E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale na nxjerr nga kriza

Konfindustria

Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që në një kohë sa më të shpejtë të vlerësojë me përgjegjshmëri kryerjen e një amnistie të thellë fiskale në vend, që duhet të prekë pa përjashtim kapitalin, asetet dhe të ardhurat e bizneseve dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Gjendja e vështirë ekonomike e vendit, i përfshirë ndjeshëm nga pasojat e krizës globale financiare dhe ekonomike, e bëjnë domosdoshmëri kryerjen sa më të shpejtë dhe të gjerë të amnistisë fiskale. Vonesat kohore të kryerjes së amnistisë fiskale në Shqipëri kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e dukurisë thellësisht shqetësuese të largimit të parave shqiptare në sasi jashtëzakonisht të mëdha jashtë vendit, frenimin e nismave investuese nga biznesi dhe qytetarët në ekonomi dhe tërheqjen e kursimeve të emigracionit të shumë shqiptarëve nga bankat e huaja. “Kryerja e amnistisë sa më të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse fiskale bëhet domosdoshmëri në kushtet e hyrjes në fuqi të ligjit antimafie, që në rast të kundërt rrezikon seriozisht pasurinë dhe kapitalet e një shumice dërrmuese të biznesit”, thotë Gjergj Buxhuku i Konfindustrias. Pothuaj të gjitha vendet e BE-së dhe vendet e tjera të Europës kanë kryer ose janë në vazhdim të zbatimit të amnistisë fiskale, në çdo 5 apo 10 vjet. Vetëm me amnistinë fiskale në fund të vitit 2009, Italia përfitoi afër 100 miliardë euro të hyra në sistem, ndërkohë që sikundër vendet e zhvilluara të BE, në mënyrë të rregullt në çdo 2-3 vjet ky vend kryen amnisti fiskale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›