Amendimet si "zhurmues"
Sapo ka përfunduar loja e radhës në teatrin e politikës shqiptare. E ashtuquajtura "e djathta" i mbylli polemikat me president. Shefi i saj, kryeministri Berisha, sikundër edhe disa puthadorë të tij, kanë "qetësuar" publikun, duke u zotuar se do të respektohet modeli i duhur. Këtë "zhurmë", shumë shpejt do ta mbulojë ajo për hetimin e autorëve të rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Remzi Hoxha. E, megjithatë, mund të thuhet se... nuk asgjë të re nga Shqipëria.
Tashmë është e ditur, që në mënyrë periodike, institucionet e shtetit, politika dhe mediat përfshihen në aksione të befta, që i ofrojnë opinionit publik situata "luftarake", në të cilat ai nuk ka si të mos përfshihet. Një gjë e tillë ishte edhe zhurma e këtyre ditëve për "paketën" e ndryshimeve kushtetuese; nuk bëhet fjalë vetëm për ato që ka propozuar PS-ja dhe që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, të cilat, nga ç'duket, e kanë rrugën të hapur. Fjala është që papritur e pakujtuar "të djathtët" i ka zënë meraku për zgjedhjen e Presidentit, punë që pret edhe tre vjet e gjysmë(!) Justifikimi për këto nisma allashqiptarçe, është mbështetur në një argument jo pa peshë. Meqë preket Kushtetuta, kjo gjë le të bëhet njëherë e mirë. Dhe kështu, të gjitha ndryshimet (e pritura dhe të papritura) mund të kalonin në të njëjtën paketë. Ka shumë vëzhgues që këtë temë të re e quajnë luftë politike. Një grupim brenda PD-së, me siguri nën dirigjimin e lidershipit të saj, duket se do të shfrytëzojë klimën e mirë politike (përpjekjet bashkëpunuese PS-PD) për të forcuar pozitat e kryeministrit Berisha dhe të ndjekësve më të afërt të tij. Pa i ikur asfare problemit të luftës brenda llojit, mund të thuhet se kjo lojë e radhës duhet vështruar më ftohtë dhe më nga larg. Vendi nuk ka kapërcyer një krizë të madhe morale dhe politike, atë që shkaktoi tragjedia e Gërdecit. Në të njëjtën kohë, atmosfera politike u ngarkua me tinguj dhe fanfara të shumta, për shkak të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO.
Vëzhguesit më realistë dhe qytetarët e pa-indoktrinuar të këtij vendi, edhe pse i kanë përjetuar të dyja këto ngjarje në mënyra të ndryshme, kanë qëndruar fort në dyzimin e tyre për të vërtetën e sotme mbi Shqipërinë. A është ajo një vend, nga reformat e të cilit "kanë marrë shembull edhe vendet e tjera"? Apo - hiq mënjanë euforinë dhe mburrjet e disa prej krerëve të koalicionit qeverisës - është një simbol i problematikave të tranzicionit të vendeve të Evropës Juglindore? Për fat të keq, ne vazhdojmë të gënjejmë veten dhe të tjerët: morëm ftesën, kemi bërë reforma, janë rritur aq e kaq doganat dhe tatimet; dhe tani nuk mbetet veçse pak përpjekje, ca muaj, ja ky grupi i negociatorëve (për NATO-n de,) u ngrit sakaq, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit dhe Ministri i Jashtëm vazhdojnë të shpërndajnë me shumicë optimizëm, ia hodhëm. Cilido qoftë qëllimi i nismave dhe "paketave", cilado qoftë zhurma për zgjedhjen e Presidentit, qytetarët shqiptarë kërkojnë disa përgjigje, të cilat gjenden diku larg kësaj balloje qesharake; këto përgjigje nuk formulohen duke ua hequr atyre vëmendjen andej-këndej, nëpër lojëra politike.
