Zbulohen dy nenet që kthejnë kancelarët në “kryetarë” gjykatash
Fatos Mahmutaj
Nenet 5 dhe 6 të rregullores “Për administratën gjyqësore”, janë shkaku i konfliktit më të fundit midis togave të zeza dhe KLD-së nga njëra anë dhe Ministrisë së Drejtësisë nga ana tjetër. Neni 5 përmban kompetencat e kancelarit, në Gjykatat e Faktit dhe Apelit, në zbatim të detyrimeve procedurale dhe neni 6 kompetencat në fushën administrative. Specifikimi i këtyre kompetencave sipas togave të zeza, i jep autoritet të tepërt kancelarëve të gjykatave, aq saqë presupozohet se në disa momente merr më tepër kompetenca se kryetarët e gjykatave. Duke pasur kompetencë kryesore emërimin dhe shkarkimin e administratës gjyqësore, ndërsa vetë emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, togat e zeza pretendojnë se kancelari merr kompetenca të tepërta dhe që dëmtojnë sistemin e drejtësisë.
Rregullorja
Sipas togave të zeza rregullorja “Për administratën gjyqësore”, e cila është kompetencë e ministrit të Drejtësisë nuk sqaron qartë, por lë sërish në vakum, lidhjen midis kancelarit dhe kryetarit të gjykatës. Sipas kësaj rregulloreje, në rast konflikti midis kryetarit të gjykatës dhe kancelarit, ligji anon nga ana e kancelarit, ndërsa nuk përcaktohet se në ç’mënyrë do të zbatohen urdhrat dhe vendimet e KLD-së për administratën gjyqësore. Po kështu në këtë rregullore, roli i kryetarit të gjykatës përsa i përket buxhetit të institucionit anashkalohet, duke ia dhënë kompetencat kancelarit. Togat e zeza, të cilët e kontestojnë ashpër rregulloren, në mbrojtje të rolit të kryegjyqta-rëve, pohojnë se në mjaft pika, kjo i jep kancelarëve raporte detyruese duke shkaktuar konflikt juridik.
Draftet
Po kështu më parë togat e zeza, nëpërmjet dy shoqatave të tyre kanë kontestuar edhe ligjin “Për gjyqësorin”, i cili u miratua në shkurt të këtij viti, si dhe draftin “Për administratën gjyqësore”. Projektligji për administratën është rrjedhojë e ligjit të gjyqësorit, ndërsa prej tij ka rrjedhur rregullorja e administratës. Shoqatat e togave të zeza kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese pjesë të ligjit të gjyqësorit, përsa i përket kompetencave të kancelarit të gjykatave dhe për rrjedhojë goditen juridikisht edhe drafti për administratën dhe rregullorja e administratës. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë i cili i mbron të dyja draftet, atë për administratën dhe rregulloren, pohon se këta ligje, përveçse specifikojnë qartë kompetencat e punonjësve të administratës së gjyqësorit, iu japin atyre status, çka nënkupton ngritje të nivelit profesional të tyre, e cila pritet të reflektohet në nivelin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Po kështu sipas ministrit, kancelari i gjykatave pozicionohet saktë në rolin e vet në krye të administratës, duke i shërbyer më mirë togave të zeza, të cilëve nuk u ndërhyn aspak në dhënien e drejtësisë, por përkundrazi i ndihmon.
Alibeaj: Reforma po keqkuptohet nga politika dhe grupet e interesit
SHKODËR- “Testi i vetëm me të cilin duhet të maten institucionet e drejtësisë, duhet të jetë - Respekti ndaj individit. E për fat të keq në Shqipëri akoma nuk ekziston ky fenomen, prandaj duhen ndërmarrë reforma në këto institucione”. Ka qenë kjo deklarata e bërë para mediave nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në Shkodër, në seminarin zhvilluar me rastin e 60-vjetorit të Kushtetutës italiane. Kjo deklaratë e ministrit Alibeaj ka shërbyer edhe si përgjigje e deklaratave të grupeve të interesit në drejtim të ministrisë, të cilët kanë pohuar se po “cenohet pavarësia e këtyre institucioneve nga kjo ministri”. Sipas Alibeajt, Prokuroria dhe Gjykatat duhet t’ua bëjnë jetën sa më të lehtë qytetarëve. Më tej ministri ka pohuar se, “në rast se institucione të tilla, si Prokuroria, Gjykatat, sipas perceptimit të njerëzve kanë respekt për individin, atëherë çdo iniciativë reformuese, ekzekutive do të jetë e dështuar. Por në qoftë se është e vërtetë që institucione të tilla të pavarura, Prokuroria, sistemi gjyqësor apo çdo institucion tjetër i pavarur, ka dështuar në mënyrë dramatike ndaj qytetarëve, atëherë reformat janë të domosdoshme dhe reformat do të vazhdojnë”. Më tej ministri ka pohuar se Kushtetuta shqiptare është keqkuptuar nga klasa politike shqiptare, si dhe nga ato që perceptojnë politikë. Ndërsa për reformën e ndërmarrë në sistemin e drejtësisë, Alibeaj i ka cilësuar si keqkuptime të klasës politike dhe të aktorëve të interesit. “Gjithçka ndodh për një keqkuptim të vetëm; keqkuptime të mëdha kushtetuese. Gjithë historia e fundit e këtij vendi entuziast dhe demokratik, nuk është gjë tjetër veçse keqkuptim i madh kushtetues. Keqkuptim i madh kushtetues politik çështja e prokurorit, çështja e Prokurorit të Përgjithshëm. U desh shumë kohë që një parlament të vendoste në vend një të drejtë të tij. E veshur me ambicie politike, e veshur me emocion politik, e në fund të fundit çfarë ishte?! Një respektim i qartë dhe i saktë i atyre çfarë Kushtetuta thoshte. Jemi një Republikë Parlamentare, që Kushtetuta ka urdhëruar”, deklaroi Alibeaj. r.d
Platforma
Neni 5
Kompetenca të Kancelarit në zbatim të detyrimeve procedurale
1. Kancelari ushtron këto detyra në zbatim të detyrimeve procedurale:
a) Mbikëqyr procesin e organizimit të shortit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore tek gjyqtari i caktuar.
