E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqytetasit kërkojnë shërbim më të mirë të transportit publik

Transparenca
Për përcaktimin e prioriteteve të buxhetit të 2010-s u intervistuan 1100 persona dhe 400 biznese

Qytetarët e Tiranës për vitin 2010 kanë kërkuar një shërbim më cilësor të transportit publik, si dhe përmirësimin e sinjalistikës në raport me prioritetet e tjera të parashikuara nga bashkia e kryeqytetit. Në një anketim që ka përfshirë 1500 persona mes tyre dhe 400 përfaqësues biznesesh, janë mbledhur opinionet lidhur me përcaktimin e prioriteteve për vitin 2010 në buxhetin e bashkisë më të madhe në vend. Qytetarët u përzgjodhën nga të 11 njësitë bashkiake në kryeqytet dhe synimi i tij, pohojnë specialistë të vendorëve, ishte “orientimi i burimeve financiare njerëzore dhe materiale të Bashkisë së Tiranës sipas prioriteteve të vendosura nga vetë qytetarët”.
Në krye të listës me 37 për qind të të intervistuarve, në favor është vendosur transporti publik dhe sinjalistika. Në vend të dytë është renditur shtimi i sipërfaqeve të gjelbra dhe rikualifikimet urbane. Ky prioritet ka marrë pëlqimin e 32 për qind të të intervistuarve. Infrastruktura rrugore vijon të mbetet ndër prioritetet e qytetarëve të Tiranës, edhe pse nga viti në vit është vënë re një ulje e kërkesës për ndërhyrje. Por ende 21 për qind e të intervistuarve kanë theksuar vazhdimin e investimeve në infrastrukturën rrugore nën dhe mbitokësore.
Shërbimet publike dhe mjedisi vijojnë të renditen përsëri ndër prioritetet kryesore të pushtetit vendor. Dhe 9 për qind e qytetarëve kanë kërkuar vazhdimin e përmirësimit të shërbimit të pastrimit të qytetit, si dhe rritjen e përgjegjësisë qytetare për ambientin. Mes prioriteteve të tjera, në këtë sondazh janë renditur edhe shërbimet sociale, ku qytetarët e kanë vënë theksin në përmirësimin e shërbimit për grupet sociale, si dhe shtimin dhe përmirësimin e shërbimeve në qendrat sociale. Po kështu është vlerësuar se duhet ndërhyrë edhe për zhvillimin ekonomik. Për këtë, qytetarët janë shprehur se duhet të kryhet rivitalizimi i hapësirave ekzistuese, me qëllim nxitjen e punësimit dhe zhvillimit të biznesit, organizimin e panaireve, hapjen e tregjeve sezonale, përmirësimin e shërbimeve të bashkisë në ndihmë të biznesit, bashkëpunimin me ta etj.
Po kështu, qytetarët kanë theksuar edhe rëndësinë dhe rivitalizimin e jetës kulturore në Tiranë. Ndërsa kanë kërkuar një transparencë më të madhe mbi punën e bashkisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›