E Shtunë, 31 Tetor 2026

IFC, 100 milionë € për përballimin e huave të këqija

IFC do ta realizojë këtë plan në bashkëpunim me "Värde Partners L.P", një firmë e specializuar për borxhet dhe aktivet e këqija. Zyra e Bankës Botërore në Tiranë në një deklaratë për shtyp bëri të ditur se projekti i propozuar i bashkë-investimit, i cili do të përfshinte rreth 450 milion euro investime synon të ndihmojë ekonomitë e vendeve të rajonit për t'u rimëkëmbur nga kriza, përmes trajtimit të problemit të borxheve të këqija dhe aktiveve problematike. Projekti për të hequr aktivet problematike nga bilancet e bankave, i miratuar sot nga bordi i IFC-së, ka për qëllim të sigurojë që bankat në këto tregje në zhvillim të jenë në gjendje të vazhdojnë të japin financime për bizneset dhe kredi për konsumatorët, të nxisin veprimtaritë ekonomike dhe të krijojnë vende pune. Projekti gjithashtu do të kontribuojë në zhvillimin e një tregu transparent të aktiveve problematike, duke përmirësuar efektivitetin e tij. Sipas Lars Thunell, zv-president ekzekutiv dhe kryepunonjës ekzekutiv i IFC-së, "Evropa Qendrore është një nga rajonet e prekura më shumë nga kriza financiare, që ka çuar në një rritje të madhe të kredive të këqija të bankave. Përmes investimit në këto kredi të këqija, ne mund t'i ndihmojmë bankat që t'i rishpërndajnë aktivet e tyre në ekonomi, duke i dhënë një shtysë rimëkëmbjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës".Kjo strategji bashkë-investimi është pjesë në Programit të Rikuperimit të Borxhit dhe të Aktiveve, i bërë publik nga IFC gjatë mbledhjeve vjetore të Grupit të Bankës Botërore në 2009. Ky program mbështet stabilitetin dhe rritjen reale dhe financiare përmes ndihmës për pastrimin e aktiveve të këqija, duke i lejuar bizneset dhe bankat të ripërqendrohen në veprimtari prodhuese. IFC është i vetmi institucion financiar ndërkombëtar i përqendruar ekskluzivisht në sektorin privat, motori i zhvillimit të qëndrueshëm në tregjet në zhvillim. Së bashku me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), ajo po kërkon të sigurojë rritjen e kapitalit për forcimin e aftësive të saj për të krijuar mundësi për të varfrit në vendet në zhvillim, duke përfshirë edhe trajtimin e problemit të aktiveve problematike.Ndërsa "Värde Partners L.P", firma tjetër bashkëpunëtore në këtë investim, e specializuar për borxhet dhe aktivet e këqija, është një investitor kryesor në letrat me vlerë dhe aktive problematike dhe në lloje të ndryshme obligacionesh me vlerë të ulur, përfshi kredi të këqija të korporatave, konsumatorëve dhe të pasurive të patundshme dhe borxheve me interes të lartë.                                                                                              

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›