Meta: “Opozita të japë kontributin e saj në procesin e heqjes së vizave”
Gjatë takimit të djeshëm në Berat me simpatizantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i saj, Ilir Meta, njëkohësisht zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, e ka ftuar opozitën të japë kontributin e saj në procesin e liberalizimit të vizave. Ai theksoi se në procesin e integrimit të vendit qeveria ka bërë shumë hapa përpara.
Takimi u fokusua edhe në riorganizimin e LSI-së për zgjedhjet lokale, ku Meta i ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë të angazhuar. Meta u ndal dhe në akuzat e PS-së për situatën ekonomike, duke theksuar se arritjet e vendit në këtë pikë janë pozitive duke parë dhe zhvillimet rajonale dhe situatën kur bota gjendet në një krizë ekonomike. Kreu i LSI-së ishte i shoqëruar nga deputetët Nasip Naço, Lefter Koka dhe nga anëtari i Kryesisë, Luan Rama, si dhe nga të tjerë drejtues të LSI-së.
Meta
Kreu i LSI-së vlerësoi dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Europian si një hap mjaft cilësor, ndërsa ritheksoi punën e madhe që është bërë për liberalizimin e vizave duke u shprehur se heqja e tyre do të bëhet e mundur brenda këtij viti. Në këtë mënyrë, Meta theksoi se LSI-ja do të mbajë dhe premtimin e bërë para qytetarëve shqiptarë. “Tashmë edhe faktori ndërkombëtarë e ka vlerësuar këtë progres shumë të madh që Shqipëria ka bërë në të gjitha drejtimet e kërkuara nga Udhërrëfyesi i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave; që nga dokumentet e sigurisë, të cilat vlerësohen të standardeve nga më të lartat në Bashkimin Europian, që nga kontrolli i kufijve dhe menaxhimi i tyre, lufta kundër krimit të organizuar. Në të gjitha aspektet është një punë voluminoze, konkrete dhe është një punë e madhe që ka treguar qartë vullnetin e kësaj qeverie, por dhe vullnetin tonë si Lëvizje Socialiste për Integrim për të garantuar mbajtjen e atij premtimi madhor që i shërben çdo qytetari shqiptarë dhe çdo qytetari edhe banori të Beratit, që brenda këtij vitit të gjithë shqiptarët të fitojnë të drejtën të lëvizin pa viza në hapësirën europiane”, - u shpreh Meta. Ai vlerësoi se ky proces ka jo vetëm një aspekt konkret për lëvizjen e lirë dhe ekonominë, por është dhe një çështje dinjiteti për qytetarët shqiptarë. Duke theksuar dhe një herë rëndësinë që ka procesi i integrimit të vendit, kryetari i LSI-së, Meta, e ftoi opozitën të mos bëhet pengesë e këtij procesi dhe të japë kontributin e saj në hapat e fundit që kanë mbetur drejt realizimit të këtij procesi. “Ne punojmë për gjithë shqiptarët. Do të ishte në nderin e lidershipit të Partisë Socialiste që të mos i kundërvihej këtij procesi, të vinte dhe të jepte kontributin e saj në mënyrë konkrete, ashtu sikurse është në ndihmën e mirë që të heqin dorë nga përpjekjet për të dëmtuar imazhin e vendit”, - u shpreh Meta.
Transparenca
Përsa i përket kërkesës së opozitës për transparencë, sipas Metës, opozita nuk ka qëllim transparencën e zgjedhjeve, por krijimin e një krize artificiale për të ardhur më pas në pushtet pa vota dhe jo në mënyrë demokratike. “Duan të hapin kutitë, por për kutitë është marrë vendimi i gjykatës së zgjedhjeve. Në rast se ata duan të dalin mbi këtë vendim, le t’i drejtohen një gjykate që është mbi çdo gjykatë në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese. Duan që të interpretohet ky vendim, le t’i drejtohen Komisionit të Venecias, sepse është një institucion shumë prestigjioz që na ka ndihmuar për të hartuar Kushtetutën me ekspertizë”, - u shpreh Meta. Duke folur për procesin e riorganizimit të LSI-së, Kryetari i LSI-së, Meta u ndal në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke theksuar se me eficiencën e LSI-së në qeverisje kjo forcë ka të drejtë të kërkojë dhe një mbështetje më të madhe nga qytetarët. “Sfidat janë përpara, kemi zgjedhjet vendore. Në këtë drejtim unë do t’ju ftoja të gjithëve që të angazhohemi sepse nuk jemi shpejt për këtë sfidë”, - tha Meta.
Qytetarët protestojnë në Fier për gjendjen e mjeruar ekonomike të vendit
Banorët dhe socialistët e Fierit kanë protestuar kundër politikave të qeverisë “Berisha”, të mbledhur përpara Bashkisë së Fierit. Fokusi i protestës së tyre ka qenë gjendja ekonomike, çmimet e larta dhe investimet. Duke folur përpara protestuesve, drejtues lokalë vendorë kanë akuzuar qeverinë si përgjegjëse për gjendjen aktuale ekonomike, politike dhe sociale. “Të gjithë jemi dëshmitarë se sot në pushtet është një qeverisje, e cila buron nga votat e vjedhura”, - u shpreh deputeti, Arben Malaj. Ish-ushtarakë e pensionistë i janë bashkuar kësaj proteste, e cila do të pasohet nga protesta masive po në këtë qytet në datën 27 prill dhe më pas në protestën e madhe të 30 prillit në kryeqytet.
19 Prill 2010