Qëndrimi, Lohan: “Shqipëria të impenjohet për të fituar liberalizimin e vizave”
Pas vendimit të komisionerëve të BE-së për miratimin e rekomandimit për liberalizimin e vizave, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, theksoi dje se liberalizimi i vizave tashmë është në duart e Shqipërisë, e cila duhet të impenjohet për të plotësuar kërkesat që kanë mbetur pa u përmbushur. Duke përshëndetur propozimin e Komisionit, ambasadori Lohan tha se kushtet e vendosura nuk janë kushte të reja, por rekomandime që janë kërkuar prej kohësh të plotësohen. “KE-ja sot ka lëshuar propozimin e vet për udhëtimin pa viza dhe këtë e ka bërë në bazë të standardeve të qarta. U është mbajtur fjalëve të veta dhe e ka bërë brenda kohës së thënë. Tashmë çdo gjë është në dorën e Shqipërisë për të plotësuar kërkesat që kanë mbetur pa u plotësuar”, - është shprehur dje ambasadori Lohan. Më tej ambasadori ka bërë të ditur se rekomandimi i ka kaluar Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit. “Vendimi do të merret në atë lloj forme që ne e quajmë bashkëvendim të Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit nga ana tjetër”, - vazhdoi më tej ambasadori i KE-së.
Lëvizja e Komisionit vjen pak ditë para Samitit të Sarajevës, të organizuar nga Bashkimi Europian për Ballkanin Perëndimor. Samiti i Sarajevës pritet të mirëpresë rekomandimin si një hap i rëndësishëm në lidhje me afrimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor afër BE-së. Serbia, Maqedonia, Mali i Zi përfituan dhjetorin e kaluar liberalizimin e vizave, ndërsa për Kosovën pritet të nisë së shpejti një proces dialogu.
28 Maj 2010