Në pritje të një takimi elektoral në Gjirokastër

Petriti, një meso burrë rreth të 60-tave, baba i 4 fëmijëve të rritur, i veshur i tëri me flamurin kombëtar mbante në dorë flamujt e NATO-s dhe PD-së teksa qëndronte në sheshin qëndror të qytetit jugor të Gjirokastrës. “Kam udhëtuar nga një fshat i komunës së Lunxhërisë, rreth 17 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, për të qenë në këtë takim elektoral me Kryeministrin Berisha”, thotë Petriti, teksa shton se për të ardhur deri në qendër të lagjes “18 Shtatori” i është dashur vetëm 20 minuta, nga një orë e gjysmë kur i duheshin përpara tre vjetësh. Petriti është një nga disa mijëra banorët që kishin mbushur sheshin për të marrë pjesë në takimin elektoral që Kryeministri Berisha zhvilloi mbrëmjen e kaluar në qytetin e Gjirokastrës. Pak më tutje, disa emigrantë që ishin nisur nga Greqia drejt Përmetit, kanë preferuar të ndalojnë për të parë nga afër fushatën elektorale të Partisë Demokratike. Artion Kostandini, një djalosh rreth të 30-tave me origjinë nga Korça, por që prej dekadash jeton në rrethin e Përmetit, e ka cilësuar të sukseshme qeverisjen e djathtë. “Babai im, që jetonte në Greqi prej vitit 1990, ka 3 vjet që është kthyer nga emigracioni dhe ka preferuar të jetojë 17 kilometra larg qytetit të Përmetit, në fshatin Petran”, thotë Artioni. Ai tregon se prej 3 vjetësh i ati ka përfituar nga programi “Mbështetje për prodhimin bujqësor" një fondiprej 1.7 milionë lekësh nga qeveria. “Subvencioni i ka bërë prindërit e mi ta harrojnë kurbetin dhe të punojnë në tokat e tyre”, thotë ai. Gëzim Beqiri, me origjinë nga Mashkullora dhe profesion fotograf, ndalet tek investimi për rrugën e re kombëtare Gjirokastër-Tepelenë, prej së cilës ka përfituar dhe ai vetë.“Pesë vjet më parë trualli që kisha në pronësi nuk kishte asnjë vlerë monetare. Asnjë individ nuk u afrua të bënte pazar, por sapo qeveria përfundoi rrugën e re Gjirokastër-Tepelenë, vlera e saj u shumëfishua dhe një biznesmen e ka blerë tashmë për të ngritur një biznes”, të shpjegon Gëzimi. Ai e cilëson këtë fakt një shenjë të mirë për zhvillimin ekonomik të Jugut të vendit. “Qyteti i Gjirokastrës ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit se çdo vit shoh se si rritet numri i turistëve vendas dhe të huaj”, shton Gëzimi.
...