Nisi punimet Samiti i Budvës
Presidentja Atifete Jahjaga, në takimet e ndara me Presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, bisedoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit dhe për krijimin e lehtësive për qytetarët e këtyre vendeve.
Në takimet bilaterale Presidentët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor theksuan faktin se e ardhmja e përbashkët është integrimi në strukturat euro-atlantike dhe u vlerësua se rruga e integrimeve është më e lehtë duke bashkëpunuar ndërmjet vete.
Gjithashtu u diskutua për projektet e përbashkëta rajonale në infrastrukturë që do të mundësonte qarkullimin e lirë të mallrave dhe qytetarëve dhe do të ndihmonte vendet e rajonit të Ballkanit që të dalin së bashku në tregjet e treta.
Presidentët e katër vendeve pjesëmarrëse në Samit vlerësuan se fqinjësia e mirë është e një rëndësie të veçantë dhe theksuan faktin se Samiti do të duhej të zgjerohej edhe me pjesëmarrjen e shteteve të tjera, përfshirë edhe Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën që do të ndihmonte në relaksimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor.
Samiti i Presidentëve të katër shteteve të rajonit të Ballkanit po vazhdon me takimin e multilateral.
Jahjaga në Budvë, në Samitin e presidentëve të rajonit
Në Budvë të Mali të Zi, sot i fillon punimet Samiti i katërt i presidentëve të shteteve të rajonit, me temën ”Bashkëpunimi drejt zhvillimit-sfida dhe përgjigje”, ku do të merrr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Podgorica zyrtare ka njoftuar se presidenti serb Tomislav Nikolic, nuk do të marrë pjesë në samit për shkak të lirimit të Haradinajt nga Tribunali i Hagës.