Policia arreston zjarrvënësin e Himarës
VLORË- Pas shuarjes së zjarreve në zonën e Himarës, dje është zbuluar edhe raporti i dëmeve. Të dëmtuara janë kryesisht kullota, pyje dhe rrënjë ullinj. Sipas shefit të sektorit të parandalimit dhe mbrojtjes nga zjarri në prefekturën e qarkut, Petrit Çarçani, në Himarë si pasojë e zjarreve të rëna rezultojnë të dëmtuara 20 hektarë kullota dhe tre hektarë ullishte. Për eliminimin e plotë të vatrave të zjarrit në këtë zonë përveç forcave zjarrfikëse, e forcave të policisë, ka shkuar në ndihmë nga ajri dhe një avion, pasi era e fortë ka ndihmuar në përhapjen e flakëve dhe shumëfishimin e vatrave. Policia e Vlorës ka arrestuar edhe personin që shkaktoi zjarrin në Himarë. Ai është 30- vjeçari Savo Mato, banues në lagjen “1 Maji” të Himarës. Në këtë zonë janë shkaktuar edhe dëmet më të mëdha nga zjarri. Një situatë tjetër e rëndë është krijuar në rrugën nacionale Vlorë-Fier, pranë ndërmarrjes së kripës. Zjarri ka përfshirë në orët e mbrëmjes së djeshme të dy anët e rrugës dhe veç dëmtimeve në rrënjë ullinj, është ndërprerë qarkullimi përgjatë segmentit, për të evituar rrezikun e dëmtimit të automjeteve. Siç mësohet një prej automjeteve ka tentuar të kalojë, ndërsa është ndaluar për të mos rrezikuar nga zjarri.