Gjirokastra nuk del lehtë nga emergjenca
Gjirokastër - Duke filluar qysh dje, 13 objekte monumentale në qytetin e Gjirokastrës, i nënshtrohen rikonstruksionit, falë fondit qeveritar 1.2 milionë dollarë i menaxhuar nga UNESCO. Përurimi i punimeve dhe i përfundimit të fazës së parë në dy objekte të rëndësishme, Hani i Zagories (apo Hani i Stavros) dhe shtëpia e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, sollën në Gjirokastër ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Ministri është ndalur edhe në banesën ikonë për arkitekturën gjirokastrite, banesa e Angonatëve, e cila për shkak të amortizimit të skajshëm ishte bërë rrezik për banorët e zonës.
Janë gjithësej 6 banesa, monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë në zonën muzeale, në të cilat do të ndërhyhet si dhe 7 objekte në Pazarin e qytetit. Për fazën e dytë janë përzgjedhur edhe 5 objekte që plotësojnë mozaikun e ndërhyrjeve në Gjirokastër: shtëpitë shekullore të Angonatëve, Kabilatëve, Çabejve, Kikino dhe Gurgait. Do të ndërhyhet edhe në 7 objekte të pazarit, ndërmjet të cilave Qendra dhe qafa e pazarit, zona rreth xhamisë, godina e ish-komitetit, godina Kashahu, rruga Pazar-Kala (majtas) dhe Pazar-Kala (djathtas). "Në listën e banesave që kanë nevojë urgjente për ndërhyrje, bëjnë pjesë shtëpi me vlera të rralla dhe që mbi të cilat ka vite ku s'është vënë dorë" u shprehën zyrtarë të monumenteve të kulturës në Gjirokastër. Firma që do të kryejë të gjitha punimet me fondin 89.6 milionë lekë, është Gen-Red.
Me 6 milionë lekë do të investojë qeveria shqiptare në kështjellën e qytetit, në disa prej pjesëve më të dëmtuara të saj.
Megjithëse asnjëherë më përpara nuk janë derdhur kaq shumë fonde për restaurim në Gjirokastër, sërish mjaft banesa monumentale ndodhen në pikë të hallit. Nga 545 monumente të kategorisë II, 172 prej tyre paraqesin rrezik, dhe 48 banesa janë në gjendje të rëndë. Nga 45 monumentet e kategorisë I, megjithë ndërhyrjet në vitet e fundit, 13 prej tyre janë më të rrezikuarat. Specialistët thonë se në dhjetë vitet e ardhshëm, Gjirokastrës çdo vit do t'i duhen 1.5 milionë dollarë për të dalë nga faza e emergjencës.