Depolitizimi i administratës, Subashi: Problemi është te zbatimi i ligjit
TIRANË Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, është e mendimit se, për shmangien e problematikës që evidentohet në zgjedhje, duhet të zbatohet saktë ligji dhe të ashpërsohen sanksionet për shkelësit e tij. Kjo është deklarata që ajo jep teksa pyetet për një nga rekomandimet e ndërkombëtarëve lidhur me depolitizimin e administratës zgjedhore. "Ku do të gjenden këto institucione që do të emërojnë këta të pavarur nga politika, në një interes kaq të madh të politikës për këtë çështje? Kush do jenë persona të besueshëm për vetë ata, të pavarur, qoftë dhe nga shoqëria civile? Jam pesimiste, nuk besoj që çdo zgjedhje do të sjellë një pavarësi ideale të kërkuar",- tha Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ-së. Për këtë arsye, Subashi e sheh zgjidhjen gjetkë, pikërisht te kërkesa për zbatimin në mënyrë korrekte të ligjit. "Vullneti politik duhet të zgjidhë problemin që t’i kërkojë administratës zgjedhore të zbatojë ligjin dhe të nxjerrë para përgjegjësisë çdo nëpunës të lartë të administratës zgjedhore, për shkeljet e ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Nuk mund të vazhdohet me këtë strukturë, apo me këtë mendësi të drejtimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve", - tha ajo. Administrata zgjedhore jopolitike ishte ndër rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për komisionin e reformës elektorale.