Zhduket në mënyrë misterioze emigranti 27- vjeçar
VLORË- Ka ardhur për pushime në shtëpi, por vetëm tre ditë ka ndenjur me familjarët e tij për tu zhdukur më pas pa lënë asnjë gjurmë. Kjo është historia e një emigranti 27- vjeçar, i cili është rikthyer në fshatin e tij, në Mallkeq të Vlorës, por duke lënë pas kësaj një enigmë, por edhe alarmuar familjarët. Baki Idrizi është kthyer nga Greqia 13 ditë më parë së bashku me vëllanë e tij 17- vjeçar, me të cilin jetonte në Greqi dhe familjen e motrës së vet. Në shtëpinë e emigrantëve gëzimi ka qenë i madh, pas ribashkimit të familjes, por kjo ka zgjatur vetëm tre ditë. Mëngjesin e 10 ditëve më parë, 27- vjeçari ka kryer së bashku me të atin punët e zakonshme të mëngjesit në fshat, ku janë marrë me bagëtinë dhe një fqinj i ka thirrur për kafe. I ati është nisur përpara dhe djali i ka thënë ja erdha. Ky ka qenë komunikimi i fundit i 27- vjeçarit me familjen e tij. Pas kësaj asnjë gjë nuk dihet rreth tij. Në shtëpi ka mbetur celulari, pasaporta dhe gjithë sendet e tij personale, ndërsa familjarëve u ka mbetur vetëm meraku nga kjo ikje e beftë.
“E prisnim të martohej. Në shtëpi kishim filluar përgatitjet e dasmës, e cila ishte vendosur në datën 21 shtator. Po mendonim si të rregullonim gjithçka dhe tani nuk dimë kujt t’i drejtohemi për të gjetur djalin. Nuk ka pasur asnjë konflikt. Shikonte punën e tij dhe ishte mjaft i rregullt. Nuk i ka thënë askujt se kishte ndonjë problem, as të vëllait të tij që ishin në Greqi bashkë, askujt tjetër. Nuk dimë që ta kërcënonte gjë, por jemi të alarmuar për fatin e tij”,- thotë xhaxhai i tij, Daut Idrizi. Pak ditë më parë, familjarët të tmerruar se largimi kishte zgjatur shumë kanë njoftuar dhe organet e policisë. Inspektori i zonës ka qenë i pari që ka marrë kontakte me familjarët, ka pyetur ata, të fejuarën, por nuk është arritur të kihet asnjë e dhënë më shumë.
27- vjeçari prej gjashtë vjetësh ka qenë emigrant në Greqi, të cilin e ka bërë me ndërprerje, ku është rikthyer disa herë në shtëpi, për rregullimin e saj. Së fundmi ai është kthyer 13 ditë më parë, ku do të kryente përgatitjet e dasmës, ndërsa për familjarët është mister zhdukja, duke iu trembur ndonjë rrëmbimi të mundshëm, apo fatkeqësie tjetër. Ata mohojnë që 27- vjeçari të ketë probleme mendore dhe tani janë në pritje të një përgjigjeje nga policia.