E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Për të qenë e dobët, jam gati të vdes!"

"Jam gati të bëj gjithçka, madje edhe të vdes, vetëm për ta parë veten time të dobët. Kështu siç jam tani, nuk mund të shihem në pasqyrë. Ma shpif! Barku, busti dhe kofshët ngjajnë si ato të një derri. Duhet të humbas të paktën pesë kile të tjera. Qëllimi është që të shoh masën time 35 kg mbi peshore. Ndoshta të gjithë mendojnë se jam e sëmurë, por, në fakt, nuk është kështu. A i keni parë ndonjëherë sfilatat e modës? Vajzat që sfilojnë në pasarelë kanë të njëjtën masë që kërkoj dhe unë. Vetja nuk më pëlqen dhe po përpiqem që t‘i ndryshoj gjërat. Kjo është e gjitha. Kur të kem arritur atë që ëndërroj, do t‘iu tregoj fotot e mia dhe do të më shihni se sa e lumtur jam". Këto janë fjalët e një vajze dhe ëndrra e miliona të tjerave. Imazhi i femrës është që të jetë e gjatë dhe e dobët. Në vitet ‘60, pamja e Grejs Kellit eklipsoi imazhin e Merlin Monrosë. Sot, bukuria është e barabartë me elegancën: dieta, ushtrime fizike, pa bark dhe me muskuj të formuar. Kjo nuk është aspak moda e kohëve të fundit, por prej më shumë se një shekulli, është kthyer në një imperativ kategorik, në një detyrim për të gjitha femrat që e adhurojnë të bukurën. Që atëherë, kulti i femrave elegante filloi të thellohej edhe më shumë, duke arritur kulmin në ditët tona e duke na e prezantuar bukurinë ideale me një femër të gjatë dhe me peshë 50 kilogramë. Në të gjitha epokat ku mbijetesa ishte e vështirë, shëndoshja mishëronte arritjen sociale, mirëqenien. Ishte një dëshmi që ti kishe arritur atë që të tjerët nuk e arrinin dot, pra që ishe në gjendje të përballoje jetën. Preferenca për një shëndet jo të tepërt dhe për femrat me trup të imët, u shndërrua në një obsesion të vërtetë. Sot, njerëzit e shëndoshë shihen dhe konsiderohen si persona që nuk e privojnë dot veten nga kënaqësitë e ushqimit e që nuk kanë vullnet të marrin një nismë të tillë. Të mbash peshën tënde nën kontroll, është konsideruar si një tregues i shëndetit, përveçse një detyrim estetik. Edhe në atë kohë, divat e Hollywood-it përdornin dieta ose ndiqnin rrugë të ndryshme për të ruajtur peshën e tyre ideale. Megjithatë, shumë pak e pranojnë. Është njësoj sikur ne të kemi një formë vetëndëshkimi dhe tentojmë të arrijmë një peshë të lehtë, madje ekstreme. Në të vërtetë, të jesh e bukur, por edhe elegante, sot është kthyer në një ide fikse për shumicën e grave dhe vajzave. Ndaj edhe dietat apo trajtimet, të cilave iu nënshtrohen, janë vërtet të shumëllojshme. Le ta nisim nga dietat, të cilat shumë femra, pas palestrës, i shohin si shpëtimin e vetëm për të arritur formën ideale. Në të vërtetë, historia e tyre është e vjetër, por ato filluan të bëheshin më të "pranishme" në dhjetëvjeçarin e fundit të viteve 1800, kur revistat e specializuara filluan ta vinin gjithmonë e më shumë theksin te këmbët dhe vithet me formë, por elegante. Këto "fiksime" kanë arritur ta çojnë femrën deri në anoreksi, duke i shkaktuar dhe vdekjen madje. Sigurisht që ka edhe vlera pozitive, të cilat shoqërojnë dobësimin. Më i rëndësishëm është fakti se duke qenë në rregull me normat e bukurisë, femrat ndihen më të kënaqura e më të vlerësuara. Megjithatë, të qenit e dobët nuk sjell ndonjë mirëqenie, por pak a shumë kontribuon në personalitetin e femrës. Nëse një femër është elegante, ajo mendon se ndihet më e vlerësuar nga gjinia e kundërt. Në fakt, kulti i dobësimit sjell më shumë mërzi se mirëqenie, pasi modelet e propozuara janë të paarritshme nga pjesa më e madhe e femrave. Nga ana mjekësore, trupat e dobët mund t‘i vlerësojmë të bukur, por jo ata anoreksikë. Zakonisht femrat që janë të fiksuara pas bukurisë, u duket sikur janë të dhjamosura, kur në fakt nuk janë. Kjo mani e çmendur për të qenë të dobëta ka përfshirë të gjitha femrat në tërësi, madje duke kaluar deri në ekstrem. Sot, shumë femra vuajnë nga kjo fobi. Në kohën tonë, paraqitja e jashtme ka shumë rëndësi. Marrëdhëniet tona sociale janë të paqëndrueshme, të lehta, e partnerët e dashurisë gjithashtu. Gjithçka përpiqemi ta bëjmë shpejt, të pëlqehemi nga të tjerët, e pse jo t‘i joshim menjëherë ato. E gjithë ekzistenca jonë është e kushtëzuar nga vështrimi i të tjerëve. Problemi qëndron te kriteret e vlerësimit, të cilat janë shumë ekstreme: duhet të jesh shumë e dobët, e re, por gjithashtu duhet të jesh e shëndetshme e të mos vuash nga problemet e ndryshme. Megjithatë, ne jemi të destinuara të sëmuremi, të vuajmë e në fund të vdesim. Por sëmundja më e keqe për femrën është dhe do të mbetet përjetësisht fiksimi për të qenë gjithmonë elegante.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›