Mustafaj: Propozimet e PD për presidentin, të papjekura
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj vlerëson se kreu i Bashkisë së Himarës, Bollano sillet si budalla
Mustafaj: "Gërdeci" nuk është mbyllur ende
Ndryshimet kushtetuese, të papjekura
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj nuk ngurron ta etiketojë si të papjekur nismën për amendimin e Kushtetutës. Kjo pasi, sipas tij, ndryshimet që i bëhen nenit 87 prodhojnë një president të dobët. "E kundërta e asaj çka premtuam në 3 korrik 2005",- thotë Mustafaj, i cili beson se Gërdeci nuk do ta dëmtojë shumë politikisht mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu, sekretari demokrat për marrëdhëniet me jashtë komenton dhe zhvillimet politike në kampin e majtë.
Z.Mustafaj, që nga momenti i dorëheqjes nga posti i ministrit të Jashtëm, keni mbajtur një qëndrim disi të tërhequr brenda PD-së. Sot, e gjykoni vendimin që morët?
Ka qenë një vendim i drejtë, shprehje e përpjekjeve të mia të mëparshme e të mëpasshme për t'u qëndruar besnik disa parimeve dhe një morali, për të cilat, në fund të fundit, besoj se kam hyrë dhe vazhdoj të qëndroj në politikë. Ajo që nuk mund të parashikoja qartë njëmbëdhjetë muaj më parë e që deri diku më bënte të dridhesha pak fshehurazi, ishte frika e një gjykimi të ashpër nga ana e shumë demokratëve, të cilët më kanë besuar, më kanë mbështetur e më kanë votuar gjatë gjithë këtyre viteve. Tani, edhe në këtë pikë jam i qetë. Nuk shoh të më rreshtojnë tek ata drejtues të Partisë Demokratike që i kanë zhgënjyer demokratët qoftë me moralin e tyre, sepse u përlyen në korrupsion, qoftë me paaftësinë e tyre për të përmbushur funksionet e larta shtetërore apo qeveritare që morën pas zgjedhjeve të 3 korrikut.
Si e shikoni në planin diplomatik, marrjen e ftesës për në NATO? Sa dhe si do të modifikohet politika jonë e jashtme pas këtij akti historik?
Ftesa për anëtarësim në NATO është padyshim një sukses i madh diplomatik e politik për mbarë Shqipërinë e posaçërisht për mazhorancën aktuale. Ndërsa politika e jashtme, e sidomos politika e jashtme pra, nuk ka arsye të modifikohet. E kam fjalën se orientimi i saj properëndimor jo vetëm nuk ka arsye të modifikohet, por ai bëhet përfundimisht i pandryshueshëm, pavarësisht alternancave të pushtetit në të ardhmen. Dhe kjo për mua është dobia kryesore për Shqipërinë në këtë hap. Nëse mund të flitet për ndryshim, ky do të konstatojë në rritjen e peshës së vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe kjo është gjë e mirë.
Një debat i hapur: ftesa për në NATO erdhi si pasojë e progresit të brendshëm, apo si rezultat i koniunkturave aktualisht të favorshme ballkanike dhe ndërkombëtare? Ju, si mendoni?
Unë jam i bindur se përcaktues ka qenë progresi i brendshëm. Koniunkturat e favorshme ballkanike vetëm sa e kanë ndihmuar, por nuk mund të kishin rol vendimtar. Edhe me një vështrim të shkurtër prapa, do të vëmë re se koniunkturat ballkanike nuk kanë ndonjë ndryshim thelbësor, të paktën që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kur dhe iu dha fund konflikteve të armatosura në ish-Jugosllavi. Dhe as qëndrimet strategjike të NATO-s ndaj rajonit tonë, nuk kanë ndonjë luhatje të dukshme. Debati që përmendni ju, do të thoja reflekton një farë pasigurie në vete që e kemi ne si komb. Nuk jemi ende të qartë mjaftueshëm për vlerat dhe aftësitë që kemi, dhe kjo ndodh edhe me kombet e nënvleftësuara për periudha të gjata nga të tjerët.
