Berat, zbardhet pas 12 vjetësh vrasja
Një 37-vjeçar nga Berati është arrestuar në orët e vona të së mërkurës për një krim të rëndë që e ka kryer rreth 12 vjet më parë, gjatë trazirave të vitit 1997. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Beratit deklaruan dje zbardhjen e një prej ngjarjeve të vitit 1997, ku humbi jetën një i ri, ndërsa mjeti ku udhëtonte ra pre e grabitjes me dhunë. Në kuadër të një operacioni të koduar "Konspiracioni", organizuar nga sektori i krimeve të rënda, në bashkëpunimin me prokurorinë e rrethit, është mundësuar zbardhja e ngjarjes, ku mbeti i vrarë Nuredin Myzyri, banor i lagjes "Uznovë" në qytetin e Beratit. Pasi është rihapur për hetim dosja e kësaj ngjarjeje, ekspertët hetimorë kanë mundësuar zbardhjen pas marrjes së dëshmive të reja, ndërkohë që policia ka prangosur mbrëmjen e së mërkurës një nga autorët e krimit dhe ka shpallur në kërkim dy autorët e tjerë. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bëjnë me dije se rreth orës 23.00 të së mërkurës është bërë arrestimi i shtetasit Sokol Kallmit, 37 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Beratit. Policia tha se Kallmi rezulton të jetë autor i vrasjes së Nuredin Myzyrit, ngjarje e ndodhur më 5 korrik të vitit 1997 në lagjen "Uznovë" të këtij qyteti. Myzyri mësohet se mbeti i vrarë, ndërsa udhëtonte në drejtim të Poliçanit, hipur mbi karrocerinë e një kamioni, së bashku me shumë persona të tjerë. Sipas policisë, kamioni është ndaluar në rrugë, në vendin e quajtur Çezma e Thatë, nga tre persona të armatosur. Tre personat e armatosur, mes të cilëve edhe i arrestuari Sokol Kallmi, atëherë 25 vjeç, mësohet se i kanë zënë pritë mjetit dhe kanë grabitur pasagjerët, mes të cilëve ndodhej dhe 25-vjeçari Myzyri. Ky i fundit dyshohet të ketë kundërshtuar tre autorët, gjatë kohës që ata i kanë detyruar të gjithë pasagjerët të zbrisnin nga kamioni dhe të rreshtoheshin në rrugë. I riu nga "Uznova" ka bërë rezistencë, por grabitësit nuk e kanë bërë të gjatë, por e kanë qëlluar me armë zjarri në trup, duke e lënë të vdekur në vend. Pas vrasjes, tre grabitësit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar për gati 12 vjet prangave të policisë, për shkak të moszbardhjes së kësaj ngjarjeje, në mungesë të provave dhe dëshmive. Por, rihapja e dosjeve të vjetra dhe përfundimi me sukses i hetimeve të këtij rasti ka mundësuar prangosjen e Kallmit dhe shpalljen në kërkim të Saimir Gegollit dhe Artan Keçit. Prokuroria mësohet se ka shpallur tashmë në kërkim me "akuzën e vrasjes në bashkëpunim" dy personat që rezultojnë të jenë jashtë vendit, ndërkohë që me të njëjtën akuzë u prangos edhe Kallmi. Berati ishte një nga qytetet që e vuajti më rëndë periudhën e zhbërjes së shtetit në verën e vitit 1997. Shumë prej krimeve të asaj kohe, që mbajnë vulën e disa bandave tashmë të shpartalluara, kanë mbetur ende të pazbardhura plotësisht dhe autorët e krimeve makabre vazhdojnë të jenë të lirë në Shqipëri dhe jashtë saj. Për këtë arsye, krerët e Policisë së Beratit kanë vënë në krye të objektivave të tyre zbardhjen e këtyre ngjarjeve dhe vënien e kriminelëve përpara drejtësisë.