E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi për Albpetrol hapet në shkurt

Kompania e naftës pritet të nxirret në shitje për investitorët e huaj
Qeveria shqiptare po kryen përgatitjet e fundit para se të nxjerrë në shitje kompaninë e naftës “Albpetrol”, shoqëria e vetme e rëndësishme e mbetur ende nën pronësi publike në Shqipëri. Lajmi bëhet i ditur nga burime jozyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministri Dritan Prifti pati lajmëruar tetorin e kaluar synimin për ta privatizuar këtë kompani “brenda gjashtëmujorit të parë 2009”.
"Grupi i punës i ngritur do të përcaktojë formën e privatizimit të kësaj kompanie, si dhe termat e referencës dhe kushtet për privatizimin e saj", deklaroi ministri Prifti në atë kohë.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se një kompani e huaj është interesuar paraprakisht për këtë kompani dhe pas kësaj, ministria ka vendosur ta nxjerrë në shitje. Detajet mbi shitjet mbeten ende të panjohura. “Albpetrol” zotëron një licencë pa afat për shfrytëzimin e disa vendburimeve të naftës. Kompanitë koncesionmarrëse të huaja i kanë licencat me afat maksimal 25 plus 5 vjet. Nuk dihet ende nëse afati i licencës së kompanisë do të ndryshojë pas privatizimit.
“Albpetrol” ka aktualisht 3800 punonjës. Kompania nxori 215 mijë tonë naftë bruto gjatë vitit 2008, me rënie të konsiderueshme vit pas viti. Në vitin 2004, prodhimi ka qenë 350 mijë tonë. Shkaku kryesor i rënies së prodhimit ka qenë transferimi i puseve nga kompania shtetërore te kompanitë private, përmes kontratave koncesionare. çmimi aktual i naftës shqiptare është rreth 40-45 dollarë për fuçi ose 240-270 dollarë për ton. Rënia e shpejtë e prodhimit është shoqëruar me vështirësi të konsiderueshme financiare, pavarësisht se gjatë viteve të fundit, çmimet e naftës kanë ardhur në rritje. Gjatë vitit të kaluar, “Albpetrol” hyri në vështirësi aq të mëdha financiare sa u detyrua të kërkojë kredi nga bankat, për të shlyer pagat e punonjësve të vet.
Renta
Përveç naftës që nxjerr vetë, “Albpetrol” përfiton edhe rentën minerare, pra një pjesë të prodhimit që realizohet nga kompanitë private të nxjerrjes së naftës. Sipas ministrisë, pas privatizimit, renta minerare do t’i transferohet si e drejtë qeverisë shqiptare. Aktualisht ka shtatë marrëveshje të tilla, nga të cilat njëra është në fazën e prodhimit, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e kërkimit dhe zhvillimit. Nxjerrja private e naftës në Shqipëri ia kaloi për nga sasia nxjerrjes nga kompania shtetërore për herë të parë në vitin 2007. Për vitin 2008, u prodhuan gjithsej 580 mijë tonë, nga të cilat vetëm 215 mijë u prodhuan nga “Albpetrol”. Kompania ka një kapital të paguar prej 10.4 miliardë lekësh (rreth 75 milionë euro).
“Albpetrol” ka më shumë se 60 vjet përvojë në nxjerrjen e naftës dhe gazit. Aktualisht prodhohet nga 6 vendburime nafte në depozitime karbonatike dhe terigjene, 4 vendburime gazi dhe 1 burim rëre bituminoze. Gjatë së gjithë historisë së vendit vlerësohet se janë nxjerrë rreth 50 milionë tonë naftë. Në burimet e “Albpetrol” vlerësohet se ka ende edhe 430 milionë tonë, por nxjerrja e kësaj sasie nafte është shumë e vështirë. “Albpetrol” kishte rreth 3 mijë puse nën pronësi, nga të cilat rreth 2 mijë janë në gjendje pune, ndërsa pjesa tjetër kërkojnë investime për rizhvillim, kjo sipas të dhënave për vitin 2008. Gjatë vitit 2009 ka vijuar dhënia e puseve me koncesion. Thellësia e puseve varion nga 500-3500 metra, por pjesa më e madhe janë në thellësinë 500-1000 metra. Kompanitë private kanë arritur të vendosin në punë teknologji moderne për nxjerrjen e naftës së rëndë, e cila ka një kosto nxjerrjeje shumë më të lartë se sa burimet e Lindjes së Mesme. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, nxjerrja e naftës nga burimet ranore që të jetë financiarisht e leverdishme, kërkon që çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar të jetë mbi 70 dollarë për fuçi. Kur çmimi në bursën e Londrës zbret nën 50 dollarë për fuçi, zakonisht kompanitë që shfrytëzojnë këto lloj burimesh, pezullojnë investimet në pritje të një situate më të mirë. Shqipëria shënoi kulmin e prodhimit të naftës në vitin 1967, me 2.2 milionë tonë. Që prej asaj kohe, prodhimi ra gradualisht deri në 300 mijë tonë në fillim të viteve 2000. Gjatë viteve ‘90, kompani të huaja kryen shpime në thellësi mbi 5 mijë metra, me besimin se burimet aktuale qenë migrime sedimentare të një burimi më të madh që gjendej edhe më thellë. Shumë prej kërkimeve zbuluan burime nafte, por asnjëra prej tyre nuk u fut në prodhim.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›