Rreth fondamentalizmit antiberishist
Blendi Kajsiu
Në Shqipëri antiberishizmi është një sëmundje që të zë po aq lehtë ...sa berishizmi. Të dyja janë simptoma simetrike si në formë edhe në përmbajtje. Berishizmi më shumë sesa filozofi është një frymë rreth së cilës organizohet pothuajse i gjithë aksioni politik i Partisë Demokratike sot. Për të Berisha është vetë burimi i legjitimitetit, vlerave, fakteve dhe rregullave të lojës politike. Në diskursin berishist, Berisha është ideali i patriotizmit, i anti-korrupsionit, i ndershmërisë, i së djathtës dhe i demokracisë. Prandaj për berishistët edhe shkeljet apo inkoherencat e Berishës janë të justifikueshme apriori, pasi në një mënyrë mistike ato i shërbejnë ruajtjes së atyre idealeve të cilave vetë Berisha u jep jetë. Ndërsa për diskursin antiberishist, Berisha është sinonim me diktaturën, korrupsionin dhe tradhtinë kombëtare. Nëse për diskursin berishist Berisha është mishërimi i gjithçkaje pozitive në politikën shqiptare, për antiberishizmin Berisha është mishërimi i vetë djallit politik.
Ama të dy këto qasje funksionojnë sipas të njëjtës logjikë. Në të dyja rastet realiteti kompleks politik reduktohet tek veprimet ose mosveprimet e një individi të vetëm, pavarësisht se njëra palë e idealizon Berishën, ndërsa tjetra e anatemon atë. Për pasojë figura e individit Berisha vishet me një tis mistik dhe konspirativ që shkon përtej asaj që mund të shohësh me syrin e lirë, pasi vetëm kështu mund të shpjegohet se si një individ i vetëm arrin të kontrollojë dhe ndikojë gjithçka. Teoritë konspirative u shërbejnë njësoj të dyja palëve. Për berishistët teoritë konspirative shërbejnë për të justifikuar pafajësinë e Berishës; 1997 e bënë shërbimet e huaja sekrete, Gërdecin e bënë shërbimet serbe, Trebickën e vranë klane mafioze që duan të heqin qafe Berishën. Për antiberishistët teoritë konspirative shërbejnë për ta bërë Berishën edhe më të zi se djallin; Berisha është agjent sekret i UDB-së, ai ka hakmarrje personale me Nexhmije Hoxhën, e të tjera banalitete si këto.
Problemi i antiberishizmit është se duke u marrë ekskluzivisht me individin Berisha, ai injoron institucionin Berisha. Nuk është e nevojshme ta shpallësh Berishën tradhtar, agjent të UDB-së apo një Zot e di se çfarë për të kërkuar përgjegjësitë politike te kryeministri Berisha. Është qesharake të përpiqesh ta portretizosh Berishën si një politikan antikombëtar apo të shitur tek serbi, sidomos sot kur PD-ja po realizon rrugën Durrës–Kukës. Është revoltuese ta vlerësosh Sali Berishën nëpërmjet diktatores Nexhmije Hoxha, e cila me prezencën dhe banalitetin e logjikës së saj revolton me dhjetëra mijëra viktima të regjimit komunist. Po aq sa është ofendues barazimi mes regjimit komunist dhe qeverisjes së Berishës sot, për të gjithë ata që kanë vuajtur tmerret e komunizmit dje.
Përpjekja e diskursit antiberishist për ta portretizuar Berishën si një njeri tërësisht të zi në raport me shoqërinë, kombin, familjen, kolegët dhe politikën, është shumë i rrezikshëm për procesin demokratik, pasi ai zhvendos vëmendjen nga standardet e demokracisë te karakteristikat e individit. Në këtë aspekt diskursi antiberishist është tejet i ngjashëm me, dhe po aq problematik sa, edhe vetë diskursi berishist. Në të dyja rastet fokusi është tek individi dhe jo te standardet që duhet të përmbushë ai si politikan. Duke vënë shenjën e barazimit mes Enverit dje dhe Berishës sot, diskursi antiberishist na fton të rrëzojmë një individ dhe jo të vendosim një standard. Në fakt, ne pikërisht këtë bëmë me rënien e regjimit komunist, rrëzuam shumë individë dhe statuja të Enverit, por vendosëm pak ose aspak standarde demokratike. I gjithë regjimi komunist u reduktua te mëkatet e disa individëve, të cilët sot me prezencën e tyre na kujtojnë implikimin tonë si shoqëri në atë regjim dje.
Prandaj është mirë që të mos përsërisim të njëjtin gabim edhe sot. Nuk ka përse të anatemojmë Berishën si njeri, thjesht na duhet të insistojmë te përgjegjësitë e tij si kryeministër. Në vend që të përpiqemi të rrëzojmë Berishën si individ, duke e bërë agjent të UDB-së, vampir, njeri hakmarrës apo djallin vetë, thjesht na duhet të vendosim një standard minimal për kryeministrin. Një standard sipas të cilit kryeministri pas shpërthimit të një katastrofe ku është përfshirë qeveria e tij të mos thotë, si shumë të tjerë para tij, “Nuk e dija”. Jo se diçka e tillë mund të mos jetë e vërtetë, por thjesht sepse injoranca nuk mund të shërbejë si justifikim. Pikërisht këtë nuk bën antiberishizmi. Më shumë sesa vendosjen e një standardi politik, ai synon shkatërrimin e një politikani, duke riprodhuar kështu vazhdimisht berishëra, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë.