E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikani i vë vulën: Ishte aksident

 

trazhgim sokolaj

Më poshtë publikohet raporti i hartuar nga Kevin Teter, eksperti amerikan i policisë së Virxhinias lidhur me hetimet që ai ka zhvilluar për vdekjen e Kosta Trebickës. Raporti në fjalë, i cili është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme dy ditë më parë, hedh dritë mbi vëzhgimet e imëta të bëra nga eksperti amerikan mbi makinën, vendin e ngjarjes dhe skenën e aksidentit. Ekspertiza ka identifikuar shenjat që shpjegojnë daljen e makinës nga rruga, përmbysjen e saj, rënien e kufomës dhe sendeve personale dhe më pas lëvizjen e fuoristradës deri 43 metra larg trupit të Kosta Trebickës. Përmbajtja e ekspertizës së autoteknikut Kevin Teter, paraqet gjithë mekanizmin e provave dhe të ngjarjes, duke vulosur versionin e aksidentit. Raporti i Kevin Teter 
Më datë 19 shtator 2008 mbërrita në vendin e përplasjes së një automjeti, i cili rezultonte në fatalitet. Përplasja kishte ndodhur në një rrugë dytësore me dhe, që vazhdon paralel me rrugën kryesore e që lidh fshatrat Lekas me Voskopojën. Vendi i përplasjes është përafërsisht 3 km në jug të fshatit Voskopojë. Përplasja ka ndodhur më 12 shtator 2008. Përpara mbërritjes sime në vendin e përplasjes më kishin thënë se reshjet e shumta të shiut kishin fshirë shenjat e lëna nga automjeti i përfshirë në aksident. Policia e Shtetit shqiptar kishte kryer hetime paraprake në datën e përplasjes. Unë pashë me kujdes fotot, një video të bërë ditën e përplasjes, si dhe skicat e hartuara nga Policia e Shtetit shqiptar.
Fotot dhe skicat tregonin një automjet “Nissan Patrol” me katër rrota aktive, i cili ndodhej në lindje të rrugës dhe me fytyrë nga jugu. Kishte gjurmë të dukshme që nga vendi i ndalimit të mjetit mbrapsht në drejtim të veriut me drejtim të harkuar deri në rrugë. Në kufirin lindor të rrugës ndodhej një pjesë metali e palosur. Kishte një telefon celular, shishe plastike, një shotgan “Beneli”, pjesë të xhamave të stopave të pasmë të një makine, shishe uji, tre çanta dhe fragmente xhami. Në një distancë të shkurtër ndodhej trupi i viktimës. Viktima ishte shtrirë me kurriz me dëmtime të dukshme në kokë. Viktima ishte i shtrirë pingul me rrugën, me kokën në kufirin perëndimor të saj. Direkt pas anës jugore të trupit të viktimës dhe menjëherë pas kufirit perëndimor të rrugës gjendej një zonë e vogël që përmbante xham të thyer automjeti. Në një distancë të shkurtër në jug nga xhami i thyer i automjetit kishte gjurmë të lakuara që të çonin nga kufiri perëndimor i rrugës mbrapsht në jug. Unë i identifikova këto gjurmë, si gjurmë shmangieje nga karakteristikat e gjurmës së lënë me rrëshqitje. Këto gjurmë lakoheshin nga kufiri perëndimor i rrugës dhe në drejtim të jugut për në pjesën lindore të zonës së uljes së saj. Rruga përbëhej nga dhe me gurë. Konturet e rrugës mund të përshkruhen si një shteg shumë i përdorur nga trafiku i automjeteve. Rruga harkohet lehtë me drejtim poshtë dhe është e anuar në drejtim të lindjes.
Më datë 19 shtator përafërsisht mbërrita në policinë e Korçës. Aty këqyra ekzaminimin e automjetit. Automjeti ishte një “Nissan Patrol”, automjet sportiv me katër rrota aktive dhe ishte në pronësi të viktimës Kosta Trebicka. Nuk kishte vit prodhimi të stampuar. Të gjitha gomat kishin komardare dhe ishin të fryra. Parafango e parë në anën e majtë ishte e shtrembëruar. Mbulesa e parafangos së anës së majtë ishte e shtypur në drejtim poshtë. Goma e përparme e anës së majtë kishte gërvishtje. Rrota e përparme e anës së majtë kishte barë të shtypur ndërmjet gomës dhe diskut. Dera e pasagjerit ishte e shtypur në drejtim brenda në pjesën poshtë dritares. Zona e tavanit të automjetit të anës së pasagjerit ishte e shtypur. Parafango e anës së djathtë ishte e dëmtuar. Xhami i përparmë ishte i thyer në anë e pasagjerit. Një ekzaminim i rripit nuk tregoi evidencë të përdorimit të tij, pasi s’ishte i pastër nga dheu. Leva e frenës së dorës u tërhoq në pozicionin maksimal dhe frenat ishin efektive. Lëngu i timonit hidraulik ishte në nivelin e duhur. Sistemi i drejtimit operonte plotësisht në të dy krahët. Në vazhdim të ekzaminimit, automjeti u ndez dhe u provua për të testuar marrjen e shpejtësisë dhe frenimit. Automjeti mori shpejtësi normalisht dhe të gjitha frenat funksionuan.

