin e Monumentit të Paqes kushtuar Trupave të NATO në Prizren. Në emër të qeverisë, kryeministri Thaçi u uroi qytetarëve të Prizrenit ditën e Çlirimit. Sot po shënojmë ditët e lirisë së shtetit tonë, ditët kur shënuam kthesën historike të vendit dhe shoqërisë sonë, theksoi Thaçi, duke shtuar se Kosova tashmë ka fituar njohje

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›