Mesa duket në Shqipëri do të na duhet të bashkëjetojmë me idenë e NATO-s dhe Gërdecit. Si qëndrojnë në konceptin tuaj politik këto dy ngjarje diametralisht të kundërta dhe sa do ta influencojnë ato jetën tonë politike në aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm?
Gërdeci, për mënyrën se si po mësojmë se është ngjizur tragjedia, nxjerr qartë në pah faktin se Shqipëria nuk i ka mbyllur hesapet me të kaluarën e saj diktatoriale e militariste. Dhe jo vetëm kaq. Gjatë këtyre 17 vjetëve të demokracisë, shoqëria jonë dhe institucionet e saj janë infektuar rëndë edhe nga sëmundjet e rrezikshme që gëlojnë në një vend ku instalimi i lirisë nuk është shoqëruar edhe me instalimin serioz të shtetit ligjor, që janë korrupsioni e krimi i organizuar. Unë shpresoj fort se Gërdeci, në kuptim që shtjellova, dhe NATO nga ana tjetër, nuk do të bashkëjetojnë tashmë as në marrëveshje të hapura e as në marrëveshje të fshehta në Shqipëri. Përkundrazi, Shqipëria e anëtarësuar në NATO do të jetë edhe më e vendosur dhe me mjete më të shumta e më moderne, për t'i dhënë fund asaj çka përfaqëson Gërdeci.
A është korrekte të thuhet se shteti ra në 15 Mars? Më tej, a është korrekte kërkesa e opozitës për dorëheqje të Kryeministrit?
Nuk më duket korrekte të thuhet se shteti ra me 15 Mars. Do të thosha me bindje se më 15 mars shteti u shkund fort dhe majde doli nga atrofia. Po përmend dy fakte: menaxhimi i krizës që pasoi plasjen e Gërdecit, dëshmoi një aftësi të lartë mobilizimi të të gjitha energjive të shoqërisë sonë, qoftë të institucioneve, qoftë të opinionit publik, si dhe dorëheqja kohët e fundit e Fatmir Mediut nga funksionet e ministrit të Mbrojtjes dhe vajtja e tij pa asnjë ngurrim në Prokurori për t'u shërbyer hetimeve. Nuk di shembull tjetër më parë kur një ministër i ka marrë me aq dinjitet përgjegjësitë e veta morale dhe politike. Sa për kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Kryeministrit, ajo ishte brenda logjikës së luftës politike në demokraci.
Sa i rrezikon, sipas mendimit tuaj, shanset e fitores politike të vitit të ardhshëm ajo që ndodhi në Gërdec?
Gërdeci do të jetë, pashmangshmërisht, pjesë e bilancit që do t'i bëhet kësaj qeverie në përfundim të mandatit të saj. Por qeveria, e në përgjithësi mazhoranca jonë, nuk e kanë mbyllur ende analizën e Gërdecit. Në qoftë se kjo analizë do të jetë e sinqertë, e thelluar dhe parimore, besoj ndikimi i kësaj tragjedie në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme nuk do të jetë i ndjeshëm, pavarësisht përdorimit të saj me ngulm nga ana e opozitës. Sepse në politikë vlerësohet pozitivisht edhe pjekuria e reflektimit. Ne na mbetet ta dëshmojmë para shqiptarëve këtë pjekuri, që nuk e kemi dëshmuar ende, ani pse ka kaluar më shumë se një muaj nga tragjedia.
A pajtoheni me kërkesat e fundit në Kuvend, që kërkojnë penalizimin e kreut të Bashkisë në Himarë dhe më gjerësisht, si i shihni debatet rreth implikimit të përsëritur të autoriteteve greke në këtë çështje?
