E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, PD-ja krijon hapësira për përfshirjen e LSI-së



Eljona Ballhysa
Demokratët kanë hedhur idenë që reforma zgjedhore të realizohet në një komision parlamentar me përbërjen e të gjitha forcave politike, dhe jo vetëm të dy partive të mëdha. Ky propozim, që është hedhur nga deputeti demokrat Fatos Beja, sipas tyre, vjen për shkak të bojkotit që Partia Socialiste u ka bërë punimeve të Komisioneve Parlamentare. Dhe, sipas Bejës, në mënyrë që të mos dështojë reforma zgjedhore, komisioni të mos jetë bipartizan, por me praninë edhe të partive të vogla. Por, burimet bëjnë të ditur se kjo është një përpjekje që PD-ja po bën për të krijuar hapësira për pjesëmarrjen e aleatit të saj të ri, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo parti u la jashtë ndryshimeve të mëparshme të Kodit Zgjedhor për shkak se dy partitë e mëdha kishin të drejtën e vetos dhe nuk morën në konsideratë propozimet e të vegjëlve, përfshirë dhe LSI-në. Ndërkaq, duket se në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me LSI-në, demokratët po synojnë që në ndryshimet e reja që do t’i bëhen Kodit Zgjedhor, të merren parasysh edhe kërkesat e LSI-së.
Deklarata
Sipas Bejës, komisioni bipartizan i reformës elektorale mbetet peng i vullnetit politik të dy partive të mëdha dhe bllokohet sa herë që njëra prej tyre bojkoton. “Janë dukuri, të cilat trashëgohen nga njëra zgjedhje në zgjedhjen tjetër. Për shembull, përbërja e komisioneve duhet të jetë bipartizan, apo nuk duhet të jetë. Është një çështje për t’u diskutuar, sepse ne kemi parë tashmë gjatë gjithë proceseve të zgjedhjeve të mëparshme që ekziston rreziku i ikjes së një pale nga komisioni me qëllim dëmtimin e palës tjetër, sepse ikja bëhet në ato vende ku fiton tjetri. Këtë dukuri do ta lëmë, apo do ta mbyllim”, - tha Fatos Beja. Deputeti demokrat propozon konsultime edhe me partitë e vogla jashtë Parlamentit për gjetjen e një strukture të përshtatshme për komisioni që do të ndryshojë ligjin e zgjedhjeve. Por, sipas tij, këtë rol mund ta luajë fare mirë dhe komisioni hetimor i kërkuar nga opozita, i cili nuk u vu asnjëherë në punë. “Në qoftë se duam seriozisht të merremi me këtë punë dhe nuk kemi në mendje gjëra të tjera, arritjen te pushteti me rrugët e presionit, të gjitha janë të hapura. Si të dëshirohet, është e mundur, ky komision, komision tjetër, me të ftuar të tjerë, të gjitha rrugët janë të mundshme”, - vijon Beja. Ideja e ndryshimit të Kodit të zgjedhjeve erdhi në skenën politike paralel me atë të votimit elektronik. Por, për të ndërmarrë një veprim të tillë duhet një shumicë e cilësuar maxhorancë-opozitë në Kuvend.
Rekomandimet
Në raportin për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, OSBE-ja renditi dhe një listë me rekomandime për ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor. Në listën e rekomandimeve OSBE-ja sugjeron politikën shqiptare që “të përmirësojë regjistrin për statusin civil dhe regjistrin zgjedhor, dhe në këtë kontekst të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media, si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare. Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave. Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm. Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme. Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet”, - shkruhet në raport.

Rekomandimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Të përmirësohet regjistri për statusin civil dhe regjistri zgjedhor dhe, në këtë kontekst, të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media, si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare.

Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave.

Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm.

Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme.

Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet.

Ristani, pro votimit elektronik në proceset zgjedhore në Shqipëri

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaron se votimi elektronik është një opsion mese i realizueshëm. Ristani e vlerëson si koherente idenë e kryeministrit Berisha për këtë mënyrë votimi. “Ajo që është për t’u diskutuar është se në çmasë dhe cili lloj i votimit elektronik do të mund të përdoret”, - ka deklaruar Ristani. Kreu i KQZ-së jep garancinë e tij për ruajtjen e identitetit të votuesve në një metodë të tillë, ku detajet të diskutohen në mënyrë transparente. “Sistemi elektronik i votimit është përdorur në disa vende të botës dhe janë kolauduar mekanizma të tillë që sigurojnë fshehtësinë e votës. Megjithatë, në rast se do të vendoset të përdoret votimi elektronik, detajet do të debatohen sigurisht në mënyrë transparente, pasi një standard i tillë, tashmë është vendosur”, - ka theksuar Ristani.
Mënyra e votimit elektronik u hodh si ide nga kryeministri Berisha pak ditë më parë. Berisha u shpreh në një seancë parlamentare se kjo mënyrë e re votimit shmang debatin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe heq mundësinë e kërkesave nga ana e opozitës për rinumërimin e fletëve të votimit. Por nga ana e opozitës kjo ide e Berishës është cilësuar utopi.

Parlamenti Europian diskuton për situatën në Shqipëri më 21 prill

Më 21 prill në Strasburg do të mblidhet Delegacioni i Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të nisë diskutimin e gjatë të situatës në Shqipëri dhe do të përgatisë takimin e parë të Komitetit të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, që zhvillohet më 3 dhe 4 maj në Bruksel. Në mbledhjen e 21 prillit, sipas axhendës, do të diskutohet dokumenti i paraqitur nga Komisioni i Zgjerimit, që drejtohet nga Stefan Fyle, mocioni i reporterit grek, Nikolaos Chountis, si dhe përgatitja e takimit të 3 dhe 4 majit. Në këtë takim, Shqipërinë do ta përfaqësojë ambasadorja e vendit tonë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, e cila bashkë me delegacionin, do të adaptojnë draft-axhendën e mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. Në mbledhjen e 3 dhe 4 majit do të jenë prezentë, përveç Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, edhe deputetë të maxhorancës dhe opozitës. Në këtë takim pritet të zhvillohet një betejë e ashpër mes palëve, për të miratuar një rezolutë përfundimtare, miratimi i të cilit do të varet nga raporti i forcave politike në terren, duke marrë parasysh që deputetët e djathtë pritet të mbështesin PD-në dhe të majtët socialistët. Por, ajo që është më e rëndësishme, është që si dokumente bazë do të vlerësohen: mocioni për rezolutë i eurodeputetit grek, Nikolaos Chountis, i cili vizitoi Shqipërinë para pak kohësh me mision raportimi, si dhe strategjia e zgjerimit dhe sfidat kryesore 2009-2010 që është përgatitur nga Komisioni Europian dhe pret të jetë dokumenti kryesor i vlerësimit. Në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit marrin pjesë deputetët: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi nga PD-ja dhe Valentina Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja nga PS-ja. Zëvendësues janë Arenca Trashani, Gert Bogdani, Shrefedin Shehu dhe Edmond Spaho nga PD-ja, ndërsa nga PS-ja zëvendësues do të jenë Mimi Kodheli, Eduart Shalsi dhe Besnik Bare.

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›