b) Ndjek ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore, në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligj.
c) Informon kryetarin e gjykatës dhe gjyqtarët përkatës lidhur me ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore.
d) Merr masa dhe ndjek realizimin e marrëdhënieve procedurale me Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë.
e) Kontrollon përcaktimin e shpenzimeve gjyqësore.
f) Kryeson komisionin për asgjësimin e provave materiale ose dorëzimin e tyre tek personi i caktuar në vendimin e gjykatës.
g) Merr masa dhe kontrollon realizimin e detyrave nga nëpunësi gjyqësor, lidhur me kryerjen e njoftimeve procedurale, si dhe përmbushjen e urdhërimeve të gjykatës lidhur me zhvillimin e gjykimit.
h) Dërgon për njoftim dhe ekzekutim vendimet penale dhe civile të dhëna nga gjykata.
i) Lëshon, vërteton dhe nënshkruan akte procedurale që dalin nga gjykata.
j) Nënshkruan të gjitha aktet procedurale sikurse janë:
i. Vendimet gjyqësore që marrin formë të prerë;
ii. Vendime përfundimtare dhe të ndërmjetme që dërgohen për ekzekutim;
iii. Ekstrakte, fotokopje të vërtetuara me origjinalin që dalin nga gjykata;
iv. Të gjithë aktet e tjera që lëshohen nga gjykata, përveç nënshkrimit të krijuesit të aktit, nënshkruhen edhe nga kancelari.
Neni 6
Kompetencat e Kancelarit në fushën administrative
Kancelari ushtron këto detyra në fushën administrative:
1. Në bashkëpunim me kryetarin e gjykatës harton çdo fillimviti planin e punës për drejtimin administrativ të gjykatës.
2. Harton projektbuxhetin e vitit të ardhshëm financiar.
3. Ndjek dhe mbikëqyr zbatimin e buxhetit vjetor të gjykatës.
4. Mbikëqyr regjistrimin e kërkesave të paraqitura në gjykatë në regjistra të veçantë, sipas objektit të tyre.
5. Mban përgjegjësi dhe kujdeset për përdorimin e vulave të gjykatës edhe kur ajo me delegim nga kancelari, përdoret nga punonjës të caktuar të administratës gjyqësore.
6. Kujdeset për afishimin në ambientet e paracaktuara të gjykatës së rrethit gjyqësor dhe të Gjykatës së Apelit të listës së gjykimeve dhe të akteve procedurale të parashikuara me ligj.
7. Evidenton numrin e çështjeve në proces, çështjeve të pezulluara, çështjeve të përfunduara, çështjeve të ankimuara për çdo gjyqtar dhe të dërguara në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë, si dhe çështjet e kthyera për rigjykim, të lëna në fuqi, të prishura, të pushuara dhe informon çdo muaj Ministrin e Drejtësisë.
8. Plotëson statistikën gjyqësore.
9. Mbi bazën e të dhënave statistikore, harton informacionin statistikor, i cili çdo tre muaj i dërgohet Ministrit të Drejtësisë.
10. Mban librin e mbledhjeve të gjykatës.
11. Plotëson regjistrat për vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve.
12. Krijon dosje për vendimet e prishura nga çdo gjyqtar i gjykatës përkatëse.
13. Administron regjistrin dhe dosjet personale të personelit administrativ të gjykatës, të cilat duhet të përmbajnë të dhëna profesionale dhe të karrierës të çdo punonjësi të administratës së gjykatës, si dhe vlerësimet e punës dhe aktet mbi masat disiplinore.
14. Kujdeset për çështjet e etikës dhe paraqitjes së personelit të administratës gjyqësore, gjatë dhe jashtë pjesëmarrjes në gjykim.
15. Siguron për punonjësit kushte normale dhe të përshtatshme pune në përputhje me aktet ligjore përkatëse.