Buxheti, rriten shpenzimet për zgjedhjet
Shpenzimet e buxhetit rezultojnë me rritje muajt e parë të vitit. Shkak për këtë sjellje të buxhetit janë bërë zgjedhjet lokale, ku qeveria qendrore do të realizojë disa nga shpenzimet e planifikuara këtë vit, pesë mujorin e parë. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë thanë se ky është shkaku kryesor pse, javën që shkoi, në mbledhjen e fundit të këshillit të mbikëqyrjes u vendos të rritet norma bazë e interesit për monedhën vendase. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në terma sasiorë, shpenzimet buxhetore u rritën me 14% në terma vjetorë në muajin janar, në sajë të rritjes me rreth 8 për qind të shpenzimeve korrente dhe të rritjes me 40 për qind të shpenzimeve kapitale. Kjo sjellje e buxhetit në fillim të vitit nuk është tradicionale, pasi shpenzimet, sidomos ato kapitalet, rriten në fund të vitit. Por në vitet elektorale, qeveritë i përqendrojnë shpenzimet në para në fushatë. Banka e Shqipërisë vlerëson gjithashtu se, rritja e shpenzimeve të qeverisë do të ketë efekte pozitive në rritjen ekonomike të vendit. “Të dhënat indirekte, të disponuara sugjerojnë se ritmet pozitive të rritjes janë mbartur edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat më të fundit kanë konfirmuar pritjet tona për një kontribut të shtuar të kërkesës së brendshme në rritjen ekonomike”, cilëson Banka e Shqipërisë. Sipas saj, ky kontribut i detyrohet në një masë të madhe rritjes së shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor gjatë tre muajve të parë, duke reflektuar dhe duke i paraprirë një pozicioni më stimulues të politikës fiskale, në kërkesën agregate të vitit 2011. Në fakt, pjesa më e madhe e ekspertëve është kundër vendimit të Bankës së Shqipërisë, të cilët e argumentojnë gjykimin e tyre me rrezikun e frenimit të mëtejshëm të kreditimit dhe investimeve të brendshme. Sipas tyre, efektet do të jenë modeste dhe ekonomia e vendit ka nevojë për stimuj, që priten të vijnë kryesisht nga kreditimi dhe investimi në fushën e industrisë dhe bujqësisë, por në të njëjtën kohë, një shtrëngim i politikës monetare pritet të rrisë çmimin e kredisë në tregun bankar. Deputeti Demokrat, ekspert në fushën e ekonomisë, Selami Xhepa thotë për “MAPO” se, pavarësisht që Banka e Shqipërisë, ndryshimin e normës bazë të interesit e ka instrument të vetëm, në lidhje me ruajtjen e objektivave të vendosura prej saj të inflacionit, vendimi nuk do të ketë efekte pozitive, pasi rritja e çmimeve, e publikuar tashmë, vjen si reflektim i tregut ndërkombëtar. “Mendoj se frenimi i rritjes së çmimeve kërkon stimuj, si investimet në industri dhe bujqësi e gjithashtu reduktim të ofertës në treg dhe jo të kërkesës”, - u shpreh Xhepa. Ndërsa, eksperti i pavarur, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike, Artan Gjergji, e gjykon të drejtë këtë vendim dhe në kohën e duhur. Sipas tij, rritja me 0,25 % e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë ka ardhur si rrjedhojë, për të ekuilibruar reflektimin e inflacionit të importuar, duke marrë parasysh pragzgjedhjet kur shpenzimet qeveritare sa vijnë e rriten. Përsa i përket kostos financiare të borxhit, që pritet të marrë qeveria, Gjergji gjykon se masa e marrë nga BSH është e përkohshme dhe nuk pritet të ndikojë në këtë drejtim. Sipas grupit të ekspertëve, të cilët përgëzojnë vendimin e Bankës së Shqipërisë në këtë moment, rritja e normës bazë të interesit do të jetë një mur frenues dhe ekuilibrues, përballë paparashikueshmërisë së çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, por edhe rritjes së shpenzimeve për shkak të zgjedhjeve lokale, të cilat përfaqësojnë kërcënim serioz inflacionist. Sipas tyre, rritja e kostos së parasë ruan ekuilibrin e duhur, mes objektivave për kontrollin e inflacionit dhe nxitjen e tregjeve financiare. Ndërsa Banka e Shqipërisë e argumentoi vendimin e saj për rritjen e normës bazë të interesit me rritjen e çmimeve dhe shpenzimeve qeveritare. BSH ka gjykuar se mbulimi me shifra i ekonomisë reale në muajt e parë të vitit ka qenë i ulët, por të dhënat indirekte të disponuara kanë sugjeruar se ritmet pozitive të rritjes janë mbartur edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Në të njëjtën kohë, të dhënat më të fundit nga tregtia e jashtme dhe sektori fiskal, kanë konfirmuar pritjet e BSH-së për një kontribut të shtuar të kërkesës së brendshme në rritjen ekonomike. Ndërkohë që për Bankën Qendrore, ky kontribut i detyrohet në një masë të madhe rritjes së shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor gjatë tre muajve të parë, duke reflektuar dhe duke i paraprirë një pozicioni më stimulues të politikës fiskale në kërkesën agregate të vitit 2011.