E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale: Opozita nuk do të votojë, është çështje elektorale

Opozita vazhdon të kundërshtojë procesin e Amnistisë Fiskale i cili tashmë është ndërtuar në formën e draftligjit dhe pritet këto ditë të shkojë në kuvend. Opozita gjykon se ky nuk është momenti i duhur për këtë proces, sepse vendi gjendet në fushatë zgjedhore dhe konteksti është i gabuar. Opozita kërkon që fillimisht të ndodhë amnistia politike e më pas të diskutohen ligjet e rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave në parlament. Ndërsa maxhoranca është e gatshme dhe këmbëngulëse në realizimin e amnistisë fiskale, biznesi pret të gjejë konsensusin me qeverinë, përsa i përket tarifës së taksimit të aseteve dhe detyrimeve që i ka shtetit. Draftligji i përgatitur dhe i zbardhur tashmë nga financat pritet që të kalojë këto ditë në kuvend për t’u diskutuar. Ndërsa ekspertët në fushën e ekonomisë, gjykojnë se realizimi i një amnistie fiskale kërkon një studim të tregut, si dhe identifikimin e pritshmërisë së përfitimeve. Sipas tyre, për këtë qëllim duhet të ngrihet një Task-Forcë, që të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar për realizimin e një amnistie fiskale. Ata gjykojnë se komuniteti i biznesit duhet të rrisë ndikimin e tij me debate dhe sugjerime, që kjo amnisti të realizohet. Debati për amnistinë fiskale ka vite që ka nisur, por Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe Europë që në 20 vite tranzicion nuk e ka realizuar këtë proces.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›