E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e BE-së, pas negociatave në Tiranë, draft për zgjidhjen e krizës

Përfundoi dje në mesditë misioni 24-orësh i ekspertëve europianë

Eljona Ballhysa
Ka përfunduar dje në mesditë misioni 24-orësh i ekspertëve të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, ndërkohë që zyrtarisht nuk është dhënë asnjë informacion në lidhje me ecurinë e negociatave intensive për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Burime të rezervuara informacioni bënë të ditur për gazetën se ekspertët europianë, gjatë takimeve që zhvilluan një ditë më parë me dy krerët e politikës shqiptare, Berishën dhe Ramën, si dhe me ekspertët ligjorë të të dyja partive, kanë mbajtur shënim të gjitha propozimet e palëve, qëndrimet e tyre, pikat që mund të negociohen dhe mësohet se do të hartojnë një draft me propozimet e tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare. Ky draft do të hartohet në Strasburg dhe do t’i dërgohet më pas për shqyrtim në një kohë të shpejtë të dyja partive politike. Gjatë ditës së djeshme ekspertët e KE-së dhe të PE-së, para se të largoheshin nga Tirana, kanë zhvilluar një tjetër takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë. Por, i pyetur për këto negociata, ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, refuzoi të japë detaje për median.
Takimet
Ashtu sikurse u tha pas darkës së Strasburgut, ekspertët e lartë të Bashkimit Europian mbërritën në Tiranë ditën e mërkurë, në një mision që ka zgjatur vetëm 24 orë. Fillimisht, delegacioni që përbëhej nga 4 ekspertë, konkretisht nga zëvendësshefja e Kabinetit të komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Shtefan Fyle, Jana Katarina Loliç Shindelkova, një përfaqësues i Këshillit të Europës, si dhe përfaqësues të dy grupeve të mëdha politike në Parlamentin Europian, takimin e parë e kanë zhvilluar në Tiranë me grupin e ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe me ambasadorin e SHBA-ve. Fill pas takimit me ambasadorët, nga ku morën mbështetje për të nxitur partitë politike për të arritur një marrëveshje, delegacioni i ekspertëve të BE-së iu drejtua zyrës së kryeministrit Berisha. Ekspertët e BE-së zhvilluan për rreth dy orë bisedime në zyrën e Berishës, në prani edhe të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, deputetit demokrat Ilir Rusmali. Pas takimit me Berishën, rreth orës 9 të mbrëmjes së të mërkurës, ekspertët iu drejtuan zyrës së kryetarit të PS-së në Bashkinë e Tiranës. Takimi me Ramën zgjati 1 orë e 30 minuta dhe pas takimit ekspertët refuzuan të bënin komente për median. Po gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës ekspertët e BE-së u takuan me ekspertët ligjorë të dy partive kryesore në vend. Mësohet se në këtë takim kanë marrë pjesë deputeti Rusmali i PD-së dhe shefi i Kabinetit të kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi. Ndërsa nga PS-ja mësohet të kenë qenë deputetët Vasilika Hysi e Damian Gjiknuri. Nga këto takime u bë e ditur se së pari delegacioni i ekspertëve është njohur me qëndrimet e të dyja partive politike. Ata kanë marrë informacion për mënyrën e zgjidhjeve që ofrojnë të dyja partitë. Ndërkaq, si PS-ja, ashtu dhe PD-ja kanë paraqitur propozime për mënyrën e zgjidhjes së krizës duke i njohur ekspertët për pikat ku mund të lëshojnë dhe pikat që janë të panegociueshme. Mësohet se delegacioni nuk kishte përgatitur asnjë draft konkret, por vetëm sugjerime për palët.
Negociatat
Burimet kanë bërë të ditur se gjatë takimit me ekspertët e BE-së, deputetët e PS-së kanë kërkuar hetimin e kutive të materialeve zgjedhore dhe ngrirjen e fletëve të votimit deri në përfundim të procesit të hetimit. Në rast se do të lindë nevoja për hetimin e fletëve të votimit, të kërkohet, sipas PS-së, opinioni i Komisionit të Venecias. Por, deputetët e PD-së e kanë cilësuar antiligjore kërkesën që lidhet me fletët e votimit. Ata i janë referuar pikërisht Kodit Zgjedhor që parashikon djegien e fletëve të votimit në momentin kur hapen kutitë me materialet zgjedhore. Gjithashtu, burimet kanë bërë të ditur se në këto takime është diskutuar një formulë e re e funksionimit dhe përbërjes së Komisionit Qendror Zgjedhor, si dhe janë hedhur ide për reformën e ardhshme zgjedhore për të cilën ndërkombëtarët kanë kërkuar të jetë gati për zgjedhjet vendore.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›