Kushtetuesja: Jo shoqatës së gjyqtarëve
BLEDAR HOTI
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve për pezullimin e ligjit “Për organizimin e Konferencës Gjyqësore”. Nga dy kërkesa të paraqitura nga kjo shoqatë, 9 gjyqtarët e Kushtetueses e kanë cilësuar si të pabazuar kërkesën për pezullimin e ligjit, derisa të shprehej për kushtetutshmërinë e tij. Përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve (SHKGJ) Klodian Rado, së bashku me avokat Vangjel Kostën, e cilësuan si mjaft të rëndësishme pezullimin e zbatimit të ligjit, gjersa të merrej një vendim përfundimtar për ligjin për mënyrën e funksionimit të Konferencës Gjyqësore. Kryetari i Gjykatës, Vladimir Prifti, bëri të ditur se trupa e gjyqtarëve pasi shqyrtoi kërkesën e SHKGJ-së për pezullim të ligjit, njëzëri vendosi rrëzimin e kësaj kërkese, me argumentin se ajo nuk prek interesa të rëndësishëm shtetëror”. Ndërsa për kërkesën e dytë për antikushtetutshmëri, gjykata pritet të marrë një vendim përfundimtar në një kohë sa më të shpejtë.
Pretendimet
Shoqata pretendon se ligji i miratuar nuk është votuar nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar të votave, por me 50 plus 1 të numrit të të gjithë deputetëve. “Ligji i sipërcituar është miratuar me një shumicë të thjeshtë parlamentare, në një kohë që duhet të ishte miratuar me shumicë të cilësuar, pasi Konferenca Gjyqësore është organ i përmendur nga Kushtetuta në kreun e saj ‘Gjykatat’. Kësisoj dhe ligji i organizimit dhe funksionimit të saj është një ligj kushtetues, i cili duhet të miratohej me shumicë të cilësuar”, deklaroi Rado. Por kjo, sipas kërkuesit, ishte vetëm ana procedurale që bënte ligjin antikushtetues.
Ai ka theksuar se “ligji në thelbin e vet prek pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe nuk përfaqëson vullnetin e gjithë gjyqtarëve të RSH”. Sipas tij, pjesëmarrja në Konferencën Gjyqësore e anëtarëve ex-office (gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët e Gjykatave të Apelit dhe të shkallëve të para) lejon mundësimin e ndikimit të Ekzekutivit mbi pushtetin e pavarur të gjyqësorit”. Më tej kërkuesi ka argumentuar para trupës së gjyqtarëve se ligji ishte jo demokratik dhe nuk respektonte parimin e barazisë dhe proporcionalitetit, pasi në Konferencën Gjyqësore janë pjesëtarë të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, por Gjykata e Rrethit të Tiranës, e cila ka rreth 50 gjyqtarë, përfaqësohet në konferencë me 10 gjyqtarë. SHKGJ-ja e vlerësoi ligjin si antikushtetues dhe kërkoi rregullimin e tij, jo vetëm për faktin se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe që vetëm bashkëpunon, por nuk ndërhyn dhe interferon kompetenca me pushtetet e tjera. Gjithashtu Rado e ka quajtur të rëndësishëm shfuqizimin e këtij ligji dhe për faktin se Konferenca Gjyqësore është një organ i rëndësishëm i pushtetit gjyqësor, për sa kohë nga mbledhja e saj dalin 9 anëtarë të KLD-së, numër i konsiderueshëm për vendimmarrjen e KLD-së. Përfaqësuesi i Kuvendit në seancë, Lulzim Lelçaj, nuk ishte dakord me gjykimin në Gjykatë, pasi kjo shoqatë nuk përfaqëson interesat e gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë, por vetëm të një pjese të tyre. Ai deklaroi nga ana tjetër se, “shoqata nuk mund të ngrijë para GJK-së procedurat e miratimit të ligjit, por vetëm thelbin e tij”. Ai nuk e quajti ligjin antikushtetues dhe deklaroi se mungesa e tij, në rast të shpalljes antikushtetues të këtij ligji do të krijonte boshllëk ligjor. Por një gjë e tillë u kontestua nga përfaqësuesit e Shoqatës së Gjyqtarëve.
Në dhjetor zgjidhen tre anëtarët e KLD-së
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve në kërkesën e tyre kërkuan pezullimin e zbatimit të ligjit, pasi në dhjetor pritet të zgjidhjen tre anëtarët e KLD-së. Përfaqësuesi i SHKGJ-së, Rado, nisur nga ky fakt kërkoi që “Gjykata Kushtetuese të shprehej sa më shpejt që të ishte e mundur për faktin se në dhjetor të këtij viti do të mbahet Konferenca Gjyqësore, e cila do të zgjedhë 3 anëtarët e KLD-së, të cilëve u mbaron mandati”. Por argumenti i dhënë duket se nuk i ka mjaftuar për të bindur gjyqtarët e gjykatës më supreme në Shqipëri, të cilët e kanë cilësuar si të pamjaftueshme, duke e rrëzuar kërkesën e parë të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve. Sipas burimeve mësohet se Kushtetuesja pritet të shprehet zyrtarisht për kërkesën e dytë brenda një afati kohor sa më të shkurtër. Gjykata Kushtetuese në bazë të përllogaritjeve ka dy muaj afat për të dhënë një vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë ose jo të ligjit “Për Konferencën Gjyqësore”.