E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri mendor i pret fytin pensionistit

Një sherr mes një pensionisti dhe një të sëmuri mendor ka përfunduar me përdorimin e armëve të ftohta. 63-vjeçari Mehmet Hoxha ka mbetur i prerë në fyt dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit, ndërsa autori i plagosjes ka hematoma të rënda në fytyrë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 13.15 në lagjen 18 të qytetit të Durrësit, afër stadiumit. Pas një grindjeje banale, i plagosuri ka fyer e goditur me grushte 40-vjeçarin Muhamet Kokomani, i cili vuan nga çrregullime mendore. Hoxha dhe Kokomani janë banorë të kësaj lagjeje dhe nga dëshmitë e marra rezulton se 63-vjeçari e ka ngacmuar me fjalë dhe më pas janë zënë duke e rrahur keq 40-vjeçarin. Nga hetimet e para rezulton se i sëmuri mendor Kokomani nuk e ka bërë të gjatë dhe ka vendosur të reagojë për t‘i dhënë fund në mënyrën më të keqe keqtrajtimit të tij. Ka marrë një thikë dhe me të ka prerë në fyt Mehmet Hoxhën. I dëmtuari ka pasur hemorragji të madhe dhe është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit, ku ka marrë ndihmën e parë. Burime spitalore bëjnë të ditur se ai është vendosur në repartin e reanimacionit dhe ndodhet nën kontroll të vazhdueshëm mjekësor. Ndërkohë, në polici thanë se autori njihet si i sëmurë mendor dhe se ai u kap nga shërbimet e policisë së Komisariatit të Durrësit rreth 20 minuta pas ngjarjes. Ai do të hetohet për plagosje të rëndë, ndërkohë që gjendja e shëndetit të tij mendor dhe rrethanat në të cilat është konsumuar vepra penale do të merren parasysh gjatë hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›