“Gjysma bosh” e raportit të BE-së
Progres-raporti i BE-së për Shqipërinë duket se ka qenë një përgjigje e qartë ndaj agresivitetit që opozita dhe shtypi pranë saj po manifestojnë për muaj me radhë në sulmet e tyre ndaj qeverisë së zotit Berisha. Nëse do të perifrazonim komisionerin Ren, duket se “gjysma plot e gotës” i takon kryesisht qeverisë, ndërsa ajo “bosh” institucioneve jashtë kontrollit të saj, kryesisht drejtësisë. Vlerësimi i përpjekjeve dhe vullnetit politik të qeverisë për arritjen e standardeve si kushte të anësimit në BE është pa dyshim një vlerësim tejet i rëndësishëm për qeverisjen e zotit Berisha, pretendimet publike të të cilit përputhen në masë të konsiderueshme me raportin e BE-së. Reformat politike dhe ato ekonomike kanë marrë vlerësim maksimal nga Komisioni Evropian, janë detyra por edhe arritje të drejtpërdrejta të qeverisë dhe mazhorancës politike gjë që mund të merret në të njëjtën masë edhe si vlerësim për to. Nëse për BE-në mund të jetë pak e rëndësishme se kush është autor i reformave, për shqiptarët kjo ka një rëndësi parësore. Vlerësimet në raport vijnë në një situatë të acaruar politike falë agresivitetit të paparë të opozitës dhe shumicës së mediave të kontrolluar prej saj. Duket se raporti i BE-së shkon në të njëjtën logjikë më përgjigjet e Kryeministrit Berisha gjatë një interpelance në Parlament, të kërkuar nga opozita në fillim të kësaj jave. Por, le t’i lëmë arritjet dhe të merremi me kritikat apo “gjysmën bosh” të progres-raportit të BE-së për Shqipërinë. Dy duket se janë konstatuar si probleme kryesore: konkretizimi i luftës kundër korrupsionit dhe zbatimi praktik i ligjeve. Janë pikërisht dy probleme të ngritura edhe nga qeveria dhe që janë edhe thelbi i debatit politik e publik në vend. Raporti vlerëson vullnetin politik dhe infrastrukturën ligjore në kuadër të luftës kundër korrupsionit (gjysma plot), por është i pakënaqur me konkretizimin e saj (gjysma bosh). Pikërisht ky ka qenë edhe shqetësimi dhe problemi i qeverisë dhe mazhorancës që është bërë edhe thelbi i një debati të gjatë e të ashpër. Nëse do t’i shohim në tërësi, të dyja vërejtjet e BE-së janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe duket se problemi qëndron në të njëjtin vend: Tek drejtësia, mosfunksionimi apo keqfunksionimi i saj. E thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë, konkretizimi i luftës antikorrupsion, pra ndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar është një e drejtë dhe detyrë e drejtësisë. Pikërisht këtu prishet puna. Shumica e çështjeve penale antikorrupsion të nisur nga qeveria, kontrolli i shtetit apo institucioneve të tjera ose kanë zënë pluhur në arkivat e prokurorisë ose janë mbyllur me mënyra korruptive në gjykata, gjë që ka tërhequr një shkallë shqetësuese vëmendjen e BE-së në konkretizimin e luftës antikorrupsion dhe zbatimin praktik të ligjeve. Nëse mund të flasim për dështim, pa dyshim duhet të pranojmë si me kryesorin reformën ne drejtësi. Mirëpo nëse ka pasur përpjekje të opozitës për të penguar reformat, ato për drejtësinë kanë qenë dhe janë nga më të egrat. Çdo përpjekje e qeverisë për të ndryshuar statuskuonë në drejtësi shoqërohet me akuza nga më të ashprat të opozitës për “përpjekje për kontroll të drejtësisë nga qeveria”, gjë që ka çuar, shpeshherë, në tërheqje të mazhorancës, njëherazi edhe dështim të reformës në këtë pjesë kaq të rëndësishme të funksionimit të shtetit. Me pak fjalë, gjendja shpëtuese në drejtësinë shqiptare është pa dyshim përgjegjësi e asaj pjese të politikës që kundërshton çdo përpjekje për reforma në këtë pushtet të rëndësishëm, duke ruajtur gjendjen e vjetër të dominuar nga korrupsioni, mosfunksionimi dhe sidomos politizimi dhe përdorimi politik i drejtësisë. Ajo që mund të vërehet lehtë në debatin politik për reformimin e drejtësisë, është përpjekja e opozitës së majtë për të ruajtur kontrollin mbi drejtësinë, kontroll i rritur me politika selektive e korruptive gjatë qeverisjes tetëvjeçare të saj përpara 2005-s. Nëse do të diskutojmë për kontroll politik të drejtësisë, nuk ka shqiptar që të mos ta dijë se ajo dominohet në masë nga përzgjedhje me kritere tërësisht politike të së majtës dhe në masë të konsiderueshme është në shërbim të saj. Si përfundim, mund të konstatohet fare lehtë se “gjysma bosh” e raportit të BE-së është në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojë e atyre reformave që kërkojnë patjetër bashkëpunimin e opozitës, gjë që ka munguar në mënyrë të veçantë në reformën në drejtësi. Gjithsesi, raporti mund të konsiderohet i vlefshëm për politikën e brendshme, pasi përcakton realisht problemet e Shqipërisë detajimi i të cilave na jep mundësinë për të kuptuar shkaktarët edhe përgjegjësit e tyre. Fakti që opozita nuk mund të gjente fuqi reagimi ndaj këtij konstatimi të rëndësishëm të situatës në Shqipëri, mund të nënkuptohet qartësisht si një zhvleftësim i asaj opozite agresive dhe akuzave nga më të rëndat që drejtuesit e politikanët e saj artikulojnë çdo ditë nga foltoret dhe mediat shqiptare.