E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Vasilin mjafton Ligji

  NGA SHBA PËR HIMARËN

Sa herë që do të ketë ndonjë vizitë të emisarëve të qeverisë greke në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Himarës dhe numri një i OMONIA-s, domosdo do të organizojë ndonjë provokim. Ndërkohë që në Tiranë, më 10 prill, numri dy i diplomacisë helene, Theodhoros Kasimis takohej me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, ku flitej për ura miqësie mes dy vendeve, Vasili e nisi rrëmujën në Himarë.

Doemos, se lajmi kapërceu shpejt oqeanin dhe shqiptarët e Amerikës, të edukuar me frymën e Nolit dhe të Konicës, u habitën fort me shtetin shqiptar, që nuk i tregon vendin, këtij tip-Spiro Milo të shekullit XXI.

Në protestën e inskenuar nga kryebashkiaku, u hodhën parulla kundër shtetit shqiptar. Ndër kronikat e përcjella nga media dixhitale dhe këndej Oqeanit, u dëgjuan parulla të tilla, si: "Larg policia nga Himara", "Të shkrihet stacioni i policisë", "Duam polici greke që të bëjë hetime" etj.

Pas mitingut është dukur në Himarë edhe zv/ministri i Jashtëm grek. Vasili u kapardis në krah të tij. Sfondi, muzika, Himni grek, parullat, shkolla greke, ku u bë takimi, e plotësonin më së miri pretendimin se "Himara nuk është shqiptare". Edhe pse diplomati grek u tregua ca i moderuar dhe u përpoq që të tregojë se jetojmë në kohën e aspiratës së Evropës pa kufij, vetë prezenca e tij, dukej sikur thoshte: "Unë prandaj jam këtu, kjo mjafton, të tjerat nuk kanë rëndësi" etj.

Politika shqiptare ka reaguar kundër trazirave. Godo i ka bërë thirrje Kryeministrit që të respektojë kompetencat ligjore dhe të nisë shkarkimin e Kryebashkiakut, kryetari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, deputeti Preç Zogaj e ka cilësuar "provokim të panevojshëm" ngjarjen, avokati Ngjela, që nga tribuna e Parlamentit i ka bërë thirrje Presidentit, të urdhërojë procedimin e kryetarit mistrec të Bashkisë së Himarës.

Vasili, nuk e ka për të parën herë... Provokimi i tij i radhës, kërkon veprime të kujdesshme të shtetit juridik. Nuk është koha për veprime emocionale, por edhe Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të cenohet nga provokatorë si ky mercenar ekstremist. Së paku, shteti do të ishte mirë që të kryejë hetime, që të zbardhin të vërtetën dhe fajtorët të ndëshkohen. Drejtësia nuk ka pse tutet. Mjaft me këtë bishtnim prej ligjit! Të gjithë duhet të jemi të barabartë para tij.

Broçkullat që shkruan Vasili në greqisht, në website-in e Bashkisë së Himarës, se Gjergj Kastrioti Skënderbeu quhej Jorgo, e pallavra të tjera, duhen ndëshkuar. Himara është Shqipëri, jo Greqi, siç i pëlqen të shprehet Vasilit me rrënjë nga Progonati i Labërisë. Shteti ligjor duhet t'i tregojë Vasilit kufijtë e pushtetit, jo të shtetit, se ato janë të përcaktuar në Kushtetutë.

*Autori është redaktor i gazetës "Illyria" që botohet shqip në SHBA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›