Shqipëria, “magjia e turizmit” - Për periudhën Janar-Gusht në Shqipëri kanë hyrë 412 mijë turistë më shumë se një vit më parë

Në bregdet, s’do lejohen ndërtime mbi 3 kate, pa një leje nga KRTRSH-ja
Zhvillimet pozitive në sektorin e turizmit, dominuan mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha, duke shprehu kënaqësinë se edhe këtë vit, turizmi ka shënuar një rritje shumë të madhe dhe se Shqipëria ka qenë destinacioni i preferuar i një numri të lartë vizitorësh. Kryeministri bëri të njohur të dhënat e fundit mbi numrin e vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri në 6 mujorin e parë të këtij viti, sipas të cilave, nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë në Shqipëri 2 milion e 148 mijë vizitorë të huaj ose 411 972 shtetas të huaj më shumë, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje, tha Kryeministri, në shumë aspekte, dëshmon se “Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë magjia e turizmit”. “Kryefjala është turizmi dhe nuk mund të jetë tjetër veçse bumi i madh turistik që karakterizon këtë vit. Ata, të cilët parashikuan dhe përcaktuan Shqipërinë si destinacionin e parë turistik të planetit, si magjinë vjetore të turizmit apo “Miss turizmi 2011”, u dëshmuan profetikë. Kam kënaqësi të informoj qytetarët shqiptarë se nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë 411 972 shtetas të huaj më shumë, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ko përbën një rritje të madhe dhe në shumë aspekte dëshmon se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë, magjia e turizmit. Nuk ndodh që ndonjë vend të shënojë një rritje vjetore turizmi kaq të madhe, siç po ndodh në Shqipëri. Vetëm në një ditë, në datën 5 gusht, në Shqipëri hynë 57 mijë turistë dhe vizitorë. Pra, vetëm në një ditë, në Shqipëri hynë më pak se 1/6 e të gjithë turistëve dhe vizitorëve që hynë gjatë vitit 2004, gjithsej 300 mijë. Rritja në gjashtë muaj me 411 972 turistë është një rritje shumë e madhe, premtuese, e cila justifikon plotësisht profecinë e atyre që shpallën Shqipërinë ‘e bukura e dheut’ për vitin 2011. Natyrisht, kur them këtë, në mënyrë absolute nuk injoroj asnjë nga mangësitë e pafalshme që ekzistojnë dhe veçanërisht më kryesorja, plehrat. Ose do të dalim nga kjo psikologji e papranueshme e hedhjes së plehrave kudo në mjedis, përveçse në shtëpi dhe lokal, ose ne do të dëmtojmë rëndë një nga burimet më kryesore të të ardhurave dhe imazhit të vendit. Po na bëhen jashtëzakonisht problematike. Qeveria ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për turizmin. Vetëm në rrethin e Vlorës janë investuar mbi 600 milion euro, në infrastrukturën e të gjitha llojeve, me impakt direkt në turizëm, në ujësjellës, energji, rrugë dhe janë investime të mëdha. Është përfunduar impianti i përpunimit të ujërave të zeza. Në qoftë se linja Tiranë-Podgoricë, financim i KFË, që është edhe linjë ndërkombëtare, kushtoi 47 milion euro, unaza e jugut, unaza e bregut që do të furnizojë bregun me energji njëlloj si qendrat urbane më të fuqishme të vendit kushton 49 milion euro dhe ky është vetëm një investim. TEC-i i Vlorës, investim 110 milion dollarë dhe i tërë në funksion të turizmit. Janë rrugë, autostrada dhe po përmend vetëm disa investime. Ne jemi të vendosur të kompletojmë në një kohë të shkurtër, një nga infrastrukturat më të mira në Europë për këtë zonë, sikundër edhe për çdo zonë tjetër turistike. Por kërkohet një qëndrim i ri ndaj hedhurinave nga çdo shqiptar, i cili i ka kontribuar kaq shumë turizmit, me shpirtin e tij të bardhë e mikpritës. Ne mund të ndërtojmë impiantet më të fuqishme të djegies së tyre, po ndërtojmë landfill-e kudo, por kjo nuk mjafton, nëse qytetari nuk vendos që asgjë nga xhepi e qesja e tij nuk do të hidhet në rrugë, jashtë destinacionit të tyre. Natyrisht, kjo është një kulturë për t’u krijuar, konsoliduar. Arsyet e këtij qëndrimi janë të kuptueshme, por mundësia e ndryshimit është shumë e madhe”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se rritje të lartë të numrit të udhëtarëve ka njohur edhe aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas, me 23 përqind, kundrejt 4-6 përqind që është mesatarja vjetore e rritjeve, që e rendit atë si aeroportin e tretë me rritjen më të madhe këtë vit, në Europë.
