SHBA - miku i sigurt i shqiptarëve
Javën që shkoi, vëmendje të madhe në opinionin malazez dhe shqiptar ka shkaktuar intervista e ambasadorit amerikan në Mal të Zi, Roderick Moor, dhënë TV-së të Malit të Zi. Në intervistë janë trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me realitetin malazez, por edhe ato që janë me rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në pyetjen e gazetarit lidhur me çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Podgoricës, ambasadori Moor ka shprehur bindjen se "vendet e rajonit, veçanërisht fqinjët", do ta njohin Kosovën dhe do të themelojnë "raporte normale me fqinjin e ri". Përveç të tjerash, Moor, konfirmoi se SHBA-të janë të interesuara për stabilitetin e Ballkanit dhe se pavarësia e Kosovës i kontribuon kësaj. Ku është Mali i Zi? Ky dhe shumë momente të tjera, e vërtetojnë faktin se kombet e vogla dhe shtetet e vogla, nëse nuk kanë përkrahjen e fuqive të mëdha, janë të humbur në grykën e vullkanit të politikës së raporteve ndërkombëtare. Ditëve të fundit, pavarësinë e Kosovës e ka njohur Malta, shteti 26-të i BE-së që e bëri këtë. Por, këtë gjë ende nuk e bënë fqinjët, Mali i Zi dhe Maqedonia. Veçanërisht befason Mali i Zi, sepse Maqedonia, me siguri, ka edhe kalkulime të tjera lidhur me luftën diplomatike për emrin zyrtar të shtetit të saj dhe kontestin me Greqinë, si dhe relacionin Serbi - Greqi, ku kjo e dyta, në raporte ballkanike, gjithmonë paraqitet si përkrahëse e Serbisë.
SHBA - aleati i paluhatshëm i shqiptarëve
Fakti se SHBA-të jo vetëm që kanë qenë faktori vendimtar në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, por e mbështesin Kosovën edhe në fazën pas shpalljes së shtetit - duke bërë lobimin diplomatik për njohjen e pavarësisë së saj - tregon tërë peshën e relacionit që e kanë shqiptarët me SHBA-të. Pa Amerikë, sot nuk do të kishte as Kosovë të pavarur, por një shekull më parë, as Shqipëri.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1919 - 1920, shtetet fqinje, Greqia dhe Mbretëria SKS, kërkonin që të copëtohej shteti i sapoformuar i Shqipërisë. Nga ana tjetër, delegacioni shqiptar luftonte që shtetit amë t’i bashkohen edhe trojet etnike të mbetura jashtë kufijve të tij. Fuqitë e mëdha evropiane nuk ishin të disponuara fare t’i përkrahin kërkesat e shtetit shqiptar. Vetëm SHBA-ja, që posa kishte hyrë në skenën ndërkombëtare më 1917, përkrahu kërkesat e palës shqiptare.
Është një fakt tjetër që nuk është aq i njohur. Duke parë se kërkesa për kthimin e trojeve etnike shqiptare nuk fiton përkrahje të Fuqive të Mëdha, delegacioni i Shqipërisë kërkoi më 7 mars 1919, që në krahinat etnike shqiptare që mbetën jashtë kufijve, të vendoseshin trupat e SHBA-së, të cilat do t’i administronin këto për disa vjet, e pastaj, vetë populli do të vendoste në referendum për fatin e vet.
Këto detaje m’u kujtuan duke e shikuar intervistën e ambasadorit Moor. Sikur edhe atëherë, para një shekulli, ashtu edhe tani, një shtet tjetër shqiptar, Republika e Kosovës, e gëzon përkrahjen e mikut më të madh të shqiptarëve, të SHBA-së.
Fan Noli
"Si t’ia paguajmë borxhin Amerikës?", - ka pyetur plot emocione, Fan Noli, i cili, mërgoi në SHBA më 1906 dhe u bë i shquar në lëvizjen kombëtare, duke folur para ushtarëve amerikanë me origjinë shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918. Në këtë fjalim, Noli e tregoi se kohë më parë, për Ditën e Pavarësisë, iu kishte afruar Presidentit Wilson, duke e lutur që t’i kthejë kësaj race heroike dhe të pashpresë, bukën e saj - lirinë. Përgjigja e Wilsonit ishte: "Unë do të kem një votë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë". Ashtu edhe u bë.
*Koha Javore