Amnesty International: Dhuna ndaj femrave dhe trafikimi mbeten shqetësim
Dhuna në familje dhe trafikimi i qenieve njerëzore mbeten probleme serioze në Shqipëri. Ky konstatim është bërë në raportin vjetor të organizatës “Amnesty International” (AI), e cila publikoi monitorimin për të drejtat e njeriut në të gjithë globin për vitin 2009. Për rastin e Shqipërisë, “raportohet në mënyrë rritëse për dhunë të grave në familje dhe shtim kërkesash për mbrojtje ligjore, megjithëse paditë tërhiqen më vonë”. Raporti për vitin 2009 konstaton se gjatë vitit të kaluar janë shënuar 990 raste të dhunës në familje, ku shumica dërmuese e tyre janë femra. Ndërsa gjykatat kanë lëshuar 640 vendime për mbrojtje pas denoncimeve për keqtrajtime. Rasti tipi është ai i Lirie Nezirit në Pukë, e cila ra viktimë e dhunës së bashku me katër fëmijët nga kryefamiljari. Pas denoncimit të media ajo u strehua në një qendër sociale në Shkodër.
Sipas raportit, “ka të arrestuar dhe të hetuar për trafikimin e femrave, duke i përdorur me detyrim për prostitucion”. Duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Shqipëria klasifikohet vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore, AI thekson se “mbyllja e hetimeve mbetet në numër të paktë, pasi viktimat kanë frikë nga trafikantët ose janë nën presionin e familjeve të tyre për të tërhequr paditë. Gjatë vitit 2009, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi pesë persona për trafikimin e femrave dhe katër për trafikimin e fëmijëve”.
Po ashtu, edhe për këtë vit trajtohet me shqetësim çështja e Remzi Hoxhës dhe misteri për zhdukjen e tij. Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj tre personave, i nisur në vitin 2008, për njërin prej të pandehurve, Arben Sefgjinin, thuhet: “Pavarësisht akuzave serioze kundër tij, Arben Sefgjini në maj u emërua në krye të institucionit të Shërbimit të Provës, institucion i ri brenda Ministrisë së Drejtësisë.”
Një tjetër problem është cituar nga ekspertët e AI-t është se “dyshohet se persona të ndaluar apo të dënuar keqtrajtohen apo torturohen në mjediset e komisariateve apo në qeli”. “Kushtet e paraburgimit në komisariatet e policisë dhe burgje shpesh janë shumë të këqija, me gjithë përmirësimet e bëra në trajtimin e të dënuar”, - thuhet në vlerësimin vjetor. Një tjetër shqetësim është edhe garantimi i së drejtës ligjore për strehim për kategoritë e hetimeve. Në vlerësimin e përgjithshëm për Shqipërinë thuhet se “korrupsioni në Gjyqësor dhe në qeverisje mbetet një problem serioz”.
Amnesty International është ndër organizatat ndërkombëtare më serioze në vlerësimin e standardeve të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Në raportin e vitit 2009 konstatohen probleme me demokracinë në shumë shtete të botës dhe probleme me qeverisjet.
Albert Gjoka
28 Maj 2010