“Rritja e hyrjeve në të gjitha pikat e kalimit kufitar është e jashtëzakonshme, është e papërmbajtur. Aeroporti i Rinasit del aeroporti i tretë me rritjen më të madhe në Europë këtë vit, 23 përqind, kundrejt 4-6 përqind që është mesatarja vjetore e rritjeve. Ky trend është shumë premtues dhe e shndërron turizmin në një ndër degët më kryesore të ekonomisë së vendit. Të mos harrojmë se ne jemi pothuajse në fillime”- tha Berisha.
Kryeministri shprehu optimizmin se ky trend është shumë premtues dhe e shndërron turizmin në një ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare, por kërkoi njëherësh edhe ndryshimin e filozofisë së zhvillimit të turizmit, e cila e koncepton zhvillimin e bregdetit si një kombinim të zonave rezidenciale dhe resorteve turistike, si dhe moslejimin e ndërtimit të ndërtesave mbi tre kate në të gjithë vijën bregdetare, pa autorizimin e KRRTRSH-së. “Kemi për të zhvilluar e rindërtuar edhe 90 përqind të bregut. Zoti ministër, i gjithë legjislacioni do të përshtatet me filozofinë e re të zhvillimit të turizmit. Bregu do të ndërtohet në zona rezidenciale dhe resorte turistike. Në këtë mënyrë realizojmë dy qëllime madhore. Së pari, kombi drejt detit. Ky është shansi historik i yni. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti. Me ndonjë përjashtim të vogël këtu, nuk mund ta besojnë se i tërë bregu shqiptar nuk ka pasur as tre fshatrat peshkatarësh. Edhe ata që jetonin në breg si kurorë të mikpritjes kishin qengjin. Historia, invazionet na kishin bërë që të gjenim strehë në male, se aty mbroheshim më mirë. Kjo është e vërteta. Por deti është ushqim, pasuri, është mundësi shumë e madhe. Duke mos i braktisur ato, pasi aty kemi edhe projektet më madhore si projekti i arrorëve dhe zhvillimi i zonave turistike, natyrisht, kombi sytë duhet t’i ketë nga deti. Ky është një shans historik. Pra, kombinim i zonave rezidenciale me resortet turistike. Sikundër ndërtesat mbi tre kate do të jenë të autorizuara vetëm nga Këshilli Qendror i Rregullimit të Territorit. Nuk do të mund të ndërtohet ndërtesë mbi tre kate në të gjithë vijën bregdetare, pa autorizimin e Këshillit Qendror të Rregullimit të Territorit. Nuk ka nevojë ta betonojmë, por të ruajmë ndërtimet më miqësore ndaj mjedisit”- deklaroi më tej kryeministri. Po ashtu, duke konsideruar ruajtjen e zonave turistike nga hedhjet në mjedis të mbeturinave urbane, si një nga problemet më të mprehta, Kryeministri tha se është e nevojshme krijimi e konsolidimi i një kulture të re miqësore ndaj mjedisit nga qytetarët. “Ne, - tha Kryeministri - mund të ndërtojmë impiantet më të fuqishme të djegies së tyre, po ndërtojmë landfill-e kudo, por kjo nuk mjafton, nëse qytetari nuk vendos që asgjë nga xhepi e qesja e tij nuk do të hidhet në rrugë, jashtë destinacionit të tyre”. Duke uruar të gjithë pushuesit në vendin tonë, numri i të cilëve ka tejkaluar 2 milion e 148 mijë turistë të huaj në gjashtë muaj, kryeministri theksoi gjithashtu se qytetarët shqiptarë kanë qenë të shumtë që kanë udhëtuar drejt vendeve të BE-së, dhe kjo falë lëvizjes pa viza në hapësirën “Schengen”. “Uroj edhe shqiptarët, të cilët kanë dalë këtë vit më shumë se kurrë jashtë vendit të tyre, kanë lëvizur të lirë pa viza. Në gjashtë muaj, mbi 2 milion shqiptarë kanë dalë nga vendi i tyre, për qëllime nga më të ndryshmet. Janë 347 mijë qytetarë më shumë, sesa para heqjes së vizave dhe këta 347 mijë nuk janë borgjezia e re, por janë populli i thjeshtë, janë zemrat e përcëlluara nga dhimbja e malli për të takuar njerëzit e tyre. Këto ritme dëshmojnë se shqiptarët kanë përfituar shumë nga heqja e vizave.