E Diel, 1 Nëntor 2026

Odiseja e udhëtimit, kryeministri Berisha bllokohet në Vjenë

Mbyllja e aeroporteve ka bllokuar ardhjen e Berishës në Tiranë

Pas një udhëtimi me makinë, që ka zgjatur për rreth 10 orë nga Brukseli për në Vjenë, kryeministri Berisha nuk ia dalë që të mbërrijë në atdhe. Berisha vijon të jetë në Vjenë që nga mbrëmja e së premtes, kur ai përshkoi një udhëtim të gjatë prej një mijë e 128 km më makinë nga Belgjika drejt Austrisë. Për shkak të resë vullkanike, kryeministri shqiptar dhe delegacioni që e shoqëron u detyruan të udhëtojnë me automjete për të mbërritur në Aeroportin e Vjenës. Por, që nga dita e premte, edhe Vjena anuloi fluturimet ajrore për shkak të resë vullkanike dhe ende nuk dihet se kur do të rinisin fluturimet. Burimet bëjnë të ditur se kryeministri Berisha ende nuk ka marrë ndonjë vendim nëse do të presë rifillimin e fluturimeve, apo do të gjejë një tjetër mundësi udhëtimi drejt Shqipërisë. Por, bllokimi i linjave ajrore për shkak të resë vullkanike që vërtitet nëpër Europë ka paralizuar edhe lëvizjen e Presidentit të Republikës. Presidenti Topi mësohet zyrtarisht se ka anuluar vizitën e planifikuar për në Varshavë, ku do të merrte pjesë në ceremoninë mortore të presidentit polak. Kështu, Topi nuk do të jetë sot i pranishëm në ceremoninë funerale të përcjelljes së presidentit polak për në banesën e fundit. Mësohet se edhe 8 shtete kanë anuluar pjesëmarrjen në ceremoni, mes të cilëve presidenti maqedonas Ivanov, kryeministri koreanojugor Chung Unchan, ministri i Jashtëm i Indisë, ai Meksikës, i Egjiptit, kryeparlamentari japonez etj.
Trafiku ajror
Në Rinas janë shtuar anomalitë me fluturimet pas anulimit të një sërë fluturimesh drejt Europës Perëndimore. Pas Londrës dhe Budapestit, gjatë ditës së djeshme janë anuluar edhe disa fluturime drejt destinacioneve të tjera, si Vjena, Munihu dhe Veriu i Italisë. Ndërkohë, qytetarët ende të painformuar me detajet për fluturimet, kanë populluar ambientet e pritjes në aeroporte. Drejtoresha e Komunikimit në Tirana International Airport, që menaxhon aeroportin “Nënë Tereza”, duke dhënë një raport të hollësishëm të fluturimeve, ende nuk mund të konfirmojë rifillimin normal të udhëtimeve. TIA lajmëron pasagjerët të kontaktojnë me kompanitë ku kanë prenotuar fluturimet për të marrë informacion në lidhje me problemet që mund të kenë me fluturimet e tyre.
Mijëra udhëtarë kanë mbetur edhe gjatë ditës së shtunë të bllokuar në aeroportet e Athinës dhe të Selanikut, pas anulimit të fluturimeve në vendet e Europës për arsye të hirit vullkanik. Vetëm në Aeroportin e Athinës, deri në orët e mesditës u anuluan 135 fluturime në drejtim të aeroporteve të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Belgjikës, Holandës, Çekisë, Austrisë, Hungarisë, Zvicrës, Rumanisë, Letonisë dhe Sllovenisë. Ndërsa ditën e premte u anuluan mbi 90 fluturime nga ky aeroport.
E njëjta pamje mbizotëron edhe në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut, ku mbi 4 mijë pasagjerë kanë qysh ditën e enjte në mbrëmje që nuk mund të fluturojnë drejt destinacioneve të tyre. Gjatë dy ditëve janë anuluar më shumë se 20 fluturime drejt Gjermanisë, Zvicrës, Londrës, Vjenës dhe Budapestit. Shoqëritë greke dhe të huaja të fluturimeve këshillojnë pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë këto ditë, të informohen më parë pranë zyrave të tyre para se të mbërrijnë në aeroporte, ndërsa askush nuk jep një përgjigje të saktë se kur mund të fillojnë të kryhen fluturimet drejt vendeve europiane, sidomos drejt Veriut, por tashmë ka rezerva edhe për vendet e Europës Jugore përderisa hiri vullkanik po drejtohet në këtë zonë.

Reja vullkanike, kompanitë ajrore, 200 milionë euro humbje në ditë

Hiri vullkanik ka izoluar Europën dhe ka shkaktuar një kaos të paparë ndonjëherë në trafikun ajror. Aeroportet kryesore të Europës janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar nga Britania deri në Gjermani, Austri dhe Itali. Kompanitë parashikojnë që kostoja financiare e këtij bllokimi të papritur të shkojë në miliarda euro humbje, ndërkohë që llogaritjet paraprake flasin për 200 milionë euro humbje në ditë. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) me seli në Gjenevë, thotë se “kompanitë ajrore do të ballafaqohen me humbje plotësuese për shkak të udhëtarëve që kanë mbetur të bllokuar në aeroporte dhe të aeroplanëve”. Kjo shoqatë, që përfaqëson 230 kompani ajrore ndërkombëtare, thotë se e ka formuar një qendër të krizës në Montreal të Kanadasë, për të ndihmuar në koordinimin e kontrollit të trafikut ajror. Sipas ekspertëve, humbjet e kompanive ajrore i kalojnë ato të shkaktuara pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001 në SHBA. “Eurocontrol” njoftoi se hiri po zhvendoset në lindje dhe në juglindje të kontinentit. Mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar nëpër aeroportet e Europës. Shumë prej tyre kanë zgjedhur trenat dhe tragetet për të shkuar në destinacion. Për shkak të hirit vullkanik në Islandë, aeroportet e Parisit dhe ato në Veri të vendit do të qëndrojnë të mbyllura deri ditën e hënë. Vendimi është marrë nga qeveria franceze pas një takimi urgjent për situatën e krijuar.

Parashikimet, si do të shpërndahet reja vullkanike

Hiri i vullkanit Eyjafjallajökull, që ka shpërthyer prej pak ditësh në Islandë, po përhapet gjithandej në Europë, ndërsa gjendet mbi kokat e shumë fshatrave të këtyre zonave. “Eurocontrol” ka dhënë alarmin për të mos frekuentuar hapësirat ajrore deri në shpërndarjen përfundimtare të këtij hiri. Sipas ekspertëve, hiri vullkanik është shumë më i lehtë nga sa pritej dhe magma e tij shumë më tepër e trashë nga sa parashikohej.
Janë pikërisht këto dy cilësi të reja, të cilat e bëjnë aktivitetin e këtij vullkani edhe më shpërthyes nga sa ekspertët vullkanologë kishin parashikuar në prag të shpërthimit të tij.
Sipas studiuesve, hiri është shumë i hollë dhe pikërisht për një fakt të tillë ai ka kapacitet për t’u përhapur në distanca të largëta, duke krijuar probleme të trafikut ajror, ashtu siç dhe po ndodh në fakt. Sipas studiuesve, duhen edhe disa ditë që reja vullkanike të shpërndahet plotësisht, duke mos shkaktuar më probleme.

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›