Amerika përgatitet për kabinetin "Obama"
WASHINGTON- Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, po përgatit administratë e tij të re, menjëherë pas festës së fitores.
Kanë kaluar vetëm dy ditë nga zgjedhjet presidenciale, por shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë po nxiton për krijimin e ekipit të tij qeverisës. Obama i ka kërkuar kongresistit të Ilinoisit, Rahm Emanuel, dikur këshilltar i presidentit Klinton, të jetë shefi i kabinetit të ri. Emërimi i radhës pritet të jetë ai i Sekretarit të Thesarit, një post shumë i rëndësishëm në strategjinë për daljen nga kriza ekonomike. Obama duket se po sheh mundësinë e emërimit të një zyrtari me përvojë në këtë post. Ndër emrat e përmendur janë ish-Sekretari i Thesarit në administratën e presidentit Klinton, Larry Summers, apo ish-drejtuesi i Rezervës Federale, Paul Volcker. Për postin e sekretarit të jashtëm, presidenti i ri ende nuk ka vendosur mes dy politikanëve të rëndësishëm, diplomatit Riçard Hollbruk dhe senatorit Xhon Kerri, kandidat për presidencën katër vjet më parë. Ndërkohë, ka të dhëna se Obama do t'i kalojë caqet partiake, duke i kërkuar Sekretarit aktual të Mbrojtjes, Robert Gates, që të qëndrojë në këtë post. Edhe Hillari Klinton, rivalja e Obamës brenda Partisë Demokratike, përgatitet për një post të rëndësishëm në administratë. Kjo ishte bërë e ditur që kur Obama fitoi kandidaturën brenda partisë.
Emërimet
Presidenti i sapozgjedhur amerikan duhet të bëjë emërimet kryesore në administratën e tij deri në datën 20 janar, kur e merr zyrtarisht postin. Për këtë është krijuar një komision për tranzicionin, për t'iu mundësuar zyrtarëve të sigurisë dhe ekonomisë të administratës së Bushit që të takohen me homologët e tyre në ekipin e Obamës. Qindra poste duhen mbushur në një periudhë prej 10 javësh. Presidenti Bush ka premtuar se do ta informojë presidentin e sapozgjedhur, Obama në hollësi për çdo vendim të rëndësishëm që do të marrë. Obama dhe këshilltarët e tij kryesorë kanë marrë informacione të detajuara për çështjet e sigurisë kombëtare. Por duke filluar nga dita e enjte, ai do të marrë raportet e përditshme që presidenti merr nga CIA.
Sfidat
Festimet për zgjedhjen e Barak Obamës si president i Shteteve të Bashkuara, tani po ia lënë vendin përpjekjeve të presidentit të ardhshëm dhe ekipit të tij për të bërë zgjedhjet e nevojshme për sfidat që i presin me fillimin e mandatit në janar. Presidenti i ri do të përballet me sfida të vështira që në fillim. Sapo të fillojë detyrën, Obama do të gjendet përballë problemeve të lëna pas nga Presidenti Bush, përfshirë krizën financiare, luftërat në Irak dhe Afganistan, mundësia që Irani të prodhojë armë bërthamore dhe një numër situatash të tjera që kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Analistët thonë se ndër momentet më delikate do të jetë edhe ristabilizimi i marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit, vështirësi kjo për çdo president të ri të SHBA-së.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)