Meta: “Vendimi për vizat, rezultat i një pune të shkëlqyer”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përshëndeti dje propozimin e KE-së për udhëtimin pa viza të qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ministri vlerësoi se “ky vendim është vlerësimi i një pune të shkëlqyer të autoriteteve shqiptare në drejtim të plotësimit të detyrimeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Shqipëria do të vijojë të përmbushë tri kërkesat e mbetura dhe të garantojë zbatimin e rezultateve të arritura në përmbushjen e Udhërrëfyesit. Vendimi i sotëm i Komisionit është një hap pozitiv, i cili do t’i hapë rrugë vendimmarrjes nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian për bërjen realitet të udhëtimit pa viza të qytetarëve tanë drejt hapësirës ‘Shengen’ sa më shpejt të jetë e mundur”, - është shprehur Meta.
28 Maj 2010