Amerikanët trajnojnë komandot e Zall Herrit
Zëvendësambasadori i SHBA-së, Steve Cristina, ndoqi dje një demonstrim të forcave elitë komando në bazën detare të Shëngjinit. Demonstrimi ishte pjesë e një raundi të dytë trajnimi nga ushtarakë amerikanë. Zëvendësambasadori nxiti komandot që të shfrytëzojnë më së miri asistencën dhe trajnimin, në mënyrë që të kontribuojnë që Shqipëria të meritojë plotësisht anëtarësimin në NATO. Në bisedën e shkurtër që pati me trupat e regjimentit Komando të Zall Herrit, zëvendësambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Steve Cristina, falënderoi ushtarakët pjesëmarrës në këtë stërvitje për arritjet dhe profesionalizmin që treguan në demonstrimin e taktikave ushtarake. Demonstrimi shënoi përfundimin e ciklit të dytë të një trajnimi të financuar nga ushtria amerikane. Komandot demonstruan taktika të ballafaqimit me turmat, apo prita, përfshi manovra me materiale luftarake. Demonstrimi ishte projektuar në mënyrë të tillë që të testonte përvetësimin e trajnimit dhe aftësitë ekzekutuese të trupave komando.