Sondazh
Edmond Tupja
Në këtë periudhë të nxehtë qershori (edhe si muaj fillimvere, edhe si muaj fushate zgjedhore), një nga fjalët e përdorura më dendur në mediat e shkruara e në ato elektronike, është termi “sondazh”, parazgjedhor, sigurisht. Publiku i gjerë shqiptar, i apasionuar pas lojës së zgjedhjeve parlamentare, i ka sondazhet po aq të nevojshme, në mos më ...shumë, sa ajri që thith, uji që pi dhe ushqimi që ha. Pas çdo sondazhi të botuar, debatet, diskutimet e muhabetet bëhen edhe më të zjarrta aq më tepër që, gjithmonë sipas sondazheve, dy partitë kryesore janë, siç thuhet në të folmen e garave automobilistike, “rrotë më rrotë”. Por, të paktën nga këndvështrimi im prej gjuhëtari, do të ishte interesant sikur të realizohej një sondazh për të parë nëse bashkatdhetarët e mi e dinë nga na vjen në shqipe pikërisht vetë termi “sondazh”. Falë një sondazhi të tillë, ndokush, femër a mashkull, do të mësonte se ky term vjen nga folja “sondoj”, e cila, vetë, vjen nga emri “sondë”. Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (2006), termi “sondë” ka tri kuptime: 1. pajisje [...] me një kokë të posaçme për shpime të thella në tokë [...] 2. vegël si gyp i hollë [...] që futet në një organ të trupit për diagnostikim a për mjekim. 3. pajisje e posaçme që lëshohet në ujë ose ngrihet në ajër [...] me qëllime studimi. Pra, thënë thjesht fare, bëhet fjalë për diçka si tub që ka një kokë të veçantë e që hyn diku thellë, madje edhe në ndonjë organ të trupit të njeriut, mashkull a femër qoftë ky, për të kryer diçka.
Duke u nisur e u frymëzuar nga këto të dhëna leksikografike, por pa dashur t’i erotizojmë ato, mund të pohojmë se, gjatë kësaj fushate zgjedhore, sonduesit fusin në mendjen e të sonduarve, në mënyrë të figurshme, natyrisht, sondën e pyetjeve të tyre, falë të cilave hetojnë paraprakisht mendimet dhe qëndrimet e këtyre për të nxjerrë disa përfundime, përpunimi inteligjent i të cilave u jep mundësinë të parashikojnë, me një koeficient gabueshmërie të ulët, se sa për qind të votave do të marrë secila parti në garë.
Problemi i sondazheve në Shqipëri është se kemi të bëjmë me një praktikë fare të re që kërkon sinqeritet nga ana e të sonduarve, por edhe ndershmëri nga ana e sonduesve. Sinqeriteti nga ana e të sonduarve nuk ka përse të mungojë sepse, të paktën, lirinë e të shprehurit hapur të mendimit e gëzojmë tashmë (kryekëput ndryshe nga anketat e periudhës së monizmit hoxhist); kurse lidhur me ndershmërinë e sonduesve, gjërat mund të koklaviten sado pak. Po shpjegohem:
Prej mjaft dekadash, pranohet nga një numër sociologësh se çdo lloj sondazhi mund të ketë atë që frëngjtë e quajnë “effet pervers”, domethënë “pasojë e mbrapshtë”; kjo vëzhgohet sidomos te sondazhet e tipit “mikrofon në trotuar”, objektiviteti i të cilëve shpesh vihet në pikëpyetje; gjithsesi, më shqetësues duket fakti që në ndonjë shtet demokratik perëndimor herë pas here vendoset – fatmirësisht për periudha shumë të shkurtra – një lloj diktature e sondazheve parazgjedhore: falë interpretimit tendencioz të të dhënave të tyre, rrezikon të manipulohet votshmëria e zgjedhësve duke krijuar lëkundshmëri në radhët e tyre, shmangie nga vullneti i tyre fillestar, kalim nga njëri krah politik në tjetrin, venitje dëshire për të votuar ose, në të kundërt, ngjallje dëshire në këtë drejtim. Përvoja ndërkombëtare tregon se në disa raste ky manipulim ka pasur rezultate deri diku të ndjeshme. Sikur të ndodhte kështu në zgjedhjet e 28 qershorit, mund të përfitonte aksh parti e vogël në kurriz të të tjerave po aq të vogla sa edhe ajo, ose të përfitonte njëra nga dy partitë e mëdha, ndërkohë që shanset fillestare ishin për tjetrën, gjë që, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare si edhe pas një analize shumëfaktorëshe të situatës parazgjedhore, do të dëmtonte, dashur pa dashur, besueshmërinë te sonduesit. Përse kështu? Thjesht sepse kur sondazhet kontribuojnë qoftë edhe një për qind në kushtëzimin tinëzar të të sonduarve, kjo do të thotë që diku – poshtë apo lart, majtas apo djathtas, pak rëndësi ka – konceptuesit e sondazheve kthehen, qoftë edhe tërthorazi, nga SONDUES të mendjeve e të ndërgjegjeve në SUNDUES të tyre.