E Diel, 1 Nëntor 2026

IBM ndryshe nga koncepti i KE'së për Ballkanin Perëndimor

Marrëveshja për menaxhimin integruar të kufijve me Serbinë që pritet të filloj më 10 dhjetor, dallon nga ajo që Komisioni Evropian ka përcaktuar si koncept për vendet e Ballkanit Perëndimor. Burime të Radio Kosovës thonë se marrëveshja për menaxhim të integruar lë jashtë dy nga çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me IBM-në: çështjen e përcaktimit të vijës kufitare dhe njohjen e dokumenteve shtetërore.

Në pikat kufitare me Serbinë, me 10 dhjetor, nuk do të zbatohen fillimisht standardet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për Menaxhim të Integruara të Kufijve, të tilla që vlejnë për vendet tjera.

Sipas burimeve brenda segmenteve të përfshira në menaxhim kufijve, doganave dhe policisë kufitare, marrëveshja lehtëson lëvizjen, por nuk i përgjigjet nocionit që përfshin bashkëpunimi bilateral të shërbimeve kufitare në të dy anët e kufirit.

Kjo për faktin se Kosova dhe Serbia nuk e kanë të përcaktuar vijën kufitare dhe Serbia nuk i njeh dokumentet kosovare dhe institucionet e vendit për të zhvilluar bashkëpunim për luftimin krimit dhe sigurinë e kufijve.

I tërë komunikimi rreth kësaj nga pala kosovare është thënë se i lihet misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit.

Autoritet në Kosovë nuk e kanë publikuar akoma tërë materien e marrëveshjes, përderisa ajo vazhdon të interpretohet në mënyra të ndryshme në Kosovë dhe Serbi.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë folur për detajet e marrëveshjes vetëm kanë konfirmuar se ajo do të fillojë me 10 dhjetor në dy nga pesë vendkalimet kufitare me Serbinë.

Ndërsa, mediat në Serbi citojnë kryeministrin Ivica Daçiq të ketë thënë se serbët e veriut do vazhdojnë të kalojnë kufirin me dokumente dhe tabela të vjetra të makinave, të lëshuara nga Serbia dhe nuk do të paguajnë doganë për mallrat që fusin në Kosovë.

Gjithashtu ai citohet të jetë kërcënuar që nëse autoritetet kosovare ‘nuk i përmbahen këtij qëndrimi, Serbia do të suspendojë njëanshëm marrëveshjen e arritur”.

Menaxhimi i integruar i kufijve sipas konceptimit të Komisionit Evropian nënkupton bashkërendimin dhe bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve të përfshira në sigurinë kufitare.

Këto segmente mundësojnë lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitalit si dhe vendosjen e një sistemi efikas të menaxhimit të integruar të kufirit. Kjo me qëllim që të arrihet synimi i përbashkët i kufijve të hapur, por të kontrolluar mirë dhe të sigurt. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›