“Amnistia”, një copë jetë nga Shqipëria në kinema Imperial
Filmi hapet me Elsën, e cila po numëron paratë që ka marrë fabrika e tekstileve vetëm pak ditë pasi fabrika është mbyllur. Është pikërisht dita kur anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duket se do të sjellë prosperitet, por nga rrethanat që tregohen në film duket se kjo është një perspektivë e largët. Në fakt, është e njëjta gjendje dëshpërimi që ka çuar përtej hekurave edhe bashkëshortin e Elsës, i cili luan me fatin e tij në një lojë kumari, me shpresën se do të mund të rrisë fitimet për të mbijetuar dhe për të përmirësuar statusin social të familjes së tij. E njëjta gjendje dëshpërimi ka çuar në burg edhe bashkëshorten e Shpëtimit. Kështu nis historia e thjeshtë, por e rrëfyer bukur e regjisorit Bujar Alimani, një histori që i dha dhe çmimin e jurisë në Festivalin e Berlinit, një sukses më shumë i kinematografisë shqiptare në Berlinalen e zhvilluar në muajin shkurt bashkangjitur këtij suksesi edhe çmimin “Ariu i Argjendtë”, që mori një tjetër bashkëprodhim shqiptaro-amerikan: “Falja e Gjakut”. Një film subjekti i të cilit është inspiruar pikërisht nga një lajm në gazetë, ku shkruhej për një amnisti që shteti shqiptar ndërmori për një kategori të burgosurish. Kaq ka mjaftuar që Alimani të lexonte që nga Greqia (shteti ku ai jeton prej vitesh) lajmet nga Shqipëria. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnerë Greqinë dhe Francën dhe ka shënuar një rekord për kohën tremujore të xhirimeve të tij në fund të muajit shtator 2010 në Tiranë dhe Pogradec dhe është etiketuar si një film cilësor, realizuar me buxhet të vogël. Kjo është arritja e parë që pati ky film para se të shfaqej në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ku në asnjërin prej tyre nuk është ndarë pa një çmim. Kësisoj “Amnistia” ka fituar edhe tre çmime në Leçe si: çmimin CinEuropa 2011, çmimin Fipresci, çmimin special të jurisë në Festivalin e Berlinit etj. Por ndërkohë pas gjithë këtyre suksese jashtë kufijve, Bujar Alimani ka nxituar ta sjellë filmin e tij “Amnistia” edhe për publikun shqiptar. Pasi ka përfunduar ciklin e pjesëmarrjeve në Festivale Ndërkombëtare, filmi “Amnistia” do të shfaqet premierë edhe për publikun shqiptar në kinema “Imperial” (Sheraton), duke filluar që nga dita e sotme. “Do të jepet në fillim një projeksion special për shtypin e më pas filmi do të shfaqet për publikun në kinemanë Imperial në Tiranë”- u shpreh regjisori Bujar Alimani. Filmi është realist-kështu e ka cilësuar kritika e huaj historinë e dashurisë mes Elsës dhe Shpëtimit, të cilët njihen rastësisht në udhëtimin e tyre të shkurtër me minibus nga shtëpia në qelitë e burgut, ku takojnë bashkëshortët respektivë. Është pikërisht ky hall i përbashkët që lidh dy personazhet kryesorë, që në fakt edhe pse jetojnë në liri ata e gjejnë veten të burgosur brenda mentalitetit të shoqërisë që i rrethon. “Aftësia e Alimanit si regjisor qëndron në faktin se kjo gjendje shtypëse e personazheve nuk jep përvojën e një kinematografie të zezë për publikun. Publiku do t’i simpatizojë karakteret. Do të donte të ndante me ta shqetësimet dhe dhimbjen, por ata gjithashtu do të donin të ndanin me ta gëzimet dhe kënaqësitë e një jete të thjeshtë” - prezantohej kështu nga kritika e huaj filmi i regjisorit shqiptar. “Amnistia” është filmi i parë me metrazh të gjatë i regjisorit Bujar Alimani. Regjisori shqiptar, që jeton në Athinë, ka zgjedhur për të interpretuar në filmin e tij aktorët Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj. Interesant në këtë film është rikthimi në shesh xhirim i aktorit Karafil Shena, ku ai luan për herë të parë në kinema rolin e protagonistit. “Amnistia” konkurroi në seksionin “International Forum”, të Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit, ku fitoi çmim me motivacionin e një shkrimi origjinal dhe një redaktimi që i lejon publikut të njihet hap pas hapi me personazhet kryesore dhe me ngjashmëritë me ta në jetën e tyre të përditshme. Filmit “Amnistia” nuk është vetëm një interes dramatik; ky film i ofron audiencës një copë jetë nga Shqipëria. Mjafton ky motiv që të pasionuarit pas filmit të shkojnë e të shohin filmin “Amnistia”, duke filluar që nga dita e sotme në kinema Imperial. Aida Tuci