Trebicka, ja skema e aksidentit

Trazhgim Sokolaj

Një kthesë e beftë ka ndryshuar përfundimisht fatin e Kosta Trebickës, biznesmenit që denoncoi skandalin ndërkombëtar të tregtisë së armëve Shqipëri-SHBA-Afganistan.
 Devijimi i fortë i makinës në të majtë të rrugës, është bërë shkak për batimin e automjetit dhe gjithçka që ndodhi më pas. Raport-ekspertiza e hartuar nga autotekniku amerikan, Kevin Teter, në gjuhën angleze është përkthyer në shqip menjëherë pasi ka mbërritur në Tiranë. Materiali, në të cilin eksperti i policisë së Virxhinias ka rindërtuar skenën e ngjarjes, është dorëzuar dje rreth orës 09:00 në Prokurorinë e Korçës pasi ishte mbajtur për vetëm 24 orë në zyrën e Kryeprokurores Ina Rama, të cilës iu dorëzua konfidencialisht nga pala amerikane. Dosja ndodhet në duart e grupit hetimor, që po shqyrton përmbajtjen e saj ndërsa Prokuroria e Përgjithshme bëri publike dje argumentet e ekspertit amerikan për mekanizmin e ngjarjes. Raporti është firmosur në prani të një noteri më 23 shtator 2008 nga eksperti amerikan Kevin Teter. Ai qëndroi për pesë ditë në Shqipëri, duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ekspertizën e makinës “Nissan Patrol Kabriolet”, me targa TR 8843 J, e cila u bllokua pas ngjarjes dhe u mbajt e izoluar në policinë e Korçës. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme konfirmuan dje se, raporti i ardhur nga SHBA, është në përputhje të plotë me hetimet e bëra nga pala shqiptare për vdekjen e Kosta Trebickës. Sipas këtyre burimeve, autotekniku amerikan e ka bazuar raportin e hartuar prej tij mbi ekspertizën e makinës së Kosta Trebickës, filmimet, fotografitë në vendin e ngjarjes dhe rrëfimet e dëshmitarëve për pozicionin e kufomës, automjetit dhe sendeve personale të viktimës. Kevin Teter ka hedhur firmën në fund të raportit ku e konsideron vdekjen e Kosta Trebickës si një aksident rrugor.
Mekanizmi i aksidentit
“Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi Kosta Trebicka, 52 vjeç, po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut në aksin Voskopojë-Lekas në Korçë. Gjatë lëvizjes në segmentin rrugor, në kohën kur ndodhej në një rajon disheze të lehtë, shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë. Një fakt i tillë konfirmohet nga të dhënat e marra prej makinës për lëvizjen e timonit dhe sistemit të drejtimit të gomave aktive, si dhe nga shenjat e mbetura në vendin ku automjeti doli nga rruga. Në ekspertizën “amerikane” nuk është saktësuar shpejtësia me të cilën po lëvizte makina në momentin e ngjarjes, pasi kjo pjesë u është lënë në dorë ekspertëve shqiptarë. Megjithatë në raport theksohet se, mënyra e lëvizjes së makinës dhe përmbysja e saj tregojnë se shpejtësia në atë moment ka qenë mbi 60 km/orë. “Kthesa e fortë në të majtë, bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë”, shkruan eksperti amerikan në raportin e tij. Ai vazhdon më tej duke thënë se, “si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe të kalimit të peshës para në të djathtë, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e tavanit”. Edhe ky interval i ngjarjes ku humbi jetën biznesmeni është bazuar pikërisht në këqyrjet për dëmtimet që ka pësuar makina, në shenjat e mbetura në xhamin e makinës, skeletin e saj, si dhe në sipërfaqen e tokës ku janë kryer lëvizjet dhe janë gjetur copat e xhamit të thyer. Kevin Teter, i policisë së Virxhinias shkruan më tej në raportin e tij se, “automjeti u rrotullua në tavanin e tij duke peshuar dhe duke kryer lëvizje mbi shoferin. Makina u kthye mbi rrota dhe u ngul në rrugë”. Ai ka zgjidhur edhe enigmën e gjetjes së makinës rreth 43 metra larg kufomës duke nënvizuar se, “si rezultat i pjerrësisë së rrugës në drejtim të lindjes (zona në krah të djathtë të pikës ku u gjet kufoma dhe sendet e tij personale), automjeti eci mbrapsht (indietro) siç tregohet nga shenjat e gomave, që shkojnë nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit të automjetit”. Lajmërimi i parë në polici për zbulimin e kufomës së Kosta Trebickës në rrugën Lekas-Voskopojë, mbërriti në organet e policisë në orën 13:57 të 12 shtatorit 2008. Trupi i pajetë i biznesmenit bashkë me zogjtë e vrarë në gjueti, çiften e gjahut dhe disa sende personale gjendej në pozicion pushimi 43 metra larg automjetit, me të cilin udhëtonte 52-vjeçari.

Aktekspertimi nga Kevin Teter

Pas një ekzaminimi i të gjitha evidencave që u paraqitën apo u ekzaminuan nga vetë eksperti amerikan rezulton se:

Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut.
Duke dalë në një kthesë në të majtë, shoferi ka bërë një devijim të fortë në të majtë, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë.

Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe të kalimit të peshës djathtas para, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e tavanit.

Automjeti u rrotullua në tavanin e tij mbi shoferin, u kthye mbi rrota dhe u ngul në rrugë.
Si rezultat i pjerrësisë së rrugës në drejtim të lindjes automjeti eci mbrapsht, siç tregohet nga shenjat e gomave që shkojnë nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit të automjetit.

Firmosur nga eksperti autoteknik,
Kevin Teter, në prani të noterit.
23 shtator 2008, Virxhinia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›