Ekspertët: Rritja e prodhimit të energjisë, faktor kyç në zhvillimin e ekonomisë
Sektori i energjisë shihet si një faktor kyç në zhvillimin e ekonomisë. Janë ekspertët e ekonomisë, që gjykojnë se strukturimi i ekonomisë së vendit duhet të përqendrohet mbi të gjitha në fushën e rritjes së prodhimit të energjisë. Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici gjykon se duhet përfituar më shumë nga potencialet e vendit dhe nga rritja e kërkesës për energji e tregut botëror. Pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar në vend vjen nga burimet hidrike dhe Shqipëria shfrytëzon rreth 35 deri 40 për qind të potencialeve të saj ujore. Sipas tij, nevojiten më shumë investime për një shfrytëzim më të lartë të burimeve tona, si edhe të diversifikohen burimet e prodhimit të energjisë së rinovueshme, në mënyrë që të shfrytëzohen maksimalisht kapacitetet e vendit. Sipas të dhënave, energjia elektrike zë pjesën më të madhe të eksporteve, gjë që do të thotë një pjesë të konsiderueshme në të ardhurat e shtetit. Zhvillimi i mëtejshëm i këtij sektori do të ndikojë ndjeshëm në fuqizimin e ekonomisë shqiptare. Prandaj në një debat të zhvilluar kohët e fundit, përsa i përket një modeli të ri të mundshëm të ekonomisë, ekspertët mendojnë se ky model duhet të përqendrohet që të ketë në thelb strukturimin, duke u fokusuar në rritjen e prodhimit të energjisë.