Rikthimi i PS-së, Bregu: Reflektim i vonuar
TIRANË: Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu, ka deklaruar dje se. dy vjet bojkot nuk mund të krahasohen me një muaj përpjekje të socialistëve në Parlament, me qëllim realizimin e rekomandimeve të adresuara Shqipërisë, nga BE-ja. Megjithatë, Bregu vlerësoi rikthimin e socialistëve në Kuvend, duke i kërkuar atyre që, brenda tri muajve, të miratojnë ligjet me 3/5-at. "Fatkeqësisht, dy vjet bllokimi i ligjeve të rëndësishme, të cilat do ta klasifikonin Shqipërinë një hap më tutje, përsa i përket integrimit europian, dhe dy vjet përpjekje të cilat kanë dëmtuar realisht zbatimin e kriterit politik, një nga kriteret kryesore të Kopenhagenit, nuk mund të jenë të krahasueshëm vetëm me një muaj përpjekje",- tha Bregu. Deklaratat e saj u mbajtën gjatë takimit, që ajo pati me zv/kryeministren dhe ministren e Integrimit të Maqedonisë, Teuta Arifi. Bregu dhe Arifi deklaruan se Shqipëria dhe Maqedonia do të punojnë për çështje të përbashkëta teknike për integrimin dhe nismat rajonale.