E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amir Sopës i vërtetohet aktgjykimi për terrorizëm

Gjykata Supreme, përmes trupit gjykues të përbërë prej dy gjykatësve të EULEX-it dhe tre gjykatësve vendës dhe i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it, e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës të shqiptuar kundër Amir Sopa i akuzuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

“Trupi gjykues i Gjykatës Supreme e refuzoi ankesën e paraqitur nga avokati i të pandehurit dhe e vërtetoi vendimin e shkallës së parë. Trupi gjykues bëri një ndryshim të përcaktimit juridik në vendim për të përfshirë pikën e posedimit të paligjshëm të armëve nën pikën e terrorizmit”, thuhet në një njoftim të EULEX-it.

Amir Sopa është shpallë fajtor nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës dhe atij i është shqiptuar dënimi i rëndë me dhjetë vite e një muaj burgim për dy pika të terrorizmit dhe të posedimit të paligjshëm të armëve.

Sopa është akuzuar për shkrimin e një letre kërcënuese drejtuar ish-kryetarit të Prishtinës në emër të komandantit të Armatës Kombëtare Shqiptare, organizatë terroriste, dhe për hedhjen e një predhe meqë rast e kishte dëmtuar ndërtesën e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror publik i Prokurorisë së Shtetit të Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›