E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e gruas, izolohet familja e autorit

 

SHKODER/ Ritvan Dibra

Nën masa të rrepta sigurie nga ana e policisë është zhvilluar ditën e djeshme ceremonia e varrimit të 57-vjeçares Marie Mbrozi, e ekzekutuar të mër-kurën nga nipi i të shoqit. Anton Mbrozi, bashkë me armën e krimit vazhdon të jetë në kërkim, i dyshuar se fshihet në një zonë të thellë malore. Trupi i viktimës, nënë e 6 fëmijëve është përcjellë për në banesën e fundit nga shtëpia e bashkëshortit të saj, me dhimbje e lot nga të afërm, të tronditur nga krimi brenda fisit. Vetëm dy muaj më parë ata kishin përcjellë të vdekur nënën e autorit, 72-vjeçaren Dake Mbrozi për shkak të një vetëvrasje, e cila nuk u pranua nga i biri i viktimës. Duke e cilësuar Marien si vrasësen e nënës, ndonëse ajo i dërgonte bukën çdo ditë, ai e ekzekutoi gruan e xhaxhait në sy të gruas së tij dhe fëmijëve të mitur. Nisur nga fakti se krimi ndodhi brenda të njëjtit fis, burime të policisë së Shkodrës pohuan dje se gjatë ceremonisë së varrimit të Maries shërbimet policore kishin marrë masa e nevojshme duke mbajtur nën kontroll situatën, me qëllim që të evitonin ndonjë precipitim të saj. Në fakt, megjithë masat e marra, nuk është shënuar asnjë incident, duke u respektuar tradita në dhënien e lamtumirës së vdekurës.
Gjithashtu, nga burime policore është mësuar se nga ana e policisë, për t'i paraprirë ndonjë situate të padëshiruar si dhe për efekt sigurie, kanë bërë zhvendosjen e bashkëshortes dhe 4 fëmijëve të autorit të krimit për në drejtim të Lezhës. Mësohet se ata do të strehohen te familjarët e gruas së 36-vjeçarit Anton Mbrozi dhe po mbahen nën vëzhgim.
Kërkimet për të ndaluar autorin, i cili fshihet bashkë me pistoletën e vrasjes kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme nga forcat e policisë si të ato të FNSH-së. Vetë qyteza e Laçit të Vaut të Dejës, ndodhet në një pozicion të tillë ku kufizohet me rrethet e Lezhës dhe të Mirditës, duke e bërë operacionin e kërkimit edhe më të vështirë për efekt të terrenit të thyer malor. Gjithsesi, burimet policore shprehen të sigurt se kapja e autorit të krimit të së mërkurës është çështje kohe, pasi janë marrë të gjitha masat për izolimin e zonës me qëllim bllo-kimin e të gjitha shtigjeve të mundshme nga ku mund të lëvizë ai. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes së kryer me paramendim dhe e armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›