E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, ja procedura e legalizimit të parave të qytetarëve

SHKRUAN: Blerina Hoxha 28-03-2011 12:28

Qytetarët do të jenë ndër përfituesit më të mëdhenj të amnistisë fiskale të ndërmarrë nga qeveria. Gazeta “Mapo” e ka botuar të plotë një ditë më parë draftin për amnistinë, por sot do të ndalemi posaçërisht se, çfarë qytetarët e thjeshtë përfitojnë nga kjo falje. Kështu, të gjithë ata që kanë një shumë parash të depozituar në banka, por nuk i justifikojnë ato me burimin e të ardhurave, mund të deklarojnë kundrejt një pagese 3 për qind, të cilën e mban banka ku ke depozitën, e cila më vonë derdhet në thesarin e shtetit. Sipas draftit për amnistinë, qytetarët duhet të paraqesin një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Aplikimi plotësohet në 2 kopje. Informacioni i specifikuar në formularin për deklarim të shumës në të holla, bërë nga subjekti, ose nga përfaqësuesi i tij, verifikohet nga banka në prezencë të kërkuesit. Më pas sapo banka merr aplikimin për kërkim të deklarimit të shumave në të holla, kopja e dytë e aplikimit e verifikuar nga banka, i jepet kërkuesit me shënimin se është depozituar. Projektligji parashikon që në rastet e deklarimit të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban si tatim në burirn shumën prej 3 % të shumës totale të deklaruar. Më pas banka transferon tatimet e mbledhura, në llogaritë e Thesarit të Ministrisë së Financave. Mirëpo drafti i financave për amnistinë ka vënë disa kufizime për transferimin e parave nga jashtë vendit nga bizneset dhe individët. Kështu, projekti parashikon që, në rastet kur subjektet dhe individët që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit shqiptar, përpara afatit 3-vjeçar nga data e legalizimit të tyre, ju mbahet si penalitet 13 % e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet para se të mbushet 1 vit nga data e legalizimit. Kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por në çdo rast nuk mund të kalojë 13% të shumës së legalizuar, që do të transferohet jashtë Shqipërisë. Projektligji i faljes parashikon të mbajë 6 % e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet para se të mbushet 2 vjet nga data e legalizimit, kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por në çdo rast nuk mund të kalojë 6 % e shumës së legalizuar, që do të transferohet jashtë Shqipërisë. Gjithashtu projekti parashikon 3 % të shumës së legalizuar, kur kjo bëhet para se të mbushet 3 vjet nga data e legalizimit. Kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por në çdo rast nuk mund të kalojë 3% e shumës së legalizuar, që do të transferohet jashtë Shqipërisë. Formulari i deklarimit duhet plotësuar dhe me Numrin e identifikimit të Personit Tatimpagues NIPT-it të personit fizik. Në këto raste, detyrimet tatimore të këtij personi për periudhën deri 31 Dhjetor 2010, konsiderohen si të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara, për këtë periudhë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›