E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e shënon Holokaustin

Përmes përkthimeve në arabisht të literaturës revizioniste dhe të tezave klasike anti-semitiste, disa liderë arabë dhe myslimanë janë përpjekur ta bëjnë mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit, vegël kundër Izraelit dhe Perëndimit.

Por, të paktën në disa cepa të Islamit, ekziston një përkujtim i ndershëm i së kaluarës dhe në veçanti i asaj që përjetuan hebrenjtë e Evropës gjashtë dekada më parë.

Në janar iu drejtova Parlamentit të vendit evropian, Shqipërisë, që është kryesisht mysliman, në kohën kur ai për herë të parë po shënonte Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.

Para Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një vend me kulturë të pasur dhe të ndryshme, ku myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë kanë jetuar në dinjitet dhe harmoni me shekuj të tërë. Ky ishte vendi i fëmijërisë së Nënë Terezës. Shqiptarët nuk kishin oreks për racizëm dhe anti-semitizëm, që përfshinë Evropën.

Në vitin 1943, pushtuesit nazistë u kërkuan autoriteteve shqiptare që t'i japin listat e banorëve hebrenj. Përderisa disa popuj bashkëpunuan plotësisht me një kërkesë të tillë, madje disa bënë edhe më shumë, Shqipëria refuzoi me trimëri.

Jo vetëm që Shqipëria i mbrojti qytetarët e saj hebrenj, por qindra hebrenj nga Austria, Gjermania, Greqia, Serbia dhe gjetkë në Jugosllavi u strehuan nga shqiptarët.

Një hero i tillë ishte edhe fermeri nga Kruja, Sulo Meçaj, i cili ushqeu dhe strehoi 10 hebrenj në shtëpinë e tij, përkundër rrezikut të madh për veten dhe familjen e tij. Kur nazistët iu afruan shtëpisë së tij, Meçaj i dërgoi hebrenjtë të fshihen në tavanin e shtëpisë. Kur hebrenjtë e tmerruar e pyetën se çka do të ndodhë nëse shtëpisë i vihet zjarri, Meçaj dërgoi me ta edhe djalin e tij të vetëm. Disa vite më vonë, i biri e kishte kuptuar se përse babai ia kishte vënë jetën në rrezik: ishte çështje nderi, që t'i mbajë hebrenjtë të sigurt.

Nga e gjithë ajo që mund të thuhet për veprimet e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, një fakt i thotë të gjitha: Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë që kishte më shumë popullsi hebreje pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para fillimit të saj.

Megjithatë, në vitet e pasluftës, sundimtarët komunistë në Shqipëri nuk e bënë të njohur këtë dosje heroike dhe krenare. Shqipëria dinte shumë pak rreth atyre që patën mbrojtur hebrenjtë nga deportimi dhe vdekja. Komunistët, ashtu si shumë despotë, ishin tejet anti-semitistë.

Por, tash në Shqipëri po rritet interesimi për vrasjen e hebrenjve në Evropë dhe Shqipëria i përkujton 5 mijë komunitetet hebreje, të cilat u humbën gjatë këtij kapitulli të tmerrshëm të historisë. Ajo i përkujton 1.5 milionë fëmijët e therur dhe këtë e bën përkundër sulmeve të vazhdueshme ndaj të vërtetës historike nga lëvizja për mohimin e Holokaustit.

Shqipëria, një kohë të gjatë e injoruar në Evropë, po u tregon evropianëve dhe botës mbarë se çfarë do të thotë të jesh një popull vërtet i lirë dhe i ndershëm. Ajo e ka përqafuar diversitetin e saj kulturor. Në Shqipëri është e jashtëligjshme të formohet parti politike e bazuar në etninë apo fenë. Ajo e mbron trashëgiminë e saj nga lloji i anti-semitizmit dhe ksenofobisë, që i kanë kapluar vendet që e konsiderojnë veten si shumë më kozmopolitë dhe të përparuar.

Në luftën globale ndërmjet qytetërimit dhe islamizmit militant, Shqipëria është një shembull i ndritur, se në një vend mysliman mund të ekzistojë ndryshimi i mendimit, veprimi i përbashkët dhe respekti për të gjitha fetë. Këto cilësi qëndrojnë pas përpjekjeve të Shqipërisë për të përkujtuar Holokaustin dhe ato që do t'i ndihmojnë njerëzimit të parandalojë ringjalljen e tij.

Nëna Terezë, bijë shqiptare, njëherë pati thënë: "Unë dua që ju të shqetësoheni për fqiun tuaj. A e njihni fqiun tuaj të parë?".

Sot, fëmijët shqiptarë e mësojnë me krenari historinë e Shqipërisë gjatë atyre viteve të luftës, kur fqinjët i mbronin fqinjët e tyre. I tërë kombi po mëson për rreziqet nga urrejtja dhe totalitarizmi dhe për nevojën që të përkujtohen viktimat e Gjermanisë naziste.

Ç'është më e rëndësishmja, Shqipëria po i merr këto mësime me gjithë zemër dhe sot mbetet një shembull i tolerancës. Vendi ku myslimanët dhe të krishterët mund të jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit, është shembull i rrallë në botë, por, megjithatë, është një shembull për të cilin pjesa tjetër e botës mundet dhe duhet të mësojë.

*Gazetë amerikane. Artikulli është botuar ditën e djeshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›