E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikë, zbulohet vrasësi i biznesmenit Zef Vulaj

Policia e Nju Jorkut ka identifikuar dhe arrestuar nipin e viktimës, Marash Gjocaj, i cili ishte ortaku i tij në biznese

Arrestohet në Amerikë vrasësi i vëllait të ish- kryetarit të këshillit Shqiptaro- Amerikan, Martin Vulaj, në vitin 2004. Vrasësi është nipi i viktimës, Marash Gjocaj, i cili njëkohësisht kishte edhe lidhje biznesi me Zef Vulaj. Mediat amerikane kanë raportuar dje se arrestimi i Gjocaj është bërë sapo ai ka dalë nga bugu ku kishte vuajtur një dënim prej 11 muajsh për rrahje. Tashmë ai do të përballet me akuzën tjetër të vrasjes dhe shkatërrimit të kufomës së xhaxhait të tij katër vite më parë.

Sipas policisë amerikane, Marash Gjocaj akuzohet se ka qëlluar me armë xhaxhanë e tij Zef Vulaj, me të cilin ka pasur edhe marrëdhënie biznesi. Të dy ishin bashkëpronarë në restorantin e quajtur “Gusto” në Danbury. Madje pas vrasjes ai ka tentuar që të shkatërrojë kufomën duke e ndarë atë në shtatë pjesë. Këto pjesë janë gjetur nga vullnetarët, të cilët rastësisht po bënin pastrimin e zonës. Zef Vulaj është i njohur edhe si Joe Vuli dhe ka qenë pronari i disa restoranteve në zonën e Nju Jorkut. Policia pohoi se në kohën e zhdukjes ai jetonte së bashku me Gjocaj por ky i fundit i ka thënë policisë se nuk kishte dijeni ku ndodhej xhaxhai. “E kam parë për herë të fundit tek lokali jonë dhe ishte duke pirë në banak. Nuk di se ku mund të ketë shkuar”,- ka thënë Gjocaj në fillim të prillit të vitit 2004 teksa Vulaj ishte cilësuar si person i humbur. Por disa ditë më pas, më dhjetë prill, Martin Vulaj denoncoi zhdukjen e vëllait dhe vullnetarët gjetën trupin e tij. Në atë kohë, shefi i policisë së Bedfordit, u shpreh se Vuli u identifikua nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, të marra nga pjesët e trupit që u gjetën nga vullnetaret. Në pjesët e trupit të Vulit janë gjetur, sipas policisë, të paktën dy plumba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›