Qytetarët shqiptarë kanë dëgjuar një deputet anonim e të paaftë, si shumë të tjerë, ta cilësojë atë tragjedinë e harruar, bash në Kuvendin e tyre, si "një shpërthim në një depo private"... Është i tepërt komenti; gjithsesi, një cinizëm i tillë, nuk ka se me çfarë të krahasohet. Shqiptarët duan gjithashtu një përgjigje për ato 6 miliardë abuzime, që sapo ka raportuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një nga seancat më të turpshme të Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë seancë, deputetët numëroheshin me gishtat e dorës. Dhe raportimi kaloi sikur të ishte fjala për humbjen e ndonjë koshereje bletësh. Qytetarët shqiptarë duan të dinë edhe sa lekë do të hidhen ende në rrugën Durrës-Kukës, pa dokumente, pa projekte, fundja pa i dhënë kurrkujt llogari.
Kanë shkuar në 70 milion euro shpenzimet (ekstra)qeveritare gjatë vitit të shkuar, paçka se në korrik e gusht të vitit 2005, u shpall me të madhe se kjo (e turpëruara e sotme) do të ishte një qeveri "në dietë". Më tej, qytetarët shqiptarë do të donin të dinin se cili është koeficienti i vërtetë i rritjes së të ardhurave nga Doganat dhe Tatimet, në një kohë kur çmimet dhe referencat janë dyfishuar.
Kështu janë punët me këtë zhurmën për amendimet e Kushtetutës. Nuk mund të përdoren më ato dhe (gjoja)lufta politike si "zhurmuesit" e qëmotshëm. Për lexuesit më të rinj, më duhet të sqaroj se këto (zhurmuesit) ishin pajisje elektronike që pengonin valët e stacioneve të huaja televizive në kohërat e kiametit. Sot qytetarëve shqiptarë iu thuhet se janë dyfishuar investimet e huaja. Edhe sikur të ishin dyfishuar, janë aq pak sa nuk ia vlen t'i zësh me gojë: disa pak qindra milionë euro. (Sa për ndonjë paralele, një nga fqinjët tanë modestë, Rumania, ka raportuar për vitin që shkoi 1.2 miliardë euro investime të huaja.) Qytetarët shqiptarë nuk janë të marrë të mos kuptojnë hyrjet dhe daljet e vjetra dhe të reja në defterët si prej bakalli të shtetit të tyre, që laj thaj kanë mbetur tek privatizimi ("korruptiv" i socialistëve) i "Telekom"-it. Qytetarët shqiptarë ndjejnë papunësinë dhe e kuptojnë se nuk ka asnjë investim të huaj serioz dhe afatgjatë; bie fjala, gazsjellësve dhe naftësjellësve që përshkojnë e do të përshkojnë rajonin, nuk iu bie rruga këtej, me gjithë zhurmën për atë apo këtë projekt.
Qytetarët shikojnë se si kanë humbur miliardat KESH-it për shkak të skemave politike që ushqejnë informalitetin. Dhe kjo ndërmarrje gjigante lëkundet tani si ndonjë i dehur, e paftë të mbledhë lekët e veta, e gatshme veç të rrisë çmimet për ata që paguajnë rregullisht. Dhe meqë hyjmë dashur pa dashur në temën ekstra-shqiptare të informalitetit, le të prekim fare shkarazi një prej elementëve që kanë të bëjnë me luftën kundër tij, për çka qeveria mburret se ka bërë shumë. Sa e sa vjet ka që bërtitet për kasa regjistruese? Dhe ja, sipas burimeve nga Ministrinë e Financave, brenda 6 mujorit të parë të këtij viti do të bëhet e mundur pajisja me kasa fiskale e biznesit të madh në qytetet kryesore, si Tiranë dhe Durrës(!) Deri në fund të 6-mujorit, procesi do të përfundojë në të gjithë vendin për biznesin e madh. Sa i takon biznesit të vogël, ky proces do të fillojë në periudhën në vijim. Qeveria ka përcaktuar qershorin e vitit 2009 si afat të fundit për pajisjen me kasën regjistruese për biznesin e vogël në të gjithë vendin(!)
Një fjalë e urtë popullore thotë: "Vetëm budallai është gjithmonë i kënaqur nga vetja". Në radhët e politikanëve e të qeveritarëve të sotëm, mund të ketë budallenj. Por kjo nuk është një sëmundje ngjitëse dhe qytetarët shqiptarë nuk ka se si të sëmuren nga euforia qeveritare dhe as të hutohen nga "zhurmuesit" që hidhen herë pas here në skenën e teatrit të komedisë.