E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermanët skeptikë për investimet në Shqipëri, zgjedhjet provë e rëndësishme

SHKRUAN: Sabina Veizaj 28-03-2011 12:27

Investitorët gjermanë janë skeptikë për të përzgjedhur Shqipërinë, për investime strategjike pas ngjarjeve të 21 janarit. Për gjermanët, zgjedhjet vendore në Shqipëri do të jenë një provë e rëndësishme për investitorët e huaj. Anduena Stefan, e cila është këshilltare e pavarur në Tiranë, gjykon se përparimi në drejtim të kushteve për investitorët e huaj është i ngadalshëm: "Investitorët gjermanë janë shumë skeptikë sepse shikojnë që ka interes e mbështetje politike, ka njerëz me të cilët mund të flasin, ka partnerë me të cilët mund të fillojnë kooperimin. Është shumë më e vështirë të sjellësh kaq biznesmenë që erdhën këtu deri në këtë konferencë nga Gjermania në Shqipëri. Domethënë, interesi duhet stimuluar nga pala shqiptare", - u shpreh znj. Stefan, gjatë konferencës ekonomike në Munih, me pjesëmarrjen e biznesmenëve shqiptarë. Sipas saj, tensionet e vazhdueshme në politikën e brendshme nuk përbëjnë patjetër një nxitje për investitorin e huaj. Trazirat e 21 janarit, megjithatë, patën një efekt shumë të shkurtër frenues, thotë Anette Kasten, që drejton filialin e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Tiranë: "Shqipëria nuk është se ka ndonjë imazh shumë të mirë, kështu që kur trazirat u shfaqën edhe në televizionin gjerman, pati disa delegacione sipërmarrësish që i shtynë për më vonë udhëtimet e tyre. Por ata tani sërish janë regjistruar", - tha Kasten.

Ndërsa Kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, gjatë fjalës së tij, tha se kushtet favorizuese për investitorët e huaj, sa vijnë e përmirësohen. Ai u shpreh se, përveç masave të marra që më parë, për lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe uljen e taksave në dhjetë për qind, Shqipëria tani ka miratuar edhe ligjin për investimet e huaja në sektorët e saj strategjikë. "Këto janë turizmi, bujqësia, energjetika dhe infrastruktura, për të cilat qeveria ka miratuar një ligj shtesë, që u jep imunitet të gjithë investitorëve që investojnë mbi dhjetë milionë euro në këto fusha. Kjo do të thotë se qeveria shqiptare merr përsipër të gjitha konfliktet që dalin, sidomos në lidhje me pronësinë", tha Jaka. Dita ekonomike shqiptare ishte aktiviteti i parë i këtij lloji në Bavari dhe hera e parë që bavarezët patën rastin të njiheshin nga afër me potencialet investuese të vendit. Katja Hessel, sekretare shteti për ekonominë në landin gjermano-jugor u shpreh optimiste se kjo konferencë do ta nxisë njërin apo tjetrin vizitor të mundshëm drejt Shqipërisë. Ishin afro 40 biznesmenë shqiptarë dhe po aq bavarezë, të cilët patën rastin të njiheshin me njëri-tjetrin. Nikolin Jaka solli me vete rreth 40 biznesmenë, të cilët me projektet e tyre kishin ardhur të kërkonin partnerët gjermanë. Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare (DAWG) kishte zhvilluar edhe vitin e kaluar dy aktivitete të tilla promovuese, në Berlin dhe Hamburg, por ato kanë mundur të lëvizin deri tani shumë pak investitorë drejt Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›