Në analizën e fundit, rëndësi ka thelbi i këtij incidenti dhe ky thelb, siç e theksuat edhe ju në pyetjen tuaj, është fare banal. Më tej, vëmendja ndalet në mënyrë kuptimplote te Kryetari i Bashkisë së Himarës. Nuk është hera e parë që ky farë kryetari Bollano na bëhet protagonist, duke treguar se ose është budalla, dhe ligjin themelor të shtetit e shkel si budalla, ose është provokator i neveritshëm dhe ligjin e shkel si provokator. Mendoj se shteti, nëpërmjet institucioneve të veta, të investigimit dhe të drejtësisë, duhet të sqarojë së pari se cili nga dy versionet është i vërtetë, e mandej të mbajë qëndrimin e merituar për budallain, ose për provokatorin. Një gjë është e sigurt, e provuar dhe e stërprovuar nga historia e largët dhe e afërme: asnjë minoritet nuk ka mundur ta ndërtojë lumturinë e vet, duke i bërë karshillëk komunitetit etnik shumicë, në sajë të mbështetjes që merr tek një shtet tjetër. E ndjej të nevojshme t'ia kujtoj këtë fakt Bollanos, meqenëse ai është edhe përfaqësuesi më i lartë i OMONIA-s. Me përçartjet e tij, dëmin më të madh ai ia bën vetë minoritetit grek. Kjo do të duhet të ishte edhe optika e qeverisë greke në konsiderimin e Bollanos, në qoftë se kjo qeveri përpiqet sinqerisht për të mirën e minoritetit grek që jeton në Shqipëri.
Momentalisht po debatohet ndryshimi i sistemit elektoral. Ju personalisht, cilit sistem i besoni më shumë në kushtet aktuale?
Do të thosha se, edhe sistemi i sotëm elektoral është po aq demokratik sa edhe çdo njeri nga sistemet e tjera që propozohen. Mjafton të kujtojmë se ky sistem funksionon për bukuri në Gjermani për shembull. Problemi shfaqet te implementimi i tij nga ana e klasës sonë politike dhe institucionet e shtetit. Rrjedhimisht, problemi buron nga niveli i ulët i kulturës demokratike të protagonistëve tanë politikë. Si i tillë, problemi vështirë të zgjidhet me ndryshimin mekanik të sistemit elektoral.
Presidenti Topi u shpreh në media se brenda të djathtës po krijohet një lob që po kërkon të zgjerojë kompetencat e tij, me qëllim interesat e caktuara private. Si e konsideroni këtë reagim dhe më në përgjithësi, si ju duken propozimet e fundit të PD-së, që synojnë modifikimin apo dublimin e kompetencave të kreut të shtetit?
Sigurisht që presidenti Topi ka informacion të mjaftueshëm, mbi të cilin analizon dhe nxjerr konkluzionet që i takon, e që unë nuk kam ndërmend t'i komentoj. Por, lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD e që prekin kompetencat dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, unë jam shprehur edhe më parë e nuk kam ndryshuar mendim. Besoj se ato propozime ishin të papjekura, as më shumë e as më pak. Përvoja ka dëshmuar se ne na nevojitet një kryetar shteti me kompetenca më të ekuilibruara, pra pak më të gjera, në mënyrë që të luajë lehtësisht rolin e tij si garant i Kushtetutës. Dhe jo e kundërta, siç u propozua. Po ashtu, PD, ka premtuar me 3 korrik 2005 që të kryejë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që do të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejtë nga populli. Ne kësaj duhet t'i përmbahemi.
Si i shihni, në cilësinë e një deputeti të mazhorancës, por edhe të një njohësi të mirë të protagonistëve të politikës tonë, përplasjet e fundit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Sa fiton PD nga ky sherr brenda opozitës?
Natyrisht që personalitet e forta të njërit dhe të tjetrit, ndikojnë në këtë përplasje, por nuk më duket se kjo është arsyeja e vërtetë. Shkaqet janë më të thella e dashje pa dashje kanë thelb parimor. Me propozimet e PS-së për sistemin zgjedhor proporcional-rajonal, Meta kuptoi shpejt se Rama synonte, veç të tjerash, dhe asgjësimin politik të LSI-së dhe natyrshëm nuk do të pajtohej. Meta ka treguar, tashmë, se nuk është nga ata burra që ulin qafën për një kothere. Përsa i përket përfitimit që nxjerrë PD nga kjo përplasje, do të thosha se në kushtet e një sistemi zgjedhor proporcional-rajonal, ai është zero. Votuesit e LSI-së nuk shkojnë djathtas. Dhe, nëse LSI nuk kapërcen pragun për të hyrë në Parlament, përqindjet e saj do të pjesëtohen midis partive fituese, siç do të ndodhë dhe me përqindjet e partive të djathta, që do të jenë në këtë gjendje. Rama e di shumë mirë këtë.