Qerim Ujkani merr çmimin letrar “Azem Shkreli”
Fitues i çmimit letrar “Azem Shkreli” për vitin 2011 është krijuesi Qerim Ujkani, ndërsa i çmimit “Bulëzat” për krijues të rinj është Qëndresa Sadrija nga Peja. “Ky çmim për mua është një mirënjohje që ma jep vendlindja ime dhe një borxh që ia kam kthyer asaj vazhdimisht gjatë krijimtarisë sime. Më duket se është një nder i dyanshëm, të cilin e përshëndes”, është shprehur Qerim Ujkani. Këto takime letrare janë ndër takimet më atraktive që mbahen në Kosovë, duke i dhënë një frymë tjetër krijimtarisë letrare. Po hidhen bazat e fuqishme që të krijohet një manifestim i jashtëzakonshëm. Nuk ka rëndësi sa veta marrin pjesë, por çfarë fryme kultivohet aty. Kështu vlerësuan disa nga pjesëmarrësit e këtij konkursi të poezisë shqipe, i nënti me radhë, që u mbajt në Pejë. Filloi me orën letrare për poetet e rinj, vazhdoi me tribunën tematike “Komunikimet ndërshqiptare në fushën botimeve të letërsisë”, ku me kumtesa u prezantuan Agron Tufa, Mehmet Kraja, Kim Mehmeti, Sejdi Berisha dhe Flora Brovina.